Luan Rama: Dashuri si në kohën e kolerës

kënga Luan Rama: e dashuruar

Doli nga shtëpia si hije, pa fjalë, me gojën mbuluar me maskën që tani askush nuk e ndante nga vetja. Qyteti ishte shpërfytyruar e njerëzit, që dilnin rrallë, dukeshin si zombi.
Si mund të rrinte në shtëpi?! Veç një muaj të dashuruar e papritmas Parisi ishte kthyer në një qytet fantazmë. Njerëzit ruheshin sikur t’i fshiheshin një gjëme të madhe, vetë vdekjes.
Flisnin në telefon, por çdo ditë që kalonte e trishtonte më shumë, sikur diçka e fshehtë përpiqej ta ndante nga i dashuri.
“Dashuri në kohën e kolerës”. E kish lënë librin hapur mbi krevat, e frikësuar se mos historia e Markezit po përsëritej.
“Dua të ruhesh, të lutem!”, i kishte thënë i dashuri. “Mos dil!”.
Sa herë mbyllte telefonin, një dorë e padukshme i mbërthente zemrën e i merrte frymën.
Edhe sa ditë vallë? Megjithatë, i thoshte vetes gjithnjë se kjo do të ishte telefonata e fundit; se duhej të dilte, ashtu me maskë, e ta takonte të shtrenjtin e saj.
Tek ecte krah kafeneve të heshtura, restoranteve të mbyllura, dyqaneve me qepenat e rënë, iu shfaq para një i dehur. S’kishte maskë; do e kishte hedhur rrugës me siguri.
Ecte ngadalë, duke zvarritur këmbët dhe mërmëriste ca fjalë; ndoshta një këngë të lehtë e të pakuptueshme. Ishte i gëzuar?
“Po pse s’ka maskë?”, mendoi. “Po i bën sfidë vdekjes?”.
Ishte natë e errët, me një hënë të zbehtë mes reve. Dhe ajo dukej se donte t’i rrinte larg atij vendi, që kishte rënë në makth të madh e të kërcënuar nga vdekjet, pasi morti ato ditë po bënte kërdinë.
Ngado dëgjohej për vdekje: pleq, të rinj, fëmijë… Vdekja nuk bënte dallim.
Tutje, në një cep, një lypës flinte në trotuar pa maskë mbi gojë. Dukej se edhe ai e shpërfillte. E përse duhej të jetonte ashtu?
Nëse vdekja do donte jetën e tij, le ta merrte! Dikur, në lice, kishte lexuar për kohën e kolerës, ku të vdekurit i hidhnin të digjeshin në turra drush. Por, si të vdekurit, dhe ata që i transportonin nuk kishin maska.
Eci me nxitim. Ndjeu zemrën t’i rrihte dhe frymëmarrjen t’i përshpejtohej. Çdo ndodhte vallë? Po ai, a do vinte? Do ta përqafonte? Si? Maska padyshim do ta mbronte dhe vdekja nuk do mund ta rrëmbente nga krahët e tij. Po përse vallë hezitonte në telefon? Kishte frikë? Si mund të duronte pa u parë aq ditë, vetëm, përballë televizorëve, duke ndjekur kronikat mortore?! Më parë çdo ditë ishin bashkë nga mbrëmja gjer në ag.
Kur doli në shesh, hodhi sytë menjëherë drejt kishës, që me hijen e saj të stërmadhe dhe të errët kishte diçka të frikshme, kërcënuese. E njohu menjëherë siluetën e tij. Po, ishte atje, e priste. Priste t’i vinte flutura e tij.
Mori frymë thellë e nxitoi. Megjithatë ndjeu sikur diçka a dikush e përgjonte, e ndiqte nga pas. Pse? Ktheu kokën, por e njëjta zbrazëti ndihej në shesh, ashtu si dhe te figura e një kalimtari të vetmuar, që zhdukej në cepin e rrugës tjetër.
Ishte mbrëmje jo e vonë, por ama njerëzit fshiheshin prapa portave dhe dritareve, e qyteti sikur përjetonte mesnatën. Koha e kishte humbur ritmin, kurse njerëzit qetësinë, paqen e harenë.
Askush nuk flinte. Dritat rrinin ndezur, edhe ato sikur të përgjonin, sikur donin të largonin dikë që s’duhej të afrohej, vetë hijen e vdekjes.
“E pse jam kaq e trishtuar?”, mendoi për një çast dhe nxitoi para.
Ja dhe ca hapa dhe më së fundi u hodh, ashtu, pa folur, në krahët e tij, sikur të donte të mbrohej.
Ndjeu gjoksin e tij dhe krahët që e mbështollën pranë vetes, ashtu kokulur, sikur të kërkonte falje që e kishte detyruar te dilte.
“Shpirt!”, i pëshpëriti.
“Shpirti im!”, përsëriti ajo dhe ngriti kokën. “Nuk mund të rrija pa të parë!”.
“E di, zemër!”, dhe i buzëqeshi, tek afronte sytë drejt syve të saj, si të donte të shihte akoma më thellë, brenda tyre, nën dritën e zbehtë të neonit mbi kokë.
“Ke frikë?”.
“Jo!”.
U përqafuan, u pushtuan e u puthën, ashtu, me maskë, e ajo ia ndjeu gojën, frymën. Atë gojë që gjithnjë e gjente të lëngëzuar dhe dehëse, por…
U tërhoq e i ndenji përballë një çast pa lëvizur.
“Ç’është?”, pyeti ai i habitur. “Duhet të durojmë edhe pak dhe ta ruajmë dashurinë tonë.”.
Por ajo qeshi dhe iu afrua përsëri. Buzët, edhe pse me maskë, u ngjizën, dhe përsëri ndjeu atë dëshirë të madhe që të jepej e tëra në krahët e tij.
Përhumbur në atë ndjenjë, pa e kuptuar, tërhoqi maskën poshtë, ngadalë. Burri u step një çast, qeshi dhe shkuli me forcë maskën e tij.
Një puthje, ku dëshira kish kapërcyer pragun e frikës, ku shpirtrat përjetonin botët e tyre.
Dikush kaloi me nxitim pranë cepit të kishës dhe, kur i pa tek putheshin, ndaloi një çast i habitur. Pastaj, duke mërmëritur, u largua në heshtje. Ata veç putheshin…
Tani sheshi ishte bosh. Të vetëm, aty, nën hijen e errët të kishës dhe hënën e zbehtë, përjetonin dashurinë e tyre, si një “déjà vu” e një nate të ngjashme me ato kur dashuritë i kërcënonte kolera.

ObserverKult

——————

LUAN RAMA: NE NUK PATËM KOHË TË FLISNIM, E DASHUR…