Fatos Arapi: Promethejtë e Tiranës

Të këndshëm promethejtë, të lezetshëm,-
gjysmëperëndira mbërrthyer ndër karrige,
ndër kolltuqe të zyrave, të veturave,-
mbërthyer gjysmëperënditë.

Ararati?- Gjëkundi…Gjëkundi shkëmbëguriçkë!
Ata me gisht të tregojnë Zeusin, Efestin.
T‘i shohësh promethejtë kur venë e vinë Tiranës:
madhështorë në vuajtje,
në heqje-sublimë.

Vetëm për ty vdesin në gjithë shekujt e shkuar,
në gjithë të ardhshmit, vetëm për mua lindin!
Popullorët,
të sfiliturit,- tej xhamave të veturave,
zhgabonjës i tregojnë mëlçitë.
Janë me të vërtetë të lezetshëm promethenjtë,
nga zjarret që u grabitën qiejve,
s ‘të japin asnjë kongjill.