Lazër Stani: Librat e rrezikshëm

lazer stanii observerkult

Nga Lazër Stani

Kur gjyshi nuk ndodhej në shtëpi, rrasesha sa herë me kokë në kamare, kërkoja në errësirë me bulat e gishtërinjve, i djersitur në kurriz nga frika, deri sa një ditë nxora prej andej librin me kapakë të trashë ngjyrë-errët, që kishte shumë figura shenjtorësh dhe djajsh.

Makthi që më pushtoi duke këqyrur figurat e atij libri, u bë edhe më i fuqishëm kur u kujtova për një histori që kisha dëgjuar prej të mëdhenjve e që lidhej me librat e rrezikshëm.

Kisha dëgjuar të thoshin se ka libra që të çmendin, madje thuhej se një libër i shenjtë kishte disa faqe të ndaluara, që as priftërinjtë më të ditur nuk guxonin t’i lexonin.

Në një katund, nja tri orë në këmbë nga shtëpia ime, një mësuesi ia kishin ngrënë kryet librat.

Lajmi te ne erdhi tri ditë me vonesë, por qe një ditë zie e vërtetë. Mësuesi kishte lexuar gjithë paraditen e së dielës veprën e udhëheqësit, por kur kishte arritur dikund nga fundi, e kishte lënë librin të hapur në tryezë dhe qe hedhur në greminën që gjendej nja treqind metra larg shtëpisë së tij, duke u copëtuar në shkëmbinj.

“A të çmendin librat?” e pata pyetur nënën i trembur prej tyre si prej qoftëlargut.

“Jo biro, më qe përgjigjur. Por, po të lexosh shumë, bëhesh tullac si agronomi dhe të qorrohen sytë si Dragës”…

(Fragment i shkëputur nga libri  “Rrugë pa krye” i Lazër Stanit )

Rrugë pa krye i Lazër Stanit

ObserverKult


Lexo edhe:

LAZER STANI KUJTON TAKIMIN ME PETRO MARKON: DUA TË SHKRUAJ NJË ROMAN, MË THA…

Dy ose tre javë nuk e takova më Petron (Marko) edhe pse dilja pothuajse çdo mbrëmje nga Kafeneja e Gazetarëve. Nuk e pashë as në bulevard ku bënte shëtitjen e tij të zakonshme.

Mendova i shqetësuar se mos ishte i sëmurë, por aty për aty e ngushëllova veten: ndoshta është ulur e po shkruan, mendova.

Nga Lazer Stani

Kur e pashë një të shtunë në bulevard, më mbetën sytë te kaçurrelat e thinjur e të pakrehur. Palltoja që mbante veshur m’u duk më e vjetër se kurrë.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult