Saviano: Ta dija që kështu do të rrjedhin gjërat, s’do ta shkruaja kurrë “Gomorran”

saviano

Roberto Saviano, shkrimtari përkthyer në 51 gjuhë dhe “dënuar me vdekje” nga mafia.

Siç i ka ndodhur atij, si ka ndodhur asnjë shkrimtari tjetër. Pak kohë pasi botoi romanin e tij të parë që e bëri të famshëm “Gomorra”, Roberto Saviano “u dënua me vdekje” nga mafia dhe tashmë jeton jashtë vendit të tij. Libri doli nga shtypi në mars 2006, ndërsa në vjeshtën e 2008-ës, ai do të largohet nga Italia, gjithmonë i mbrojtur nga truprojat.

Në fakt, Saviano ia arriti asaj që e lakmojnë mijëra shkrimtarë në gjithë botën, famën e shpejtë. “Gomorra” është përkthyer deri tani në 51 gjuhë dhe shitur vetëm vitin e parë mbi 130.000 kopje, por autori është mjaft i trishtuar. Sepse atij i ndryshoi krejt jeta e mëparshme, diçka që sot i duket e paimagjinueshme.

“Që të jem i sinqertë, nëse do t’i rikthehesha dhe një herë gjërave që kam bërë nga e para, unë s’do ta shkruaja kurrë atë libër, po ta dija çfarë do më priste më pas”, ka thënë ai vitin e kaluar në një intervistë për “The Guardian”.

“Unë e dua shumë Napolin dhe do të bëja gjithçka t’i ktheja gjërat siç kanë qenë”. Mirëpo, hakmarrja e Camorras, s’njeh kufij. Ato muajt e parë pasi ishte botuar romani i Savianos, mafiozët e morën me sportivitet ngjarjen.

Madje, disa edhe krenoheshin kur identifikonin veten në faqet e librit. Gjithçka u përkeqësua kur u arrestuan dy eksponentë të rëndësishëm të klanit Casalesi. Të cilët fajësuan pikërisht Savianon për arrestimin e tyre. Dhe në kutinë e tij postare mbërriti kërcënimi i parë me vdekje. Pasuar disa muaj më vonë nga lajmi i një informatori të penduar të klanit Casalesi, që u tha autoriteteve fije për fije organizimin e një atentati me bombë ndaj shkrimtarit. Ndërsa ai do të udhëtonte në autostradën Romë-Napoli.
Kjo i vuri vulën gjithçkaje.

Që nga ajo kohë, për autorin e Gomorra, ka nisur ekzili i pakthyeshëm. I cili, s’e ka penguar megjithatë, të dhurojë për lexuesin një tjetër roman mjaft të mirë “Zero zero zero”. Jo vetëm një pamflet kundër organizatave mafioze të trafikut të kokainës, por edhe një roman estetik dhe stilistik mjaft i realizuar. Dhe të mendosh që ai është vetëm 44 vjeç!

ObserverKult


Lexo edhe:

TIMO FLLOKO: ECI RRUGËVE KOT, KUTURU DHE S’DI KU SHKOJ…

ObserverKult