Në kërkim të ekuilibrit me “trëndafilin e bardhë”

Hapësira publike e kryeqytetit të Kosovës është pasuruar edhe me një vepër arti. Kësaj radhe nuk bëhet fjalë për ndonjë bust apo shtatore, por për një skulpturë të konceptuar nga një artist bashkëkohor. Sislej Xhafa ka përuruar veprën “trëndafili i bardhë” te “Klubi i pëllumbave” afër qendrës së kryeqytetit. Skulptura e bronztë e Xhafës është vendosur në kuadër të një projekti komunal që synon artin në hapësira publike. Hapësira midis dyqaneve prapa ndërtesës së Qeverisë është zgjedhur nga vetë artisti, shkruan ‘Koha’.

“Shoqëria që është afër veprës, individët që janë afër dhe dyqanet e plotësojnë veprën. Pa ata kjo vepër nuk do të funksiononte. Për mua shumë më të rëndësishëm janë ata individë të shoqërisë sonë që e kompletojnë atë vepër”, ka thënë ai të premten. Sipas tij, është koha që veprat e artit të shkojnë te publiku.

“Është një mundësi e mirë që publikut t’i krijojë një opinion”, ka thënë ai. Skulptura që në shikim të parë nuk ka ndonjë ndërlidhje me hapësirën ku është vendosur, ka një koncept të thellë.

“trëndafili i bardhë”, siç e ka shkruar Xhafa në origjinal, pa përfillur drejtshkrimin, sipas konceptit të publikuar nga Komuna, paraqet një skulpturë që krijon një fërkim mendor për shikuesin, duke ngritur pyetje të rëndësishme, ndërsa krijon harmoni midis pranisë njerëzore dhe identitetit të saj si hapësirë për artin.

“’trëndafili i bardhë’ nënvizon gjendjen e fuqishme psikologjike të melankolisë dhe lehtësisë, dy aspekte që karakterizojnë punën e artistit Sislej Xhafa. Ai gjithashtu glorifikon heroizmin në përditshmërinë tonë”, shkruhet në koncept. E mbushur me ironi, vepra e Xhafës posedon një ritëm të ditur, por të fshehtë. Sipas konceptit, duke trajtuar aspektin psikologjik, kjo vepër pasqyron ekuilibrin e thellë midis dimensioneve të brendshme dhe të jashtme të shoqërisë.

“’trëndafili i bardhë’ është një nderim për bukurinë e popullit tonë, tokës, komunitetit të rrethuar nga përmbysjet globale, për njerëzit e saj dhe unitetin e të cilët e përfaqësojnë”, shkruhet në koncept.