Disidenca sovjetike: Vlladimir Bukovski dhe krimet psikiatrike

Karizmatik dhe tepër aktiv, shkrimtari Vlladimir Bukovski kaloi dymbëdhjetë vjet, ato mes viteve 1963 dhe 1976, në spitale psikiatrike, kampe të internimit dhe burgje. Ai i zbuloi botës detajet dhe shtrirjen e represionit psikiatrik në Bashkimin Sovjetik. I ndërtuar në mënyrë metodike, ky sistem shpiku një “shkencë” të re dhe rrënoi përfundimisht imazhin e Bashkimit Sovjetik.

Nga François BONNET

Si shpeshherë në Rusi, gjithçka fillon nga poezia. Në fund të viteve ’50, të inkurajuar nga erërat e liberalizimit, të cilat dukeshin se po frynin me denoncimin e krimeve të Stalinit më 1956, qarqet informale të poezisë lindën në hijet e universitetit. Një revistë klandestine (me gjasë ‘samizdati’ i parë) realizuar nga Aleksandër Guinzbourg, qarkullon fshehur nën mantele. ‘Syntaxis’ është titulli i saj. Ajo boton vetëm poema. Revistë kjo që shkaktoi dënimin e parë të Guinzbourg me dy vjet kamp internimi më 1960…

Rinia e Moskës është e lumtur që mund tashmë të flet me zë të lartë për poetët e djallëzuar ose të ndaluar deri atëherë: Anna Akhmatova, Boris Pasternak, Ossip Mandelstam, Nicolas Gomilev.  Dhe më vitin 1958 përurohet edhe statuja e Vladimir Maïakovskit në një nga sheshet më të bukura të Moskës.

Poetët zyrtarë lexojnë po ashtu tekstet e tyre. Për befasi të mirë, edhe të rinjve u lejohet t’i recitojnë vargjet e tyre. Dhe janë aq të lumtur sa që ceremonia nuk duket së mbaruari. Vendosin të takohen pothuajse çdo natë në mbrëmje poetike.

Në fillim, autoritetet nuk panë asnjë rrezik për këtë. Një gazetë në Moskë madje botoi një artikull në lidhje me këto takime, duke treguar ditën dhe kohën, shkroi më vonë Vladimir Bukovski, në biografinë e tij të jashtëzakonshme. Dhe era rifillon të kthehet (Robert Laffont, 1978). Krijohej një lloj klubi në qiell të hapur, si Hyde Park. Autoritetet nuk mund ta lejonin për gjatë kohë një iniciativë kaq të rrezikshme dhe i ndaluan shumë shpejtë këto tubime“.

I indur më 1942, Vlladimir Bukovski nuk i kishte ende 20 vjet, kur vihet në shënjestër të autoriteteve të universitetit të letrave për aktivizmin dhe denoncimin e tij të Komsomol (organizata rinore e partisë) në një letër-pamfleti. Dy vjet pas ndalimit të tyre, Bukovski i rifilloi me miqtë e tij mbrëmjet poetike në sheshin Maïakovski. Por aty nuk recitohen më vetëm vargje. Flitet edhe për lirinë e krijimit, etikën, “rezistencën morale”, të drejtat e qytetarëve.

Këtë herë, KGB-ja vepron më seriozisht. Bukovski arrestohet më 1963 dhe burgoset për tetë muaj në një spital psikiatrik. Ky ishte qëndrimi i tij i parë në atë spital. Ai ishte 21 vjeç dhe nuk e dinte ende se rinia e tij do të shkatërrohet. Deri në largimin e tij në ekzil në dhjetor 1976 kur u  shkëmby me liderin komunist kilian Luis Alberto Corvalán, Bukovski kaloi pjesën më të madhe të jetës së tij, gjithsej dymbëdhjetë vjet, midis burgut, kampeve të internimit dhe spitaleve psikiatrike. “E vetmja gjë për të cilën pendohem”, tha ai gjatë gjyqit të tij të fundit më 1972, “është se nuk bëra më shumë gjatë periudhës së shkurtër që isha në liri – një vit, dy muaj dhe tre ditë – për kauzën e lirisë dhe drejtësisë”.

Vladimir Bukovski, në fillim të viteve 1960. ©Qendra Sakharov, Moskë

I palëkundur, i vrazhdë, i revoltuar dhe vendosmërisht antikomunist, Bukovski vdiq në vjeshtën e vitit 2019 në Londër. Ai nuk u dorëzua kurrë. “Ai ishte një stuhi, pak vegullues, shumë karizmatik dhe tepër aktiv“, kujton Tatiana Pliouchtch. Ai ishte gjithashtu shumë i dhunshëm në polemikat që nxiste me disidentët e tjerë“.

Por le të përqëndrohemi në thelbin e angazhimit të tij. Vlladimir Bukovski është njeriu që do t’ia zbulojë botës tmerrin e psikiatrisë ndëshkuese. Ai e përshkroi se si u krijua nga regjimi sovjetik, e pastaj si u zhvillua gjatë viteve 1960 dhe 1970 për ta shuar disidencën.

Asnjë arbitraritet në këto internime të detyruara. Një “shkencë” e re e shpikur me ndihmën e psikiatërve më të njohur sovjetikë. Ajo do të mundësojë të tregojë se  “ata që mendojnë ndryshe” (ky është përkthimi i mirëfilltë i termit rus i cili do të përkthehet si “disident”) e bëjnë sepse janë viktima të sëmundjeve të rënda mendore.

Disidenca si «sëmundje mendore»

Psikiatria ndëshkuese kishte disa përparësi ndaj kodit penal që ishte ashpërsuar në fillim të viteve 1960. Një komision mjekësor, shpeshherë nën urdhërat e KGB-së, lëshonte diagnozën dhe konkludonte “papërgjegjshmërinë” e të akuzuarit. Pastaj, gjykimi zhvillohej me dyer të mbyllura dhe pa praninë e të akuzuarit. Internimi ishte më kohë të pacaktuar derisa pacienti të shërohej. Internimi privonte viktimat nga ato pak të drejta që kishin të burgosurit.

Në një nga librat e tij, Gjykimi në Moskë (1995), Vlladimir Bukovski jep një shpjegim tjetër për «psikiatërizimin» e opozitarëve. “Ne ishim një problem serioz teorik për Byronë Politike. Si të shpjegohej paraqitja e një “armiku” në parajsën socialiste pa klasa, të viteve 1960 dhe 1970? Në një farë mënyre, ne ishim fëmijët e këtyre udhëheqësve sovjetikë. Prandaj nuk është për t’u habitur që regjimi përzgjedhi interpretimin “psikiatrik” të propozuar nga Hrushovi“, shkruan ai.

Në dhjetor 1965, Vladimir Bukovski ishte një nga organizatorët e demonstratës së parë të lirë që ishte mbajtur në Moskë që nga vitet 1920. Dyqind njerëz u mblodhën në Sheshin Pushkin për t’i mbështetur shkrimtarët André Siniavski dhe Iouli Daniel, të arrestuar pak më parë. “Ne ishim më pak të shqetësuar për Siniavski, të cilin nuk e njihja dhe nuk e kisha lexuar, sesa me nevojën për të  testuar nëse shoqëria do ta toleronte shtypjen politike në epokën pas Stalinit“, shpjegon ai.

Policia shpërndau menjëherë turmën. Vlladimir Bukovski arrestohet dhe internohet përsëri në një spital psikiatrik. Në janar 1967, përderisa ishte për pak kohë në liri, ai organizoi një protestë të re, këtë herë në mbështetje të Aleksandër Guinzbourg dhe Yuri Galanskov. Që të dy do të dënohen. Galanskov vdiq më vonë në kamp. Këtë herë, Bukovski u dënua me tre vjet burg.

Alexandre Guinzbourg në kamp ​në 1969. I sapodënuar për “Libri i Bardhë i çështjes Siniavski-Daniel”. ©Qendra Sakharov, Moskë

I liruar më 1970, ai përfshihet në një punë që do të jetë shkatërruese për regjimin. Ai ndërton skedarin e parë voluminoz dhe të hollësishëm mbi funksionimin e psikiatrisë ndëshkuese. Mblodhi dosjet mjekësore të disa disidentëve, përmbledhi diagnozat dhe marrjet në pyetje të kryera nga psikiatrët. Përshkruajti trajtimet: neuroleptikët, elektroshokun, injeksionin e insulinës duke shkaktuar komë, gjilpërat e squfurit…

Bukovski ia dha tërë dosjen korrespondentëve të huaj në Moskë, shoqëruar nga një apel për psikiatrit që zhvillonin kongresin e tyre botëror në Mexico City më 1971. Nën presionin e sovjetikëve, ky kongres nuk lëshoi deklaratë formale, por disa organizata shqyrtonin dosjet duke u alarmuar për dukurinë.

Një grup i psikiatërve britanikë konkluduan se diagnozat e rasteve të ekzaminuara nuk bazohen në asgjë tjetër përpos se në motive politike. Në Francë u krijua Komiteti kundër përdorimit të psikiatrisë për qëllime represive. Ai do t’i bashkohet Komitetit të matematikanëve në fushatën për lirimin e Léonide Pliouchtch.

Bukovski u arrestua përsëri më 31 Mars 1971, një ditë para hapjes së Kongresit në Mexico. Dosja e tij u botua shumë shpejt në disa vende të botës. Në Francë përkthehet nga historiani Jean-Jacques Marie, me titullin « Një sëmundje e re mendore në BRSS: opozita ». Shtypi botëror boton masivisht disa nga pjesat. Në janar 1972, Vlladimir Bukovski dënohet me shtatë vjet burg dhe kamp, si ​​dhe me pesë vjet internim. Dënim maksimal.

Në kampin Perm, Bukovski takoi Sémion Glouzman. Ky psikiatër ukrainas ishte i sapodënuar me shtatë vjet. Ishte mik i ngushtë i Pliouchtch. Léonide Pliouchtch ishte i sapoarrestuar në Kiev. Mbi të gjitha, ai kishte bërë një kundër-ekspertizë të Piotr Grigorenko, gjithashtu i internuar. Ky ish-gjeneral i Ushtrisë së Kuqe ishte një nga figurat e mëdha të disidencës nga fillimi i viteve 1960. Ndër të tjera, ai ishte mbrojtësi i palëkundur i tatarëve, të dëbuar nga Krimea më 1944, me urdhër të Stalinit.

Më 1974, në një letër që i shpëtoi censurës, Glouzman përshkroi presionin e rëndë nga KGB-ja në çështjen Pliouchtch. “Nuk mund ta rishikoj besimin tim si mjek psikiatër dhe si mik i ngushtë në lidhje me shëndetin e përsosur mendor të Léonide Pliushch“, shkroi ai.

Bukovski dhe Glouzman atëherë vendosin ta shkruajnë një “manual“, një udhëzues konkret që mund të ishte i dobishëm për të gjithë të akuzuarit. Ky është “Udhëzuesi psikiatrik në përdorim ndaj disidentëve sovjetikë“. I « kushtohet Lonia (Léonide) Pliouchtch, viktimë e terrorit psikiatrik » dhe hapet me këtë citim nga një roman i shkrimtarit Andrei Platonov:

“Pushkin: Ti je i çmendur vetë!

Tchadaaev: Pse jam i çmendur?

Pushkin: Ti e kupton barazinë, por vetë jeton në skllavëri.

Tchadaaev (me mendim): Ke të drejtë, unë jam i çmendur”

Ky udhëzues u botua i plotë në revistën ‘Esprit’ në shtator 1975. Edhe në këtë rast, ndikimi qe shumë i madh. Manuali përshkruan saktësisht diagnozat e reja të krijuara nga psikiatrit sovjetikë për t’i internuar disidentët.

Më i përdoruri është ai i “skizofrenisë torpide” (që evoluon ngadalë), të panjohur deri atëherë në botë. Shpjegimi i profesor Timofeev: “Disidenca mund ta ketë si shkak një sëmundje mendore, ku procesi i evoluimit është shumë i ngadaltë dhe diskret, e ku simptomat e tjera mbeten të pakapshme, ndonjëherë edhe deri në kryerjen e veprës kriminale.

Një diagnozë tjetër: zhvillimi paranojak i personalitetit. Dy ekspertë nga Instituti Serbsky, instituti i psikiatrisë ligjore, doktorët Petchernikova dhe Kossatchev e përshkruajnë atë në këtë mënyrë: “Në shumicën e rasteve, idetë e luftës për të vërtetën dhe drejtësinë shfaqen tek disa personalitete me një strukturë paranojake ». Dhe ekziston gjithashtu “deliri ngacër që shoqërohet me idenë se janë shkelur të drejtat e njeriut “.

Psikiatria si metodë e menaxhimit të turmës

Nga aty, Bukovski dhe Glouzman japin shumë rekomandime praktike për t’iu përgjigjur më mirë marrjeve në pyetje dhe ekzaminimeve psikiatrike. Ideja është  përmbushja e normave të kërkuara nga homo sovieticus: fëmijëri e lumtur, sociabilitet normal, seksualitet i “përshtatshëm“, çdolloj ëndërre… Me pak fjalë, rekomandohet fuqimisht skenari i një banaliteti gri.

“Asnjëherë mos pretendoni se keni qenë të përndjekur, përgjuar apo viktimë e provokimeve. Ekspertët do të flasin për delire të persekutimit dhe për reagime paranojake […]. Hyni në grevë urie vetëm në raste ekstreme, sepse përndryshe kjo do të konsiderohet “negativizëm psikopatik”. Mos argumentoni mbi saktësinë e bindjeve tuaja, përndryshe do të konstatohet “mbivlerësimi i ideve tuaja”. Në rastin Grigorenko është nënvizuar “mendimi i detajuar në ekzagjerim”. » Etj.

Dhe në mesin e shumë shembujve të cituar, një shembull nga dosjet e disidentëve: “Konstatuan tek Jaurès Medvedev “një shthurrje të personalitetit”: ai ushtronte profesionin e biologut, por shkruante edhe poezi.

Psikiatria ndëshkuese është po ashtu një makinë e tmerrshme që sfidon 250 milion qytetarët sovjetikë të mendojnë në unison ose të mos mendojnë. Nuk bëhet fjalë më për lirinë për të shkruar, botuar apo protestuar. Vetëm për të menduar. “Sapo nuk jeni si gjithë të tjerët, vetë e vëni në veprim mekanizmin“, shkruan Tania Mathon, e cila përktheu udhëzuesin dhe ishte një nga shtyllat e Komitetit të Matematikanëve që bëri fushatë për çlirimin e Pliouchtch.

Më 1976, lirimet nga burgu dhe nisjet për ekzil të Vlladimir Bukovski dhe Léonide Pliouchtch bënë të mundur vendosjen e psikiatrisë ndëshkuese sovjetike në qendër të debateve. Dëshmuan edhe shumë disidentë të tjerë në mërgim. U grumbulluan dokumentet dhe u dëmtua imazhi i BRSS. Por sa njerëz kaluan në këtë mulli?

Nuk ekzistojnë statistika të sakta mbi abuzimin psikiatrik“, do të thotë më vonë Sémion Glouzman i cili nuk pranoi të emigroi. Ai e themeloi më 1991 Shoqatën e psikiatrëve të Ukrainës dhe një komision hetues për viktimat. Sipas studimeve, numrat ndryshojnë nga dhjetëra mijëra deri në dy milion.

Sepse ky sistem i shtypjes nuk kishte për shënjestër vetëm disidentët. Ai u bë një mënyrë për ta administruar popullsinë në tërësi. Një internim prej disa ditësh mund të vendosej nga një zyrtar shtetëror, pa procedura gjyqësore.

Sémion Glouzman në vitet 1990 në Kiev. © (dr)

Studimet e ndryshme të kryera tregojnë se pakicat kombëtare (Letonët, Tatarët, Kaukazianët, etj.) ishin të mbipërfaqësuar në spitalet psikiatrike. Në prag të Lojërave Olimpike në Moskë në 1980, një spastrim i madh i kryeqytetit dhe Leningradit mbushi spitalet. Ishte e njëjta gjë për çdo ngjarje të rëndësishme në qytetet e vendit.

Megjithë skandalin ndërkombëtar, ky sistem vazhdoi deri në vitet 1980. Tek atëherë u mbyllën institucionet me regjim special, që ishin nën përgjegjësinë direkte të  Ministrit të Brendshëm. Njerëzit u liruan me mbylljen e tyre. Disa viktima u rehabilituan, por nuk pati kurrë ndjekje penale ndaj njerëzve – dhe psikiatërve – të përfshirë drejtpërdrejtë në këtë represion.

Alexandre Podrabinek është një figurë tjetër në luftën e disidentëve kundër psikiatrisë ndëshkuese. Për këtë shkak edhe bëri vite në kamp nga viti 1980. Ai sapo ka denoncuar vazhdimin e këtyre praktikave në një tekst të botuar në Francë më 14 qershor nga shoqata ‘Disidentët e Rinj’.

Psikiatria ndëshkuese “përdoret akoma në Azerbejxhan, nga regjimi diktatorial post-sovjetik, përgjatë represioneve të tij politike“, shkruan ai. Ai citon rastin e një opozitari, Aguil Goumbatov, i cili është internuar dhunshëm në prill. Sëmundja e tij? Në një transmetim në radio, ai e kritikoi sistemin e kujdesit shëndetësor të vendit të tij, pas një fjalimi të Presidentit Ilham Aliyev për Covid-19 në mars./ (Mediapart)

Përgatiti: ObserverKult