Gazetari Dash Kaloçi rrëfen bisedat me poetin bohem, që jetoi e vdiq i vetmuar
Nga: Fatmira Nikolli
Tregojnë për një burrë që endej e sillej nëpër Tiranë, sa në një kafe në tjetrën, me një gotë përpara e një laps në dorë, që ulej e shkruante vargje pa drojë. Tregojnë për një burrë që i donte gratë, i admironte gratë, i joshte gratë dhe fliste për gratë e shkruante për gratë dhe u përulej grave. Tregojnë për një burrë bohem, të pazakontë, të çiltër, të qeshur, hokatar. Tregojnë për një burrë që dinte të ishte dashnor e i dashur i zemrës, që nuk njihte kufij as në jetë, as në poezi. Një burrë si ai, borgjezi i pandreqshëm, sfidanti tragjik, që i përqeshte të gjithë e i donte të tërë, që regjimi e la në burgje e vëllezërit pa shtëpi, që i shkoi kohët e lirisë ‘duke qarë vitet e humbura’ e duke shkruar për çfarë nuk i pati. Ai burrë romanësh e filmash, që duket se është nxjerrë forcërisht prej tyre për ta plasur në një Tiranë pa ngjyrë, pa jetë, pa dritë, pa ëndrra, me frikë, me presion, me pushtete, me dënime, me korrupsion e kontrabandë, ai burrë që kurrë nuk u mposht, as nuk u josh nga pushtetet e lëbyrjet, ai burrë qe mes nesh, e iku në heshtje, por la gjurmët e pashlyeshme. Kam dëgjuar rrëfenja për të, kam lexuar vargjet e tij, të lira e të pacensuruara, ku gruaja është e zhveshur e burri po ashtu, kur erotika vallëzon dukshëm e joshja mbi të, kur seksi nuk është tabu, as puthja gjithashtu. E të gjitha shkojnë më mirë me një gotë të rrëkëllyer e një plot para, në një bar pa njerëz e me një muzikë të trishtë që gërvëllin prej një radioje druri. Prej atyre kohëve është edhe një rrëfim i Dash Kaloçit, që sjell një portret të njohur me detaje të panjohura, një poezi erotike e një rrëfim për një revistë pornografike.
RRËFIMI I DASH KALOÇIT
“Pano Taçin e kam njohur dhe takuar për herë të parë nga viti 1993 te kafja e Lidhjes së Shkrimtarëve, por miqësinë me të e kam krijuar pas vitit 1995, kur frekuentonim kafe ‘Bar West’ të Fidel Yllit te Parku Rinia. Kjo pasi ata që vinin për të më takuar mua (ish-të burgosur politikë), kur ndaheshin nga unë shkonin dhe i jepnin dorën edhe Panos në shenjë respekti si bashkëvuajtës. Nga kjo gjë, për shumë kohë, Pano rrinte me mendimin se edhe unë kisha qenë i burgosur politik”, – kujton Dashi, asokohe gazetar në “Gazeta Shqiptare”. “Madje, njëherë kur ne ishim edhe me dy ish-të burgosur politikë në tavolinë, ata harronin emrat e policëve apo komandantëve të burgjeve dhe ua kujtoja unë, pasi i dija nga shkrimet që bëja për ta. Në një moment, Pano tha; ‘Ore, po si nuk të mbaj mend unë ty në burg, kam qenë në disa kampe e burgje’. Dy bashkëvuajtësit e tij qeshën me lot dhe i shpjeguan se unë nuk kisha qenë kurrë në burg, madje vija nga familje komuniste. Që nga ajo ditë Pano sikur më respektonte më shumë. Diku nga viti 1999, unë i bëra një shkrim dy faqe dossier te ‘Gazeta Shqiptare’, historinë e jetës së tij, dhe u gëzua shumë kur pa shkrimin të botuar, pasi deri në atë kohë nuk kishte shkruar kush për të. Pano kalonte orë të tëra nga paraditja në darkë vonë te ai lokal, pasi nuk kishte një shtëpi të vetën dhe dikush i kishte ofruar një kthinë ku ai fuste kokën. Nisur edhe nga ky fakt, Pano rrinte gjithë kohën te Kafja e Fidelit, duke qëndruar vetëm, dhe nuk i afrohej kush në tavolinë. Ai shkruante gjithë kohën poezi, duke thithur llullën që s’e fikte kurrë dhe përhumbej në mendime duke shkruar poezi. Atë rehati dhe qetësi olimpike s’guxonte t’ia prishte njeri dhe ai çohej në këmbë vetëm kur i vinte për ta takuar Xhevoja, siç e thërriste ai Xhevahir Spahiun, të cilin e kishte mik të ngushtë dhe të dy krenoheshin me njëri-tjetrin”, – tregon Dash Kaloçi. Ai pati fatin të krijojë një farë miqësie me Xha Panon, siç e thërriste Tos Baxhaku, dhe të dy ata (Tosin dhe Dashin) Pano i thërriste rrallë ndonjëherë në tavolinë, për t’u lexuar ndonjë poezi që sapo kishte mbaruar dhe që i pëlqente shumë. Kështu ndodhi edhe me poezinë ‘Vdekja e qejfliut’.
Dash Kaloçi kujton se Pano e thirri ende pa e mbaruar, duke i lexuar strofat e para, dhe gjatë kohës që ai shkruante, Dashi mundohej të vizatonte një portret të tijin. “Kur e mbaroi poezinë dhe gëzohej si fëmijë ngaqë e pëlqeu shumë, ma dha mua duke më thënë: ‘Mbaje dhe ma boto ditën e vdekjes sime’. Dashi rrëfen se e mori dhe duke qeshur e falënderoi dhe i tha: “Pano, nuk e di a do të ta plotësoj dot amanetin, pasi ti nuk do vdesësh kurrë….’”.
Me nxitimin e një gazetari që vraponte në kohën kur nuk kishte telefona dhe e-mail në kuptimin që njohim sot, Dash Kaloçi do e merrte poezinë për ta futur diku nëpër letrat e tij të pafundme. E gjitha kjo pothuaj i kishte dalë nga mendja derisa e gjeti dikur mes letrave, shënimeve e dosjeve, disa vjet pasi Pano kishte ndërruar jetë.
Ka një farë droje e vraje ndërgjegjeje për atë premtim të pambajtur para një burri që jetoi e vdiq i vetëm në mes skamjes e dhimbjes, por i pasur me vargjet e tij. “Jo vetëm që nuk ia mbajta amanetin për t’ia botuar atë ditën e vdekjes së tij, por as në varrimin e tij nuk munda të shkoja dot (ndodhesha me xhirime jashtë Tiranës), edhe pse miqësia jonë vazhdoi derisa ai ishte gjallë”, – kujton Kaloçi.
Megjithatë, Kaloçi e ka ende të freskët një dhuratë atipike që ai me Tos Baxhakun i bënë, si dy rioshë çapkënë. “Disa kohë pas asaj poezie, na u lut mua dhe Tos Baxhakut t’i gjenim një revistë porno dhe ne i gjetëm disa fletë, e kur ia dhamë, u gëzua sikur gjeti një të dashur. Kur pinim ndonjë gotë konjak dhe ishim vetëm ne të tre në tavolinë, unë e ngacmoja duke i thënë: ‘Pano, se mos e ke humbur atë revistën?’. Ai qeshte dhe thoshte: ‘Bahhh, si ta humb atë, me kënaqësi….’. Nuk di nëse Pano e rishkroi më atë poezi, pasi ma dha mua, por unë ruaj origjinalin në dorëshkrim, si një kujtim nga një mik i rrallë dhe një poet i jashtëzakonshëm, madje unik në llojin e tij, që pati një jetë plot andralla e peripeci derisa mbylli sytë. Unë ruaj dhe disa libra të tij me poezi që m’i ka dhënë me dedikim, ku në një prej tyre ka poezinë me titull ‘Kur isha i varrosur’, ku thuhet; ‘Kur isha i varrosur/ teksa pija ujë në burimin e shterur/ në sytë e gjarprit kam parë/ Korbin që tërhiqte zvarrë/ një kafkë që plumbi e kishte çarë’”.
HISTORIA E NJË FOTOGRAFIE
“Fotoja ku Pano është në mes dy shokëve të tij (me kostum të zi dhe me kollare) i përket periudhës së internimit të tij në fshatin Savër të Lushnjës, pas burgut të parë diku nga viti 1959. Pano, si për ta sfiduar atë regjim komunist që nuk e deshi kurrë, shkonte në punë me kostum e kollare, duke hapur kanale me lopatë apo duke prashitur. Dhe si për ironi të fatit, pas shembjes së regjimit komunist, po në shenjë proteste (për mosmarrjen e dëmshpërblimit), ai vishej jo mirë (madje si te personazhet e filmit “Të mjerët”), vishej edhe me zhele. Atë foto Pano ma dha për shkrimin që i bëra dhe nuk ma kërkoi më, duke më thënë ta mbaja se ndoshta do më duhej një ditë.
Vdekja e qejfiut
Lëngon e heq tri ditë qejfliu
i ngrirë kokë e këmbë
me një sy hapur rri kobziu
dhe shpirtin nëpër dhëmbë
E shpirti s’del e syu s’mbyllet
e buza xheç i thotë
ja di gruaja trillet burrit
se ç’do për n’atë botë
Kështu më ke; sa vdekur-gjallë
e kam një mall çapraz
t’i prek njëherë të bardhat shalë
e shpirtin e jap me gaz
Dhe gruaja çka si mullenjë
ja la ta prek me gisht
Burrit mes shalësh ju ngrit një rrënjë
e shpirt dha burrërisht.
Gazetashqiptare.al