Kisha e Pllanës e pozicionuar mbi kodrinën mes Lezhës e Milotit, përkundruall Urës së Zogut, ruan të strukur me praninë e saj, një dëshmi të hershme kulture që mbërrin deri në shekullin e XIII. Një ndërhyrje e fundit, rikthen vëmendjen drejt objektit që më shumë se religjion dëshmon trashëgimi.
Dom Nike Ukgjini, meshtari që po kujdeset për restaurimin e saj, thotë se kisha i është e kushtuar martires Shën Barbara.
Ai, vëren se dëshmitë për kishën janë të hershme.
“Format e emrit dalin te ndryshme në dokumente” thotë ai.
E shpallur monument kulture më 1973, ajo mundi t’i shpëtonte kazmës së ateizmit komunist, por humbi vëmendjen e kujdesin. Pamja e saj e sotme, ka humbur shumë prej shkëlqimit të kahershëm por ende ruan gjurmë të së shkuarës.
“Fillimet duhet të jenë të shek XII, ka qenë më e madhe. Mark Skura më 1640 thotë se ka qenë si katedrale” vëren Dom Nika.
Por sa mund të justifikohet prania e një kishe të madhe në një zonë si Pllana, në shekujt e mesjetës? Ndërsa historianet rreken te gjejnë kufijtë e principatës së Arbrit e dioqezës së Arbrit, hapesirat e objekteve të kultit flasin edhe për numrin e popullsisë .
Dom Nikë Ukgjini thotë se “ka pasur më shumë se 600 besimtarë. Kisha u dëmtua nga tërmeti dhe nga ushtarët turq”.
Përtej predikimit fetar, gjuhëtarja Ledi Shamku Shkreli e ka përmendur disa herë këtë kishë, si një prej shkollave më të vjetra shqipe, çka i shton rëndësinë objektit.
“Në dokumente del se ka qenë shkollë me 1638. Mësohej shkrim e lexim shqip” tregon Dom Nikë Ukgjini.
Në relacionin e ipeshkvit Nikolle Vlladanji më 1694 flitet për dy altarë, ai i shen Barbarës dhe i Zojës Rruzare. Sot ruhet vetëm një prej tyre, me vizatime të thjeshta dekorative me motive biblike, krejt të vona në kohë.
“Altari u pikturua më 1941 nga ushtarët italiane” thotë Dom Nika ndërsa pranë altarit, ruhen ende format e një kripte që sipas meshtarit janë varre të ipeshkvijve.
Aktualisht restaurimi i kishës është drejt fundit, me projekt te Ministrisë se Kulturës dhe donacione të kishës dhe donatoreve privatë.
“Çatia e dëmtuar , kisha pikonte kudo”.
Ndryshe prej shumë kishave me arkitekturë krejt të thjeshtë ne fshatra, kisha e Pllanës, ruan një kthinë te dedikuar për korin, ose për të shtruar numrin e besimtarëve .
Shumëçka prej muraleve është zbehur, por një sforco e madhe bëhet per ta ruajtur.
“Shën Mëhilli dhe Shën Gjergji kanë simbolika të forta fetare”.
E mira dhe e keqja e botës njerëzore vihen përballë, ndërsa ngrehina unike, dëshmon një historia të shkuar mes dijes e religjionit në fshatin buzë rrugë.