Që në skenat e para “Exile” ka një tis paqartësie. Ndonëse shumë recensione thonë se “miu i ngordhur” në dorëzën e derës është paralajmërim i kolegëve të punës, në fakt shikuesve nuk u lihet vetëm ky interpretim. Kriza e identitetit, siç jepet në film, pak ka të bëjë me diçka të trashëguar nga vendlindja. Te “Exile” i Visar Morinës ajo më shumë paraqitet si krizë personale. Autori nuk është edhe aq i “huaj” për vendin nikoqir: gjermanishtja e tij është e përkryer dhe jo rrallë nuk krijohet përshtypja sikur shqiptarët nuk integrohen dot.
Psikotrileri dramatik ka në fokus krizën e identiteti dhe mënyra e xhirimit me skena të errëta dëshmon se regjisori nuk e kishte menduar se filmi do të shihej në kompjuter. E që pa dyshim shikuesin e bën të përpëlitë sytë më shpesh për të parë më qartë imazhin. Në fakt, planet ishin që “Exil” të shfaqej në kinema dhe me të të bëhej hapja e edicionit të 13-të të “PriFest”. Kur festivali vendosi që për shkak të masave për parandalimin e përhapjes së koronavirusit të mbahej online, u bë e qartë se në këtë format do të shfaqej edhe “Exile”.
Të hënën, për herë të parë, publiku kosovar pati mundësinë ta shohë propozimin e Kosovës për nominim për çmimin e madh “Oscar”.
“Filmin e kam menduar më shumë si eksperiencë dhe jo si rrëfim”, ka thënë Morina në një bisedë për ‘Kphën’, pas premierës online në Kosovë. Ai e arrin këtë përmes kombinimit të elementit intrigues dhe shqetësues që bëhen tok si karrem për ngjarjen e radhës. Por Morina nëpërmjet Xhafer Kryeziut dhe paranojave të tij reflekton për hallet më të thella shoqërore.
Xhaferi (Mishel Mariçeviq) është një inxhinier i farmaceutikës nga Kosova që jeton në Gjermani me bashkëshorten e tij gjermane, Nora (Sandra Hüller) dhe tri vajzat e tyre. Ka shtëpi dhe vend të mirë pune. Por gjërat nuk ecin aq lehtë për të. Kur kthehet nga shtëpia, në bravë të derës sheh të varur një mi të ngordhur, transmeton ‘koha.net’. Dikush nuk e ka në qejf, ani pse vështirë të kuptohet arsyeja. Miu është vetëm fillimi i ngjarjeve që vijnë si lajmëtar ogurzi. Kryeziu shumë shpejt nis të gjejë minj të ngordhur më shpesh në zyrë por edhe në shtëpi. Paranoja sa vjen e rritet.