Për poetin shekullor të shqipes, në 120-vjetorin e ndarjes nga jeta, shkrimtari Sabri Hamiti sjell për lexuesin “Naim Frashërin” e tij. Libri i akademikut, i shtëpisë botuese “Albas”, në 170 faqe prek letrarin më të njohur të Rilindjes Kombëtare në të gjitha dimensionet. Për gjuhën e zjarrtë, mistiken e besimit e personalen që endet në të, studiuesja Persida Asllani e konsideron botimin e Hamitit, si një “Naim jete”. Ndërsa akademiku është munduar që në këtë libër me referenca të forta nga Mit’hat Frashëri (Lumo Skëndo) e të tjera nga personalitete si Faik Konica e Eqerem Çabej, të përfshijë mendimet e tij për krijimtarinë letrare e një aspekt më të veçantë të biografisë, ku krahas Naimit si njeri, shfaqet edhe veprimtari e nacionali. Profesor Hamiti e konsideron këtë libër si “një hartë të mendimeve të tij”, brenda së cilës shënjohen veprat e artikuluara përgjatë 30 vitesh, pas një pune kërkimore afatgjatë. Ndërsa Asllani, në parathënien e librit, e konsideron leximin e tij, si një mundësi për të bërë “një rizbulim të thellë e të hijshëm të Naimit. E mandej edhe një mësim”.
Nga: Persida Asllani
Shënime për një libër dashurie
Me vargjet që përmbyllnin një nga poezitë lirike më të njohura të letërsisë shqipe si “Fjalët e qiririt”, Naim Frashëri sillte në zemër të letërsisë shqipe një nga enigmat e mëdha të krijimit poetik. E linte aty, si psherëtimë, si pamundësi, si pohim të një të vërtete të patrajtueshme dot deri në fund. Shkurt, na linte trashëgimi një shqiptim të përsosur të thelbit të poezisë: e ku shkruhenë në kartë fjalët e gjuhësë Zjartë? Si vëlla e në kuvendim të pandërprerë me të, poeti Sabri Hamiti e çel tash së voni përmbledhjen e vet poetike me një homazh personal për gjurmën e gjuhës së zjarrtë, e cila, kur shfaqet mbi fletën e librit a mbi fletën e jetës, dëshmon se aty ka zënë fill poezia, krijimi e leximi i saj, në letërsi e në jetë: Kur më shihni grumbull hini Kujtoni sa i madh ishte zjarri Lexues i pasionuar i Lasgushit, Hamiti e ka hetuar qysh herët se në thelb është po ai zjarr që pat frymëzuar dikur lexuesin më të mirë të Naimit në modernitetin shqiptar, i cili e rikthente me vetëdije pyetjen e poetit të adhuruar në hyrje të poezisë që ia kushtonte me nderim. Ndërsa në vargjet e frymëzuara ia poetizonte konceptin e gjuhës si një “kredo” poetike, së cilës të dy poetët i ndenjën besnikë deri në ditët e fundit të jetës:
Gjuha: shpirt i shent’i kombit, që kalon dyke kënduar!
Gjuha: zjarr ku djeg me dritë një mendim i frymëzuar!
Gjuha: afsh’i gjall’i jetës! shpat’e ndritur e lirisë!
Gjuha: yll i vjershërisë! Gjuha: Verb’i Perëndisë!
Libri që i kushtohet sot Naim Frashërit nga Sabri Hamiti shpalos leximin e pandërprerë të kësaj gjuhe të zjarrtë, lexim i dashurimit me të, qysh në vargun e parë, pa e zbehur personalen e thellë që endet aty. Sepse për Naimin mund të shkruhet tashmë vetëm kështu, i djegur nga gjuha e zjarrtë, i zhytur në hinin e vetvetes, përmes ndjeshmërisë së poetit, dashurisë së lexuesit dhe mjeshtërisë së studiuesit.
Prandaj librin “Naim Frashëri” të Sabri Hamitit dua ta quaj një “Naim jete”. Është një Naim që dëshmohet ngadalë, për të gjithë, si një mrekullim i parë me letërsinë kombëtare, si një zbulim i hershëm i lirikës për dashurinë e bukurinë, si rigjetje e vijueshme e mistikës së besimit dhe etikës së lartë të qenies përmes mirësisë dhe përulësisë. Është një “Naim jete”, me një lexim të gjatë e ngulmues, shtresëzuar nga përvojat e thella të jetës, nga përvojat edhe më të thella të letërsisë, nga metodologjitë studimore e kritike të subjektivizuara e sidomos nga një përsosje e pashoqe ndër vite e shkrimit për poetin e poezinë, si finalitet fundor i çdo shkrimi për letërsinë.
Sepse këtu synon të na kthejë ky libër i autorit, te zanafilla e Naimit, te gjuha e tij e zjarrtë, aty ku më parë Poradeci pati ndjerë poetikisht shenjtërinë e kombit, mendimin e frymëzuar, pasionet e jetës, poezinë e mirëfilltë dhe hyjninë. Sepse “poezia e Naimit është gjuha shqipe e shpirtëruar me pamje të dashurisë”, vijon Sabri Hamiti në këtë 120-vjetor të amshimit të tij.
Kjo fjali, me potencialin e një sentence poetike, çel leximin pasionant të krejt librit për Naimin, duke na kujtuar qysh në qasjen e parë se trashëgimia “naimiane” e bashkohësisë sonë është shumë më e thellë dhe e pasur nga sa e mendojmë dhe se vetëdijesimi për “naimianen” mes nesh është rigjetje e gjuhës amtare në kohën kur me të mbruhej një kulturë e re gjuhësore, botëkuptimore, morale dhe mbi të gjitha poetike, e cila vijon rrugëtimin në identitaren tonë gjuhësore e letrare.
Me këtë mision, autori i shpalos lexuesit të sotëm jo vetëm ideoren e poetit dhe korifeut kombëtar, jo vetëm tematikat dominante të veprës, jo thjesht biografiken e një jete njerëzore, jo vetëm logjikën e veprimit apo të shkrimit, por sidomos trajtat ligjërimore përmes së cilave shprehen ato, kërkimin gjuhësor, shprehjen e kulluar, nuancat dhe finesat që shënjojnë situata të holla emotive, ngritje shpirtërore, mprehtësi konceptuale, feksje mistike e të gjitha këto, pa u larguar asnjë çast nga frymëzimi me të cilin poeti i flet vetëm poetit.
Ai fton të rizbulojmë së bashku me të, ashtu siç ai vetë e ka bërë vit mbas vit, e shkrim mbas shkrimi, këtë ngjizje të madhe përmes shqyrtimit të hollë të tekstit poetik e autorial, si pikënisja e vetme e mundshme e leximit dhe e shqyrtimit të letërsisë si art. Prej këndej buron këmbëngulja e skajshme për ta sjellë tekstin në lexim sa më pranë botimit të parë, për t’iu kthyer atij me lexime të vijueshme dhe pasuruese sa herë që ia dikton shqisa e tij. Atëherë takohemi përnjëmend me Naimin, që himnizon përjetësisht gjuhën, atdheun, heroiken, dashurinë e bukurinë, Naimin e lirikës personale e mistike, Naimin që vajton, Naimin që mrekullohet, Naimin e utopisë dhe ëndrrës, mirësisë e melankolisë, Naimin e Skënderbeut, Naimin e bektashizmës së frymëzuar e sidomos Naimin e zemrës, atë të lexuar për herë të parë e që mbetet thelbi i çdo rileximi, sado i shtyrë në kohë qoftë ai.
Për plotësinë e këtij leximi, autori ka ndërmarrë edhe shqyrtimin e Naimit të të tjerëve, atyre që si ai, pararendës leximesh e dashurish për poetin, panë në veprën e tij thelbe të patjetërsueshme që i kthehen vazhdimisht dijes, vetëdijes dhe ndjeshmërisë kombëtare. Merren në shqyrtim biografitë dhe dëshmitë e Mid’hat Frashërit, intuitimet e pasionet “naimiane” të Faik Konicës, sintezat mbresëlënëse të Çabejt, hetimet psikanalitike të Krist Malokit, analizat kulturologjike të Koliqit dhe leximet metafizike të Eqrem Kryeziut. Krahas këtyre pikëvështrimesh, autori skicon, me gjasë për herë të parë, një hartografi të trashëgimisë “naimiane” në zemër të letërsisë shqipe, aty ku poeti dhe korifeu kombëtar Naim Frashëri, u bë frymëzim e lëndë poetike për poetët e mëvonshëm të letërsisë shqipe. Në këtë kapitull, titulluar simbolikisht “Naimi i trashëguar” merren në shqyrtim shkrimet dëshmuese por edhe krijuese të Lumo Skendos, të cilat vijnë shpesh si portretizim por edhe si poetikë, gjurma në frymëzimet atdhetare të Çajupit, Naimi i Lahutës fishjane, Naimi i Koliqit poet, e sidomos Naimi “lasgushian”, ku theksohet kalimi i trashëgimisë romantike në zemër të poetikës moderniste të Lasgush Poradecit si trashëguesi par excellence i frymës “naimiane” në letërsinë moderne shqipe.
Është një përkim fatlum simbioza e studiuesit dhe e krijuesit në penën e Sabri Hamitit. Ajo i fal atij, krahas thellësisë së analizës e dendësisë së sintezës së studiuesit, një shqisë të rrallë në leximin dhe shqyrtimin e poezisë si shkrirje e gjuhës me ndjeshmëritë dhe finesat, me intuitimet dhe përsiatjet, me frymëzimet dhe konceptualizimet poetike, pa të cilën poezia do të mbetej veç një mëtim. Bash për këtë arsye, edhe leximi i këtij libri mbetet, për shumëkënd prej nesh, një rizbulim i thellë e i hijshëm i Naimit, e mandej edhe një mësim.
Shkruar me dashuri, për Naimin, në 120-vjetorin e ikjes së tij. Kushtuar poetit që rikthehet, teksa e lexojnë ata që e duan e që ai vetë i desh, përmes mirësisë e shpresës, po aq shumë./panorama.com.al