Filozofët e lashtë e parashikuan të ardhmen

Aktualiteti është shqetësues. Pandemia, planet sociale, tensione të panumërta, çrregullime klimaterike… çdo ditë e re zbulon çekuilibra të reja, duke shkaktuar hutim ose ankth. Në një kontekst të tillë, duket se gjithçka tjetër është më urgjente sesa të lexosh Platonin, Rusoin, Niçen dhe të tjerët. E megjithatë, ata mund të na ndihmojnë, tani dhe këtu.

Jo për t’ia mbathur, duke menduar për diçka tjetër. As thjesht për të zgjeruar horizontin, për të shtuar njohuritë tona të përgjithshme. Madje, as për të gjetur shtigje qetësie. E gjithë kjo është e mundur, por jo thelbësore.

Në ditët e sotmë, ajo çka e bën thelbësore leximin e filozofëve, është nevoja për të gjetur mjete për të kuptuar se çfarë po kalojmë. Mirëpo, mbi të gjitha filozofia është një rikthim në atë që dikush mendon, ose beson se mendon, një ekzaminim kritik i asaj që ka në mendje.

Një hartë idesh dhe botësh njerëzore

Lista e fushave të përfshira është e gjatë, nga drejtësia te lumturia, nga fuqia te dashuria, nga vdekja te liria, përfshirë moralin, shtetin, luftën, bukurinë dhe paqen. Nga jeta në vdekje, asgjë që është thelbësore për njerëzimin nuk mbetet jashtë filozofisë. Kjo është arsyeja pse, gjatë përzgjedhjes së veprave, kisha ndjesinë e çuditshme të vizatimit të një harte të botës njerëzore. Një hartë e madhe idesh, në të njëjtën kohë antike, klasike, moderne… dhe mbi të gjitha, në të gjitha rastet, plotësisht aktuale. Pasi paradoksi qendror i filozofisë, të cilit i kthehemi me hollësi në faqet e veprave, tregon se disa tekste shumë të lashta na tregojnë për aktualitetin e kohës që jetojmë. Ato janë në gjendje të hedhin dritë mbi problemet që nuk i kanë njohur kurrë, madje shkojnë deri atje sa parashikojnë të ardhmen tonë.

Në të vërtetë, leximi i filozofëve është në gjendje të zbulojë mjete për të menduar për të ardhmen tonë. Porse duhen lexuar nga ju vetë, në tekst. Sigurisht, manualet janë të dobishëm, sikundër janë parathëniet dhe shpjegimet që mbushin libraritë dhe bibliotekat, qoftë kjo një hyrje e filozofisë në përgjithësi, apo e një filozofi të veçantë. Përkundër gjithçkaje, asgjë nuk mund të zëvendësojë kredhjen vetjake në leximin e një vepre. Sepse të depërtosh në botën e një filozofi, të endesh rrugës së tij, faqe për faqe, në shkrimet e tij, evokon zbulimin e një vendi të ri.

Udhëzuesi mund t’iu japë një panoramë, harta përcjell ca informacione, ashtu si historitë dhe komentet e udhëtarëve të tjerë. Por të dish cilat janë “vërtet” format dhe ngjyrat e peizazhit, të dish nëse ndihesh apo jo rehat atje, i lumtur apo jo… ekziston vetëm një mënyrë: të shkosh, të qëndrosh, të përjetosh. Kësisoj, mos ua lini kurrë të tjerëve të lexojnë për ju! Ajo që ata ju tregojnë nuk është domosdoshmërisht se si do të ndiheni. Kuptimi i tyre nuk është domosdoshmërisht i juaji. Udhëtimet intelektuale nuk delegohen kurrë.

Sigurisht, ndonjëherë rrezikoni të humbni në lexim, të mos kuptoni ose të bëni gabime. Përsëri, është si të udhëtosh, ku ndonjëherë humbasim, kapemi në gabim. Veç kjo nuk ndaloi asnjëherë askënd të shihte botën. Si mund të jenë Platoni, Seneka ose Kanti, ende të dobishëm për ne sot? Nëse tekstet e të parëve nuk japin të vërteta të përjetshme, ato na ofrojnë mjete për reflektim për të na ndihmuar të kuptojmë botën tonë. Platoni dhe Aristoteli, në Greqi, Lukreci dhe Seneka, në Romë, jetonin të rrethuar nga skllevër. Ata nuk i njihnin makineritë, letrave të tyre u duheshin javë dhe muaj për të arritur tek marrësi. Montenji dhe Makiaveli udhëtonin vetëm me kalë, Ruso përshkoi Francën në këmbë. Ata nuk i njihnin mjetet tona të transportit, ndërlidhjen tonë planetare. Volteri, Monteskjë, Tokvili, ndonjëherë kaq afër pyetjeve tona politike më aktuale, nuk njihnin as rrjetet sociale dhe as kërkesat e sotme. Atëherë, përse t’i lexojmë në mënyrë që të kuptojmë situatën tonë? Pyetje e lehtë për t’u formuluar, e vështirë për t’u zbërthyer! Zakonisht, në regjistrin e njohurive, i vjetri është i dalë mode, nuk është më i nevojshëm, sepse është i vjetëruar. Vetëm historianët janë akoma të interesuar për fizikën e Aristotelit, për zbulimet matematikore të Dekartit, Paskalit dhe Leibnizit. Çdo artikull kërkimor: në biologji, kimi, fizikë ose mjekësi, përmend referenca nga muajt e fundit, maksimumi nga vitet e fundit, kurrë referenca që datojnë me shekuj! Nga ana tjetër, filozofët e shekullit njëzet e një ende pretendojnë, me vendosmëri dhe vazhdimisht, veprat e së kaluarës. Duket sikur thellësia e historisë nuk ka rëndësi. Ata citojnë Platonin, Lukrecin, Spinozën, Hegelin dhe shokë, si bashkëkohës të përhershëm, për një kohë të pacaktuar, gjithmonë të rëndësishme./Konica.al