Letra e kolegut me të pathënat për Bedri Dedjen: Smirëzinjtë “e vigjilonin”

“Nëse do të kishin qenë të gjithë komunistët shqiptarë si Bedri Dedja, do të ishin shmangur shumë të këqija që regjimi komunist e diktatorial u solli shqiptarëve”, veprimtari i arsimit dhe psikologu Kolë Tahiri, 6 vite pas vdekjes së Dedjes shkruan letrën e rrallë drejtuar mikut e kolegut të tij, ku zbulon të pathënat e jetës së akademikut. Një rrëfim, ku ndër të tjera pedagogu i kërkon falje Dedjes, edhe në emër të kolegëve pedagogë, që nuk “i dolën në krah” në përballje me akuzat dhe pengesat që sipas tij, “burokratët e të paaftët, smirëzinj, i krijonin vazhdimisht”.

Në 90- vjetorin e lindjes së këtij personaliteti shumëdimensional që la gjurmë të bardha kudo shkeli përmes punës e qytetarisë, e bija artiste Edlira Dedja zbulon letrën rrallë, që hedh dritë mbi vështirësitë e hasura nga i ati për t’i sjellë arsimit shqiptar, një metodikë studimi sa më të mirë, krijimtarinë e tij që shikon nga e ardhmja dhe punën e palodhur për zbulimin e historive e të personazheve deri në skaje të Shqipërisë.

Letra e Kolë Tahirit tregon se Bedri Dedja ishte nën vëzhgim, pasi sipas asaj që përflitej “‘ia kishte bërë benë’ një nga figurat kryesore të Komitetit të Parisë për Tiranën”.

Tentativat për ta vënë me shpatulla pas murit, nuk qenë të pakta. Ish-arsimtari tregon se për të futur në kurth Dedjen, ishin ngritur mekanizma të posaçëm, të cilët e vunë para akuzave jo pak herë. Tahiri sjell në vëmendje në letrën e tij, rastin e materialit didaktik të hartuar bashkë me Dedjan, ku u akuzuan për “gabime të rënda ideologjike”, apo problemet me citatin e Karl Maksit marrë nga një autor “revizionist” në tekstin e “Psikologjise Sociale” që rrezikonte t’i vinte kapakun “veprës, punës e jetës së Dedjas”.

Nga tentativat donkishoteske “të vigjilentëve”, më pikantja është padyshim ajo e përrallës “Shkolla e Pyllit”, ku Dedja akuzohet sërish për “gabim të rëndë ideologjik”.

Siç kolegu i tij Kolë Tahiri tregon, fakti se në përrallën e shkrimtarit, figurat e “deklasuara” nën simbolikën e ujkut, çakallit etj., bënin mësim në një lëndinë, bashkë me klasën punëtore të përfaqësuar nga lepuri, sorkadhet etj., kishte krijuar një rrëmujë të madhe. “Llogaridhënia dhe puna armiqësore qenë bërë objekt diskutimesh në organizatën bazë të Partisë dhe në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve.

Mbi shkrimtarin shkarkoheshin rrufe të ashpra. Net pa gjumë, tronditje shpirtërore, alarme në familje, dyshime në opinionin shoqëror etj. Por këto paralajmëronin të tjera lëkundje tërmeti edhe më të forta”, tregon ndër të tjera Tahiri.

KOLË TAHIRI

Çfarë mund të kujtosh më parë për një figurë të tillë me “stofin” dhe përmasat e akademikut? Profesor Bedri Dedja është i mirënjohur në mbarë trojet shqiptare si shkrimtar, studiues e drejtues i arsimit dhe shkollës shqipe, si ideatori dhe nismëtari për krijimin e Institutit të Studimeve Pedagogjike dhe gazetës “Mësuesi”, si “gjeologu” që kërkonte potenciale intelektuale dhe aftësi letrare e gazetareske midis armatës së mësuesve e kuadrove të arsimit, duke shkelur deri në zonat më të thella.

I respektuari, prof. Bedri! Me të drejtë, asokohe e pate konsideruar veten “gjeolog” që kërkon “fragmente jetësh”, energjish potenciale mendore që dremisnin në gjirin e mësuesve, talente të reja etj. Nuk mund t’i harroj udhëtimet tuaja të largëta e të mundimshme deri në Sllovën e largët të Dibrës për t’u njohur me mësuesin artist, gjuhëtarin e aftë N. Plaku, përkrahjen e dhënë studiuesve të talentuar si M. Quku (Shkodër), Mark Vuji (Lezhë), A. Kadiu (Dibër), etj. I tillë ka qenë udhëtimi juaj në këmbë në malet e egra shkëmbore të Xibrit (Mat), për të nxjerrë në dritë figurën e ndritur të mësuesit Isa Bajraktari, djaloshit nga Babina e Tropojes që dha jetën në krye të detyrës në ato male, në vitin 1947. Në ato vite (1972) pat’ bërë jehonë preludi Juaj letrar ”Monolog me Malet” kushtuar mësues Isës. Në sajë të hulumtimeve tuaja, këmbënguljes e argumenteve bindëse që dhatë atëherë, Isa Bajraktarit iu dha titulli “Mësues i Merituar” dhe shkollës së atij fshati, emri i tij.

I paharruar ka mbetur, po ashtu, rasti i vogëlushit nga Dukagjini i thellë (Shkodër), me aftësi të jashtëzakonshme llogaritëse, të cilin e sollët në Tiranë, i bëtë testimin psikologjik, shkruat për të një artikull shkencor në revistën “Arsimi Popullor” dhe ndërmjetësuat për t’i caktuar një mësues me normë të reduktuar për t’u marrë me të. Ka qenë diçka e spikatur.

Meritë të veçantë përbën “zbulimi” dhe nxitja nga Ju, si dhe përkrahja që u dhatë gazetarëve të rinj të gazetës “Mësuesi”, që ju drejtonit. Ju, profesor Bedri Dedja, si rrallëkush më parë, nxisnit me dashamirësi mësuesit veteranë e pensionistë për të transmetuar përvojën dhe kujtimet e tyre të vyera nëpër artikuj apo libra të veçantë. Kujtoj sot mes tyre K. Kocin “Mësues i Popullit”, Kolë Xhumarin, Sofokli Papariston, Zenel Hekalin, Halim Shpuzën etj.

Krijuesit e rinj me aftësi letrare përbëjnë një kapitull të veçantë, me të cilët Ju themeluat dhe ngritët në këmbë letërsinë tonë artistike për fëmijë.

I dashur prof. Bedri! A mund të numërohen diplomat e kursantëve pasuniversitarë dhe disertacionet që keni udhëhequr, recensionuar, apo thjesht studiuar shoqërisht, për të ndihmuar studiuesit e ardhshëm? E pra, të gjitha këto të kanë marrë kohën e shtrenjtë dhe energjitë fizike e mendore. Frojdi i madh, diku nënvizonte se “… ia vlen për të sakrifikuar, qoftë edhe tërë jetën, për të ndihmuar e bërë të lumtur, qoftë edhe një njeri të vetëm”. Por sa jetë të tilla njerëzish, të cilët i ”zgjuat”, i nxitët, i frymëzuat dhe u hapët shtigje e perspektiva të reja apo që u dhatë ndoshta drejtim të ri në jetë, qëndrojnë mbi shpatullat tuaja? Ata janë të shumtë dhe me kontribute të mira në fushën e arsimit dhe shkencave pedagogjike e psikologjike.

Por sa është edhe numri i atyre mësuesve e kuadrove të arsimit, të cilët ju kanë pasur pedagog, ata që kanë ndjekur fjalimet, referatet, kumtesat e mbajtura, ata që kanë lexuar shkrimet dhe librat tuaj kushtuar psikologjisë dhe pedagogjisë? Pra, një armatë e tërë njerëzish që për një kohë afër gjysmëshekullore janë përgatitur e kualifikuar si mësues, si edukatorë, si specialistë të pedagogjisë e psikologjisë, si kuadro drejtues nga vetë Ju dhe librat tuaj. Pra, ndihmesa juaj është evidente. E bëra këtë listë, jo të vogël emrash dhe detyrash, për disa arsye: Për mua, një nga çështjet më kryesore ka të bëjë me “gjeografinë” krahinore të atyre që janë “zbuluar”, nxitur e përkrahur nga Ju me ato mundësi që dispononit. Në këto lista nuk gjenden as më të voglat dallime krahinore, fetare, raciale, klanore etj., të kësaj natyre.

Së dyti, është vështirë të gjenden midis tyre persona që kanë pasur lidhje gjaku, familjare, farefisnore, krahinore me Ju, me familjen apo njerëzit e tjerë të rrethit Tuaj. E pra, nepotizmi është sëmundje e rrezikshme që është ndeshur dhe ndeshet rëndomë në jetën tonë të përditshme.

Së treti, cilit prej stafit të këtij drejtuesi të studimeve pedagogjike i janë vënë kushte të tjera, me përjashtim të aftësive profesionale, figurës morale, interesit të punës studimoreshkencore? Midis tyre do të gjeni studiues të përkushtuar, si V. Hoti nga Shkodra, F. Rama nga Tirana, S. Carçani nga Gjirokastra, M. Islami nga Kolonja, apo B. Çomo, R. Uçi, Ilinden Spasse, inxhinierin P. Bejtja, agronomin H. Veshi, psikologun L. Hajdaraga, historianët e arsimit tonë si I. Gogaj e Q. Kashari etj. Këta morën më vonë tituj e grada shkencore, botuan monografi e libra të ndryshme, bënë emër të mirë në studimet pedagogjike e psikologjike shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit XX. Po kështu, sektori i botimeve, revista “Yllkat” me Ramadan Pasmaçiun, piktorin Vlash Dobroniku etj.

Vëreni me kujdes dhe përpiquni që të gjeni midis tyre persona me merita luftarake, partiake, politike, pushtetarë, bij ose bija të pamerituar partiakësh, pushtetarësh etj., etj. Më lehtë gjenden midis tyre të tillë që kanë pasur «cene» në biografi, se sa nga ata që përmenda më lart. A nuk përbën kjo një mrekulli dhe çudi për atë kohë dhe a nuk mbetet aktuale edhe për ditët tona? Për mua, sa më shumë që distancohemi në kohë e hapësirë, aq më i dukshëm bëhet ky dimension i veprimtarisë Suaj udhëheqëse e drejtuese.

A nuk flasin të gjitha këto cilësi për ndërgjegje profesionale të një kualiteti të veçantë, për figurën atdhetare, qytetare e morale të këtij njeriu, për dinjitetin e Tij? Të marra së bashku, me ato që do të plotësojnë koleget e mi, ish-bashkëpunëtorët te Tij, ato do të zbukuronin çdo biografi e do të përbenin krenari për çdo intelektual të përmasave dinjitoze.

Profesor! Ju shpejt u bëtë personalitet i njohur në mbarë vendin. Ndiqeshin me vëmendje reportazhet, shkrimet dhe sugjerimet tuaja. Kujtoj propozimin tuaj për ngritjen e një këndi lojërash për fëmije tek Ura e rrugës së Elbasanit në Tiranë, e cila u bë realitet. A nuk janë këto e të tjera të kësaj natyre kënaqësi e meritë për ideatorin e tyre, shkrimtarin për fëmijë Bedri Dedja?! Pa dyshim, po.

Një studiuesi, i cili në të ardhmen mund të merrej me këtë figurë, do t’i sugjeroja që mos të linte pas dore këtë aspekt të veprimtarisë së tij, këto “thërrime” nga sofra shkencore e njerëzore e profesorit Bedri Dedja.

NJERIU DHE QYTETARI I NDERUAR

Edhe pse ishte anëtar i PPSH-së, Bedriu ka qenë një demokrat i spikatur deri në fund të jetës së tij. Besonte në idealet e vërteta, të cilat, për fat të keq, nuk i pa të realizuara në jetë. Nëse do të kishin qenë të gjithë komunistët shqiptarë si Bedri Dedja, do të ishin shmangur shumë të këqija që regjimi komunist e diktatorial u solli shqiptarëve.

Prof. Bedri Dedja nuk i përkiste atij grupimi intelektualësh, pedagogësh apo kuadrosh të arsimit, që në themel të përmbajtjes dhe veprimtarisë së shkollës propaganduan dhe vendosën politikën dhe ideologjinë e partisë në pushtet, si dhe mësimet e diktatorit. Përvoja historike, për fat të keq, ka provuar se ky grupim i parë u përpoq, me vetëdije e pavetëdije, të zbatonte politikën enveriste, pra, ta shkatërronte shkollën.

Por ishte edhe një grupim i dytë intelektualësh e kuadrosh arsimi, që u përpoq, me aq sa e lejonin kushtet,ta mbronte dhe ta ndërtonte atë.

Ndër figurat më të spikatura të grupimit të dytë qëndronte akademiku Bedri Dedja me stafin e tij, që merrej me përmbajtjen shkencore të shkollës dhe modernizimin e saj, me trajtimin pedagogjik, psikologjik e metodik të kësaj përmbajtjeje, me studimin e përvojës e kualifikimin e kuadrit mësimor, me analizën e historisë së mendimit pedagogjik shqiptar etj. Në rast se gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, në sajë të punës së madhe të një populli të tërë dhe përpjekjeve të armatës së mësuesve e pedagogëve ka pasur edhe arritje pozitive, nuk ka dyshim se Bedri Dedja ka pjesën e vet të meritave në këtë punë. Ky personalet i arsimit shqiptar ka qenë, mbi të gjitha, njeri me integritet e personalitet të spikatur. Njeri me aftësi krijuese të ndryshme, i përkushtuar e me pikësynime të qarta, këmbëngulës në arritjen e qëllimeve të vëna, i paepur në punë e përpjekje, serioz e korrekt në punë, optimist dhe i thjeshtë. Ai rrezatonte energji pozitive dhe optimizëm. Me shembullin dhe fjalën e tij të mençur, u jepte drejtim punëve, ngjallte besim e shpresa te të tjerët dhe i mobilizonte në punë. Veçohej për takt të veçantë në marrëdhëniet me vartësit. Nuk kapej pas cikërrimave; punën e secilit e maste me rezultatet konkrete. Kur paraqitej rasti, i mbronte me vendosmëri vartësit e vet. I ndershëm, i drejtë, i sinqertë, i vëmendshëm dhe i komunikueshëm me të gjthë. Vëzhgues i mprehtë, dëgjonte me kureshtje e mësonte nga të tjerët, nuk preferonte të mbante shënime, por regjistronte në kujtesën e vet të fortë gjërat më thelbësore; i pëlqente të meditonte dhe të ëndërronte. Për energji fizike e vullnet mund të garonte me cilindo. Duke anuar nga temperamenti kolerik, i duheshin përpjekje për të qenë sa më i ekuilibruar, për të mos shpërthyer në situata të vështira, për të mos u treguar arrogant e prepotent me kuadrin apo në shoqëri. Edhe me këtë prani, ai ruante gjakftohtësinë dhe ekuilibrat përkatës. Njeri me karakter, i mirë, në kuptimin më të plotë të kësaj fjale, Bedri Dedja e ka pasur mirëkuptimin armë të shëndoshë. Me aq sa e kam njohur, në marrëdhëniet dhe komunikimet jo vetëm me mua, por edhe me të tjerët, ai ka qenë, siç e kam thënë edhe më lart: dashamirës, i gatshëm për të ndihmuar të tjerët, sado larg qofshin, tolerant, qytetar i devotshëm dhe i respektuar.

Në shënjestër të burokratëve, të paaftëve dhe “vigjilencës revolucionare”.

Në kohën kur Bedri Dedja punonte me përkushtim dhe energji të pashtershme për çështjen e arsimit dhe shkollës, burokratët, të paaftit, partiakët, smirëzinjtë etj., nuk flinin, ata “vigjilonin”, mbronin parimet politike e ideologjike të partisë mëmë. Jo rrallë, problemet që ata ngrinin i kanë kushtuar Atij shumë shqetësime personale, familjare e shoqërore, madje edhe kanë rrezikuar seriozisht karrierën e tij.

Një herë, nuk më kujtohet mirë viti, u patëm dërguar kabineteve pedagogjike të rretheve një broshurë të shaptilografuar nga drejtoria jonë, për metodikën e punës studimore shkencore në fushën e arsimit dhe shkollës. Pas dy-tri ditësh, i “ngarkuari” i drejtorisë sonë më pyet nëse e kisha dërguar unë një material të tillë. I përgjigjem se atë material metodik e kishim hartuar unë dhe profesor Bedriu e më pas e kishim dërguar në bazë. “Më vjen shumë keq”, u shpreh “vigjilenti” dhe shtoi, se “…në atë material ka gabime të rënda ideologjike”. Fatmirësisht, komisioni i specialistëve, i ngritur për këtë qëllim, pas verifikimeve të kujdesshme konstatoi se akuzuesi “… nuk e kishte kuptuar terminologjinë pedagogjike e psikologjike, e cila ishte përdorur në atë punim”. Këto zhbirilime njerëzish të paaftë, për të justifikuar rrogën që merrnin, të tjerëve u sillnin shqetësime serioze e jo vetëm kaq, por bëheshin edhe pengesë në punë.

Në një rast tjetër, shkrimtari (Bedri Dedja) botoi një përrallë për vogëlushët, të titulluar, me sa më kujtohet, “Shkolla e pyllit”. Përsëri Bedriu akuzohet për gabim të rëndë ideologjik. Ishin shkelur parimet e “luftës së klasave”, referenca politike më themelore e teorisë marksiste-leniniste. Shkrimtari, ndonëse i organizuar në parti, kishte pranuar në shkollën e pyllit figura të “deklasuara” si ujku, çakalli, dhelpra, korbi etj. Për më tepër, këta armiq të luftës së klasave në pyll bënin mësim në një lëndinë, së bashku me “proletariatin”, me “klasën punëtore” të kafshëve të pyllit që përfaqësoheshin nga lepuri, gjirafa, sorkadhet, breshkat, arinjtë, kanarinat, derrat etj. Zallamahi e madhe! Llogaridhënia dhe puna armiqësore qenë bërë objekt diskutimesh në organizatën bazë të Partisë dhe në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve. Mbi shkrimtarin shkarkoheshin rrufe të ashpra. Net pa gjumë, tronditje shpirtërore, alarme në familje, dyshime në opinionin shoqëror etj. Por këto paralajmëronin të tjera «lëkundje» tërmeti edhe më të forta. Sidoqoftë, edhe kësaj radhe, shkrimtarin e “ruajtën”.

Por sfidat nuk kishin të mbaruar. Midis pedagogëve të paorganizuar në Parti qarkullonin thashetheme. Çudi!? Kush i sajonte dhe kush i përhapte ato?! Thuhej se kishte mekanizma që merreshin me këtë punë! Përflitej se Bedri Dedjes “… ia kishte bërë benë…” një nga figurat kryesore të Komitetit të Partisë për Tiranën. Kaq duhej që thashethemnaja të mbulonte kryeqytetin. Për këtë arsye, në katedrën tonë u organizuan disa mbledhje të egra. Çfarë kishte bërë ky njeri, ky “përbindësh i pabindur”? Pedagogu Bedri Dedja kishte hartuar tekstin e «Psikologjise Sociale» për kursin pasuniversitar të pedagogjisë e psikologjisë dhe diku atje, kishte bërë “sakrilegjin e madh”, duke sjellë në thonjëza një citat të Marksit, po, po, të Karl Marksit! Por hataja qëndronte në faktin se citati nuk ishte marrë direkt nga vepra e tij, por nga një autor “revizionist”. Kjo u vinte kapakun të gjithave: veprës, punës dhe jetës së tij

Tashti më vjen me të vërtetë çudi për këto që po shkruaj, por atëherë këto gjëra kanë qenë tejet me pasoja serioze. Më kujtohen mirë, pasi unë i kam mbajtur vetë procesverbalet e atyre mbledhjeve. Si mos të të bënte përshtypje kur konstatoje se në mbledhjet tona, si asnjë herë tjetër, patën marrë pjesë njëri pas tjetrit disa të deleguar nga dekanati, nga ministria, nga shtëpia botuese, nga Komiteti i Partisë për Tiranën. Dyndje e vërtetë! Për habinë tonë, të deleguarit shtronin problemin, rëndësinë e tij, shqetësimet që kishte shkaktuar “lart” Bedri Dedja dhe na lihej neve “kopili në derë”, pra, duhej të ishim ne ata që do të argumentonim “krimin” e tij dhe t’i jepnim “dënimin e merituar”, dënim i cili do të shqyrtohej më pas në instancat partiake.

Çuditërisht, shkrimtari dhe studiuesi u ruajt edhe kësaj here! Në realitet, ai peshonte tejet më rëndë se të gjithë akuzuesit, të marrë së bashku. Nga ana tjetër, edhe vogëlushët, të cilëve u drejtohej libri, vështirë se arrinin deri te kuptimi i “… rëndësisë së luftës së klasave për zhvillimin e shoqërisë njerëzore…”?!

I dashur Bedri! Të kërkoj të falur edhe në emër të kolegëve të katedrës se, me përjashtim të disa shpjegimeve që bënte profesor Hamit Beqja, nuk u gjet një burrë midis nesh që të të dilte në krah. Përvoja tregonte se “Çfarë të bënte Partia, nuk ta bënte as Perëndia”. Secili prej nesh përtypej sipas mënyrës së vet, pa u kuptuar se çfarë thoshte.

Tani, pas kaq kohësh, dikush do të shtrembërojë buzët; një tjetri do t’i duken këto gjëra ekzagjerime, madje edhe mua më vjen të buzëqesh kur i kujtoj. Po atëherë?! Në ato vite e kisha të freskët një shembull: – Pedagogut e docentit Arif Gashi, diplomuar në Moskë për filozofi, i del dëshmitar në gjyq studenti i tij, të cilit i drejtonte diplomën. Pasoja: profesori dënohet me disa vjet burg, vite që i vuajti në Ballsh, me të dënuar të tjerë politikë.

Kjo nuk ishte hamendje, por realitet i atyre viteve të mbrapshta. E shpreh me bindje, se po të kalohen lehtë, të nënvleftësohen e, aq më keq, të harrohen këto gjëra, ato mund të përsëriten në variante të reja. Pra, nuk është e vështirë të kuptohet se çfarë terrori pat’ përjetuar profesor Bedri Dedja në ato kohëra diktatoriale ë!

Niçe, në kohën e vet pat’ shprehur këtë mendim: “Me të drejtë thuhet se një popull karakterizohet, jo aq nga njerëzit e tij të mëdhenj, se sa nga mënyra se si sillet ndaj tyre”. Pavarësisht sfidave, vështirësive, njerëzve të këqij që ndeshen gjatë rrugës dhe madje edhe në diktaturë, e mira ngadhënjen, veprat dhe sjelljet e mira të njerëzve nuk harrohen; ato do të dalin një ditë në dritë. Mirënjohja nuk duhet të vdesë kurrë!

Këndej kuptohet se nuk janë të pakta arsyet që ne, ishkolegët e profesor Bedri Dedjes, së bashku me armatën e madhe të arsimtarëve, e kujtojmë Atë me nderimin dhe respektin më të madh.