Bislim Ahmetaj: Takim në plazh

bislim ahmetaj

Ai s’ishte as i vjetër as i ri, as fort i pashëm, por as i shëmtuar. Por këto nuk ishin aspak arsyet pse ai e tërhoqi vëmendjen time. Burri as i vjetër as i ri, as i pashëm as i shëmtuar kujdesej përkushtimisht për një bebe që ndoshta se kishte mbushur akoma vitin. E merrte në krahë, e hidhte deri në qiell me një dashuri dhe përkujdesje hyjnore. Pastaj e ulte në tokë dhe e caciste beben e cila prej ngjyrave të rrobave që mbante veshur dukej që ishte vajzë. Bebja shfaqej po aq e lumtur sa edhe burri që e gjuante në ajrin e freskët buzë detit dhe pastaj i ngjitej si babi kangur pas shpine për ta mësuar të voglën që të ecte.  Qeshnin dhe gugasnin me njëri-tjetrin aq harmonishëm sa në fillim mu duk që burri që s’ishte as i vjetër as i ri, as fort i pashëm, po as i shëmtuar mund të ishte edhe babai i bebes që shndriste në gjithçka.
Pak më tej ishte shtrirë një vajzë e re rreth të njëzetave ndoshta edhe njëzet e pesë që kridhej për shtatë palë qejfe në një shezlong luksi me perde të bardha që i çonte era herë në qiell e herë ja preknin shalët e lëmuara që i shndrisnin nga vajrat erëmirë.
Në gjuhën e re të turizmit këto lloj shezlongesh quhen “gazepa” dhe janë si oaze ku strehohen kunadhet e garipave. Peshqirët e shtrenjtë, kova e qeltë me akull ku ishte e  zhytur një shishe e vogël shampanje, biberoni me kukullat “pepa” dhe “barby” dhe një shishe uji më krijuan një trullosje aq sa ma hoqën mendjen nga loja e bebes me burrin as të vjetër as të ri,  as fort të pashëm dhe as të shëmtuar. Mendova se ishte një nga këta burrat e mutit që kishin lëshuar gratë e para dhe ishin martuar me dashnort që i kishin gjetur ose nëpër zyrat e shtetit ose nëpër pub-et e të premteve. Ku vajza provinciale të cilat prindërit i  çojnë në ndonjërin prej universiteteve të shtrenjta private dhe atje ato në vend që të shpërblejnë djersën e prindërve me dije gjuajnë biznesmenë të suksesshëm dhe ndërtojnë një jetë luksi të përkohshme. Me sy sa te bebja mahnitëse,  sa te vajza që kridhej në kënaqësinë e vet të diellit dhe të luksit, burri nisi të më neveritej. Aq sa edhe romani  i Nobelistit peruan  Marios Vargas Llosa  “Vajza e Prapë” që po e lexoja me një pasion të çmendur filloj të më ngjaj me një “fletë-rrufe” të kohës së revolucionit kulturor në vitet e rinisë tonë të pushkatuar.

Ndërsa kënaqësia e bebes “barby” ishte e pafundme edhe burri se fshihte atë kënaqësi në asnjë fraksion sekonde të lojës së tyre harmonike. Gjyshi të ka xhan, gjyshi të ka sy, gjyshi të ka jetë, gjyshi të ka shpirt, – këndonte burri që s’ishte as i vjetër, as i ri as fort i pashëm, por as i shëmtuar. Ndërsa vazhdonte dhe e hidhte beben sa në qiell sa në krahë dhe ajo kruspullosej si një kotele nga kënaqësia. Kjo këngë e burrit më kthjelloj nga ajo hamendje e ligë e modës së fundit që ka pushtuar vendin, nuk durova ju afrova.

– Ajo është mbesa juaj?

– Po – foli burri me gjithë zemër – është gëzimi dhe jeta ime. Kam një vajzë, e sheh atë atje, ajo më dha një mbesë dhe ça të them o vëlla.
Krejt mendimi i lig që kisha ndërtuar pak minuta më parë për atë “trini” mu fshi dhe ndjeva keqardhje për mendimet e mia të frikshme produkt i kohës së shthurur e të ligë që po  jetojmë.
Burri as i vjetër as i ri mu kthye me një breshëri fjalësh ndoshta si ta kishte kuptuar se çfarë kisha menduar për të vetëm pak sekonda më parë.

 -Po të ngatërrova me këta turistët e huaj o vëlla, të pash duke lexuar, po ne sikur njihemi more vëlla?
-Jo druaj që nuk njihemi aq më pak të jemi vëllezër – thumbova unë.
-Por jo mor vëlla këtë e kam si shprehje.
– Unë se preferoj atë fjalë,  mos më keqkupto se kam me ju, por ngaqë e përdorin disa sekte fetare pa qënë asgjë me njëri -tjetrin, unë edhe pse besoj në zot e bile fort s’jam ndonjëfarë praktikanti. Shkoj në teqe se jam bektashi, por njëlloj shkoj edhe në xhami edhe në kishë, por vellezër ama kam vetëm ata që më ka bërë nëna.
-Po qënke si unë o vëlla. Ça do pish- kamarier hajde pak këndej – i thirri një djali i cili më ishte prezantuar që ishte student dhe punonte verave në Sarandë për të ruajtur diçka që të mos i vriste prindërit financiarisht përgjatë vitit akademik. Djali erdh si era…
-Silli diçka për të pirë zotërisë.
 -Profesori, pi verë të bardhë- tha djali.
-Lere more verën e bardhë po silli diçka të shtrejtë.
-Profesori ka tre ditë që bën plazhin këtu dhe vetëm një apo dy gota verë të bardhë pi.
– Po e dija unë që të kam parë diku ty o profesor, sill një shishe nga më të shtrejntat. Fliste burri as i vjetër as i ri, as fort i pashëm por as i shëmtuar herë me mua herë më kamarierin student, veçse sytë si hiqtë nga mbeska e tij si luleshtrydhe.
– Më e shtrenjta është 250 mijë lekë të vjetra shef.
-Po sille o lamash, ça pyet për leka.
-Jo të lutem unë nuk e pranoj këtë verë, as nga njerëz që i njoh tash tre breza. Ndërkohë vera erdhi bashkë me shampanjeren. Në tabaka dy gota kristali shkëlqenin si dy koka palloi, të cilat dridheshin nga era dhe rrezet e diellit që po i afrohej detit në perëndim. Akoma pa i mbushur gotat urdhëroj kamarierin të na bëntë një foto me IPhonin e tij të shtrenjtë. Mua as që më pyeti fare për foton, as kamarierin se falenderoi për shërbimin e shpejtë dhe delikat e aq më pak për fotografinë.
– O sa bukur kemi dalë o profesor, e ka plazhi këtë të mirë të takon me njerëz të shquar.
– Këtu jemi të gjithë njëlloj vetëm ngjyrat e brekëve na bëjnë ndryshe, burra dhe gra lakuriq ja ktheva unë me humor,  megjithëse nuk më pyete e  vendosa. Do ta pi një gotë verë të shtrenjtë me një të panjohur vetëm nga lidhja hyjnore që paske me mbesën tëndë zotëri.
– O profesor po çfarë thua o burrë po unë e thashë ty të kam parë edhe në televizor, unë kam respekt për ty, po ma bërë mendjen uthull me atë librin dhe me rrobat e plazhit, po do ta thajmë këtë e të tjera, kam respekt, të keqën mos ma prish.
– Ku jeton, me çfarë merresh – pyeta unë pasi s’dija se ç’të flisja me të.
– Po ja i sheh ato dy gropat ku janë varuar ata vinçat atje në anë të detit, aty  po ndërtoj nja dy kasolle 12 katëshe, ndërsa këtu ku jemi kam blerë nja katër apartamente dhe këtë vit bleva  restorantin dhe plazhin ku jemi, vitin tjetër them ta mbyll fare por është një shkërdhatë që bënë sikur nuk do ti shesë disa apartamente. Po do ja dhjes letrat edhe atij.
– Po ti qënke bos – i thash dhe nisi të më thahej pshtuma.
-Po ça bos o profesor na mbytën këta bythqirat me taksa, po leri taksat  por me këto ryshfetet na thanë fare shkojnë sa dyfishi i taksave, të rrofsha taksat në Itali e Angli që thonë se janë të larta deri 35 %. Siç më kanë thënë se vetë s’kam bërë biznes asnjëherë jashtë. Po këtu te ne o vëlla shkojnë edhe 60%  e nganjëherë këta bythqirat kërkojnë të jenë ortakë me 50%  pasi t’i paguajmë ne edhe taksat, e për çfarë vetëm se kanë një bithë karrikje dhe një vulë në dorë.

Filloj të më tërheqë biseda për përbindëshat që na e kanë ba jetën vërem por  padyshim këtë tërheqje e shkaktoj edhe vera e shtrenjtë jo thjeshtë nga çmimi por se ajo ishte një “Gaja” e vertetë Barbaresco që ta sillte në gojë e deri thellë nëpër vena shijen e kodrave të buta të Langhe Piemontes.
-Çfarë fëmijësh të tjerë ke-guxova dhe e pyeta si për të përzier muahabet.
-S’kam fëmijë tjetër, unë profesor veç atij diellit në çadër dhe këtij yllit në krahë, plaka ime e hoqi mitren që pas lindjes së vajzës tonë dhe mbeti si një makinë pa motor.
Ndërsa mbesa e bukur si një yll deti ngjitej e shqitej në trupin e burrit të panjohur me të cilin isha takuar vetëm 20 minuta më parë.
-Po dhendrrin ku e ke?
-Është në burg në Hollandë muti, e zunë vjet me 100 kilogram të bardhë, do i dhjesë nja dhjetë vite të mira, po mirë t’i bëhet se vet ju kruajtë bitha, i pata thënë mos shti me top, po kujt t’i thuash mbush lazoja, s’mbush o jo.
Mua po më ndalej fryma, po më thahej edhe më pshtyma, mu rrotullue gota e kristaltë para syve dhe se zgjata, e derdha atë në shampanjerën e qelqtë me akull ku notonte shishja e verës që kisha para syve që po më erreshin. Ideja e parë se kush mutin ishte burri as i vjetër as i ri, as fort i pashëm por as i shëmtuar mu kthye prapë por tashmë e përforcuar deri në nervozizëm.
-Më falë, që në fillim pata dyshime për ty, por paskam gabuar vetëm në  shkallën e gabimit. Ika, ti ja kalofsh sa më mire, puna jote, punët tuaja, po unë s’mund të rri me ju. Atë fotografinë të lutem fshije, more vesh.
-Po pse more profesor unë kam respekt për ty të kam dëgjuar edhe në televizor, ti je parimor, po ç’mutin pate, ç’të gjeti. Ç’të bëra.
-Më vjen keq të lutem…
Mora çaklat e mia dhe pa ja dhanë dorën , pa e falenderuar, pa i kërkuar falje për mungesën e edukatës që tregova ndaj tij ika.
Duke i ngjitur shkallët dëgjoja pas krahëve të mi burrin as të vjetër as të ri, as fort të pashëm dhe as aq të shëmtuar që i fliste kamarierit student  t’i  thoshte…
-E kam dëgjuar njëmijë herë që profesorat janë koqe, po ky qënka fare, koqe me patent ndërkombëtare, pika, jo more të keqën e politikaneve sado që na rrjepin, po të paktën ata na rrinë sus, si pula o vëlla, Ne po të duam politikanët i qimë edhe në bithë, vetëm me lekat dhe me votat s’bëjnë shaka, po ama të ta dhjesin kështu muhabetin as që bëhët fjalë. Pika.
-Të ka gjyshi xhan, të ka gjyshi shpirt, të ka gjyshi nuse, të ka gjyshi yll-vazhdoj këngën me të mbesën burri as i vjetër as i ri, as fort i pashëm as aq i shëmtuar. Ndërsa unë isha ngjitur në rrugë dhe kisha vendosur të ndërroj vendin e plazhit për ditët që më kishin mbetur.

Sarandë Gusht 2019

ObserverKult