Rudolf Marku: Përparësitë pas çmimit dhe një përgjigje për letërsinë para ’90-ës

I shpallur i pari “poet laureat” i Shqipërisë nga Qendra Kombëtare e Librit, Rudolf Marku rrëfen në një intervistë për “News24” e “BalkanWeb”, emocionet dhe përparësitë e tij.

“Është përgjegjësi e madhe e festë e poezisë. Dua të botoj një antologji me 185 poezi, një për çdo ditë shkollë dhe me pas një antologji me poezitë me të mira shqip, që nuk janë doemos poetët e mëdhenj por poezitë më të mira”, tha ai.

Ai i përgjigjet kureshtjes se si do ia dalë të promovojë poezinë shqipe në dy vite, ndërsa jeton në Londër.

“Largësia me Londrën nuk është më shumë se 2 orë e 10 minuta. Tashmë distancat nuk janë aq të largëta. Unë kaloj një pjesë të madhe kohë në Tiranë dhe duhet t’u sjell një shembull. Konica, nuk ka jetuar më shumë se gjashtë muaj në Shqipëri, por është një prej njohësve më të mirë të saj. Po ashtu edhe Noli”.

Ndërsa gjithë procesi i përzgjedhjes së “Poetit Lureat” është shoqëruar me një debat të nxitur nga Lisandri Kola për letërsinë e para ‘90-ës, Marku, jep për herë të parë një përgjigje, ndërsa përmend shembuj si Neruda a Shekspiri për arsye të ndryshme.

“Parcelizimet e poezisë janë koncept kooperativist. Nuk ka poezi në dy kohë, ka vetëm poezi. Ka që thonë se keni shkruar para 90-ës e keni shkruar për partinë apo ka pasur censurë. E vërteta është që ka pasur censurë.
Po pse kapen vetëm poezitë për partinë e jo të mirat? Kjo nuk flet për shqetësime letrare po për ligësi”, tha ai duke vënë theksin se poetët gjykohen nga vepra e tyre më e mirë.
Të lexuarit e njëri-tjetrit si Tolstoi që lexonte e çmonte kolegët, të shkruarit e kahershëm nën presion si Shekspiri që shkroi Makbethin me mbretin mbi ‘krye’, dhe nevoja për të marrë më të mirën, qoftë dhe prej kohëve të vështira, janë për Markun, boshti që ndjek në qasjet letrare e ndërnjerëzore./BW