reklamë

Donika Dabishevci: MARIGO, PËRTEJ NJI GJILPANE N’DUER…

Sot asht 28 Nandori dhe në kujtesën tonë kolektive kjo datë e rëndësishme, ndër të tjera, lidhet edhe me nji emën grueje, me atë të Marigo Posios (Marigonës), figura e së cilës asht reduktue pothuejse në nji togfjalësh të vetëm: “qëndistarja e flamurit”.

Nga Donika Dabishevci

Pra, sa herë vjen 28 Nandori, kujtojmë gjilpanën e penjtë n’duert e saja… edhe pse Marigoja ishte shumë ma tepër se aq.

E pikërisht për këtë arsye, unë sot du me kujtue Marigon si njanën prej vajzave t’para shqiptare t’shkollueme n’gjuhë amtare. Si nxanësen e Sevasti Qiriazit.

Du me kujtue Marigon intelektuale, Marigon poete, Marigon publiciste e edhe veprimtaren politike Marigo.

Sepse shtëpia e kësaj grueje, në fillim të shekullit të kaluem, ishte nji prej vatrave ku zhvillohej veprimtaria politike e atdhetare.

Sepse, qysh më 1908, kjo grue ishte pjesë e klubit patriotik “Labëria” e, nji vit ma vonë, ndër nismëtaret e hapjes së shkollës shqipe në Vlorë.

Sepse po kjo grue, krahas angazhimit në Komitetin për Shpëtimin e Atdheut, e mbështeste atë edhe me të hollat e veta.

Sepse, përveçse mbante korrespondencë me atdhetarët në mërgim, kjo grue, me mision të Komitetit “Bashkimi”, udhëtoi edhe në Korfuz për me bashkërendue veprimtarinë e patriotëve shqiptarë.

Du me kujtue Marigon, organizatoren e drejtuesen e Shoqnisë së grave shqiptare në Vlorë, që kujdesej për të plagosunit e familjet e prekuna prej luftimeve.

Du me kujtue Marigon që më 28 Nandor 1918 demonstronte kundër pushtimit italian.

Du me kujtue Marigon që, mbas arrestimit të Avni Rustemit në Francë, mblidhte të holla në mbështetje të tij e i drejtohej me telegram legatës franceze.

Du me kujtue Marigon që më 6 shkurt 1921 nisi botimin e gazetës s’vet, “Shpresa Kombëtare”, prej së cilës na kanë mbetë gjashtë numra.

Du me kujtue Marigon që shkruente artikuj e poezi. Atë që më 1924 mbështeti Revolucionin e Qershorit dhe Fan Nolin.

Du me e kujtue për shumë arsye, por mbi t’gjitha sepse, në nji kohë kur prania e grues në jetën publike ishte jashtëzakonisht e paragjykueme dhe ende përjashtim, Marigoja merrte pjesë në organizime politike, udhëtonte për me bashkërendue veprimtarinë atdhetare, mbante korrespondencë me patriotët në mërgim e kontribuonte financiarisht për çashtjen kombëtare.

Du me e kujtue sepse, qysh atëherë, arsimimi i vajzave, përhapja e gjuhës shqipe, emancipimi i grues dhe pjesëmarrja e saj në jetën shoqnore e kombëtare ishin pjesë e angazhimit të përhershëm të Marigos. Krejt kjo veprimtari e saj m’ban me mendue se kjo grue, ma shumë se nji shekull ma parë, e kishte kuptue lidhjen e thellë ndërmjet lirisë së nji kombi dhe lirisë e emancipimit t’grues.

Du me kujtue Marigon që thoshte: “Do të shes gjithë pasurinë time dhe xhevahiret, për Shqipërinë.”

Atë Marigo që u sëmur nga tuberkulozi, që në vitet e fundit të jetës humbi edhe shikimin, që ra në gjendje të randë ekonomike dhe që vdiq rreth të pesëdhjetave, e sëmurë dhe e lanun mbas dore.

Du me e kujtue sepse asht e dhimbshme mënyra se si kujtesa jonë kolektive i përzgjedh atributet me të cilat vendos me i përjetësue gratë. Edhe atëherë kur ua njeh kontributin historik, përzgjedh prej veprimtarisë së tyne kryesisht atë dimension që përputhet ma së shumti me përfytyrimin tradicional për gruen.

Burrave ua kujtojmë mendimin politik, vizionin, strategjitë, vendimet, fjalimet, ndërsa Marigos, nji gruaje të shkollueme, intelektualeje, organizatoreje, publicisteje, poeteje e veprimtareje politike, ia kemi rezervue kryesisht kujtimin e nji gjilpane n’duer.

“Qëndistarja e flamurit”. Kaq.

Kështu mësohet për të në shkolla. Kështu e njohin fëmijët. Kështu e njohin të rinjtë. Kështu e njohin edhe shumica e atyne që, për ndonji interes studimor, s’janë marrë me figurën e saj.

E unë do të doja që, krahas flamurit që na la Marigoja, të trashëgonim edhe mendimin e saj. T’ia lexonim shkrimet, t’ia njihnim idetë, ta kuptonim konceptin e saj për gruen, lirinë e shoqninë shqiptare.

T’ia kthenim Marigos përmasën e plotë të personalitetit të saj.

Sepse ia kemi borxh asaj, por edhe vajzave tona, të cilat kanë të drejtë me e njoftë historinë e grave shqiptare edhe si histori të mendimit, të dijes, të guximit e të veprimit politik.

ObserverKult