Si u prish miqësia e njeriut me gjarpnin

Si u prish miqësia e çobanit me gjarpnin

Petrit Palushi
NGA “EPOSI BJESHKËVE TË LUMËS” (60 legjenda t’rrëfyeme)


Nji çoban po i kulloste delet n’anën e epërme t’bjeshkës.
Nuk kish ma tepër se njiqind copa dele.
Aty n’bjeshkë, gjarpna e gjarpna!
Gjarpnimi dilte prej shkurreve, po s’i prekte delet.
U mësue bjeshka me gjarpnimin.
Edhe çobani.
Edhe delet.
Çobani zu miqësi me nji gjarpën.

Gjarpni, kryet e zi, kurrizin jeshil t’errët e barkun bardh e bardh.
N’midisdrekë, çobani i linte delet ndër hije t’lisave e shkonte te Lera e Gurëve.
Rrap – rrap, dilte gjarpni.
Çobani i jepte nji tas me tamël.
Gjarpni pinte e pinte tamël dhe e shterrte tasin krejt.
Thuejse çdo ditë kshtu.

Nji ditë, çobanit i duel nji punë.
Para se me shkue me e krye at punë, i tha t’vetmit djalë si kishte:
– N’midisdrekë shko te Lera e Gurëve! Aty del nji gjarpën me kryet e zi, kurrizin jeshil t’errët e barkun bardh e bardh. Merre nji tas me tamël e jepja. E kam mik për krye. Miku asht mik si n’verë si n’dimën.
Djali bani si tha baba.
Sa e shterri gjarpni tamlin, djali mori nji gur, i ra gjarpnit dhe ia këputi bishtin.
At’here, gjarpni e pickoi djalin te dora e djathtë. Dora iu enjt dhe vetëm mbas nji jave iu shëndosh.
Në krye të dy javëve, çobani mu afër Lerës Gurëve.
Gjarpni duel prej aty.
Çobani me tasin me tamël me veti.
E kqyri gjarpnin e gjarpni e kqyri çobanin.
Gjarpni i foli çobanit:
-Miqësija jonë u prish. S’ban ma përpjetë. Edhe me vazhdue asht miqësi me ferra se mue më kujtohet bishti i këputun e ty dora e helmueme e djalit tand.
Mbasi i sosi fjalët e veta, gjarpni u fut te Lera e Gurëve e s’duel ma prej aty.
Edhe krejt gjarpnimi s’u duk ma.

ObserverKult

————————

Lexo edhe:

Legjenda për gjarpnin djalë