Në kuadër të programit të përkthimit letrar të Europa Krijuese botuesi Petrit Ymeri prezantoi dhjetë mjeshtrat, e letërsisë bashkëkohore evropiane, veprat e të cilëve lexuesi shqiptar do t’i ketë në duar deri në fund të vitit 2021.
“Projekti europian i përkthimit letrarë, pjesë e programit të Europës Krijuese, do të sjell tek lexuesit në shqip autorët më të njohur të letërsisë bashkëkohore. Nis në tetor 2020 dhe përfundon në dhjetor të vitit 2021, një përkthim me poezi të Alda Merinit, “Ankthi i portierit para penalltisë” së Peter Handke, “Ngadalësia” e Milan Kundrës, dhjetë poema të Jani Ricos, letërsi për fëmijë, tre libra fitues të çmimit europian të letërsisë etj. Shqiptarët janë një popull që lexojnë, por ajo që na jep besim është që edhe rinia është e interesuar për letërsinë bashkëkohore”, shprehet Petrit Ymeri, botues.
“Europa krijuese u jep zë autorëve më në zë evropianë për të cilët lexuesi ka nevojë, por edhe shërben për të promovuar emrat më të mirë të përkthimit, për të cilët shoqëria shqiptare ka nevojë”, thotë përkthyesja Albana Nexhipi.
Ndërsa, nobelisti Peter Handke, i kritikuar për qëndrimin e tij në mbështetje të ish- Jugosllavisë, kësaj here do të vijë në shqip përmes librit “Ankthi i portierit para penalltisë”. Jonila Godoles mendon se një shkrimtar duhet gjykuar fillimisht për veprën
“Besoj se do të jetë një botim që do ketë polemika në çastin që do të jetë në duart e lexuesit. Është një shkrimtar që mbase është futur në rrugë të gabuar, këtë se ka bërë vetëm ai, por edhe autorë të tjerë, që në një moment të caktuar s’kanë mbajt anën e drejtë të historisë. Po nëse duhet të kritikojmë një personalitet, së pari duhet që t’i njohim veprën”, thotë Jonila Godole.
“Diskutimi letërsi histori, realitet fiction. Si në rastin e letërsisë edhe të historisë, të dyja disiplinat kanë si qëllim ruajtjen e kujtesës historike. Në çfarë mënyre? Historia tregon realitet, letërsia fiction”, shprehet përkthyesi Edvin Cami.
Programi i Europës Krijuese përfundon në dhjetor të vitit 2021./shqiptarja.com