Rama uron Edi Hilën: Ylli më i shndritshëm i pikturës shqiptare

Kryeministri Edi Rama uroi sot në ditën e lindjes Edi Hilën, të cilin e cilësoi si yllin më të shndritshëm të pikturës shqiptare.

“Edi Hila është padyshim ylli më i shndritshëm i pikturës shqiptare, që ka përshkuar një trajektore të hatashme nga shkëlqimi i parë, gati 50 vjet të shkuara, kur errësira e kohës shqiptare e gllabëroi sapo u shfaq dhe e degdisi në honet e persekutimit absurd, e më vonë, fatkeqësisht shumë më vonë për jetën e një vdekëtari, tek shkëlqimi i madh i dekadës së fundit, kur piktura e tij është shpërfaqur botërisht me të gjithë elegancën e vet magjepsëse, duke u bërë pjesë e thesarit europian të arteve të bukura”, tha Rama.

“Kam pasur fatin ta njoh e të jem afër Edit në periudhën e rëndë mes të dy shkëlqimeve, kur ai jetonte dyzimin torturues mes të jashtmes e të brendshmes, mes shtëpisë së vjetër dykatëshe me shkallë rënkuese druri në rrugën e Kavajës dhe studios së ftohtë në anën tjetër të rrugës; mes vizatimeve të fshehta në kuzhinën e katit të dytë, ku flitej me zë të ulët në ajrin e mbushur me hijet e bukura të Rinascimentos Italiane dhe pikturave të ndrydhura për shfaqjet vjetore në mexhelisin e mbushur me hijet survejuese të shoqërisë komuniste; mes bisedave të tij pedagogjike për punët e mia, që asokohe studioja në Liceun Artistik e më pas në Akademinë e Arteve dhe bashkëbisedimeve tona deri pas mesnate për lirinë e ndaluar, artin, kulturën, filmin, letërsinë në liri e në diktaturë…”, shtoi Rama.

Rama tha se “pa Edi Hilën dhe Danish Jukniun, profesorin tonë të përbashkët, unë nuk do t’i kisha marrë dot qysh asokohe kodet e fshehta të leximit e të përkthimit në telajo të botës siç ishte por nuk dukej, po kjo është një histori tjetër”.

“Ai ishte asokohe autori i tablosë së mallkuar, “Mbjellja e Pemëve”, e cila qëndroi e varrosur në bodrumin e Galerisë së Arteve, deri kur radha e varrimit i erdhi vetë diktaturës së proletariatit dhe bashkë me daljen në dritë të asaj pikture, që sot e gjithë ditën i qëndron kohës si zanafilla e gjithçkaje pasoi dekada më vonë, nisën të çelin nën dritën e lirisë edhe filizat e kopshtit piktorik të Edi Hilës. Sot ai është kopshti më i bukur i pikturës shqiptare, një parajsë me kujtimet e mbeturinat e ferrit, ku sipërfaqet e peneluara janë si një pluhur i përzishëm yjesh që i mbështjell kohët dhe hijet e tyre, në kuadrate pa korniza, shëmbëlltyra të vdekshmërisë së përshkruar me mall e mallëngjim nga një shpirt kalimtar, që vdes prej kuriozitetit teksa ndahet ngadalë prej trupit të radhës”, tha Rama.

Duke i uruar Edi Hilës ditën e lindjes, Kryeministri e falënderoi si gjithnjë me mirënjohje që ekziston dhe uroi që jeta e mundimshme e tij prej kopshtari kujtimesh të dhimbshme e vegimesh magjike, të jetë e mbushur në plot vite përpara me gëzimet fëminore të afirmimit botërisht të vlerës së çmuar të krijuar prej saj”.