Arlind Farizi: Ajo banonte në Facebook…

Nga Arlind Farizi


Është kohë tjetër dhe banesat janë tjera. Nuk ngjajnë aspak në shtëpitë, në tullat që rëndojnë djersë e mund baballarësh. Një banesë virtuale, dy dimensionale, që ka shumë fotografi dhe një personazh. Fotografia është muri, është dritarja, është gjithckaja. Personazhi është aq sureal sa të jetuarit në të është përtejsureales. Një kombinim midis shtirjes dhe kopjes së vetvetes që synohet, një pështjellim ndjenjash që si ka dhe atyre që mendon ti ketë. Thjesh një jetë e jetuar “sikur”.

Ajo banonte në facebook. Banesa kaltëroshe me një llogo të madhe të shkronjës F. Dizajnuar bukur, e përdorur gabimisht. Kishte lindur në një profil. Jeton edhe sot e kësaj dite aty. Kalendarin e jetës e mat me ndryshime të fotografisë. Aty e zinte gjumi, si një e përhitur. Zgjohej vetëm me ndonjë ‘poke’ të ndonjë djali të pashëm.
Jetonte virtualisht. Ikur nga realiteti, nga mungesat, nga prekja e dorës, nga nënkresa mbushur me ëndrra, nga kafeja e pirë miqësisht, nga dalja në qytetin me ajër të ndotur. Zvetnueshëm, harrueshëm, por lumturueshëm në sojin e saj të rrallë.

Banesa e saj kisha aq metër katror sa kishte miq. Kishte dhe ca territore të palegalizuara që i mbante në të zezë dhe cuditërisht i kontrollonte edhe ato. Administronte mirë edhe me ato hapësira të vogla ku ruhej një moral i rrejshëm. Gjithcka qe e saj. Sovrane e llojit të vetë. Bënte pushtetin me fotografi. Fotografitë që postonte shpesh i përdortë në vend të fjalës. Një foto sa një fjalë. Nxirrte buzë, këmbë, bukë të lyer më nutella, thonjë të mprehtë që mund të të bëjnë pentagramin më të bukur në një shpinë buri, peshqir të bardhë si e kundëra e fati të saj, lot që rrejshëm bien, thjeshtë dilte byth e krye.

Fotografia që gjuha me të cilën ajo kishte vendosur të komunikonte me botën. Një alfabet tipik polisemik. I thoshte botës dhe syve kurrështar, jam si ajo bukuroshja e fjetur e Kavabatës, me shihni por s’mund të më prekni. Jam e largët. Mund vetëm të puthi ekranet e mua jo. Me fotografi krijonte një fasadë ku prapa fshije një moral i rrejshëm.

Në banesën e saj dydimensionale jetonte mes likesh e komentesh. Ushqehej me shikimet e botës dhe fryhej. Jetonte mashtrueshëm. Me kopje të vetvetes arnonte fotografinë e madhe prej puzzle të qenies së mirëfilltë të saj. Banesa në facebook qe vendi fundit ku u fsheh. Sepse rrugëve kishte lënë kujtimet prej njeriu.

Në raste mungesë rrjeti interneti, e kaplonte njëra nga ato vetmitë sfilitëse. Kurreshtja e madhe se kush i ka shkruar, çfarë ka thënë, si e ka komentuar filania, sa like ka mbledhur, a jam më e bukura në një konkurs bukurie që matet me like, sa më duan, dhe pyetje tjera që shumëfishohen më numrin e gigave të internetit.

Sot ka mjegull, linja e internetit është e dobët, ajo qanë./ ObserverKult