Vëllimi me titull “Gjurmime filologjike mbi latinitetin dhe shkrimet e vjetra shqipe” e studiueses Evalda Paci përbahet prej kontributesh gjuhësore dhe tekstologjike, të cilat do të pasunojnë ndjeshëm kërkimet në fushë të gjurmimeve albanologjike.
Natyrisht, këto studime të zonjës Evalda Paci janë botue në revista shkencore të ndryshme si dhe te Hylli i Dritës, që reflekton prej vitesh jo pak kontribute të saj në fusha të përcaktueme studimore.
Të tilla kontribute mbi marrëdhaniet ndërgjuhësore të trajtueme gjanësisht në studimet kryesisht diakronike mbi shqipen dhe tiparet e saj e bajnë të mundun të nënvizohen dhe qasje të domosdoshme mbi afritë dhe diferencimet mes gjuhëve, që të para dhe në vështrime krahasuese e kronologjike, u shërbejnë disiplinave të caktueme kryesisht historike.
Studiuesja Evalda Paci âsht bashkëpunëtore e rregullt e Hyllit të Dritës që prej vitit 2008, pikërisht kur ishte e angazhueme në mësimdhanien e gjuhës dhe kulturës latine pranë Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”.
Shkrimet e vlefshme rreth autorëve të vjetër të gjuhës shqipe dhe fretënve të Urdhnit françeskan, kanë zbardhë faqe të panjoftuna rreth kontributeve të tyne, tue zbulue rishtas randësinë e traditës françeskane për kulturën mbarëshqiptare./ ObserverKult