Ëmbla e dinjitetit dhe iluminimit njerëzor

bardhyl zaimi - lëshoje veten

Ëmbla është si ne. Gjithë ne përnjësohemi me të, sepse gjithë ne jemi qenie njerëzore ndryshmërish, por me esencën e përbashkët të dinjitetit njerëzor. Ky rast duhet të na vendosë përballë dialogut të pandërprerë shoqëror për të promovuar mosdiskriminimin, por edhe për të zbatuar konceptin e shkollës gjithëpërfshirëse si rrugë e vetme që shpie drejt vlerave të përbashkëta, drejt latimit të qenies sonë me vlera supreme njerëzore, përtej stigmatizimit, përjashtimit dhe formave tjera të diskriminimit. Ky rast duhet të na vendosë përpara një iluminimi shoqëror dhe institucional.

Shkruan: Bardhyl Zaimi

Nganjëherë një rast i vetëm mund të na përballë me krizën e madhe të vlerave, të percpetimeve dhe të “standardeve” që i kemi vendosur si shoqëri. Gjithsesi në këtë rast nuk mund të anashkalohen edhe institucionet, të cilat strukturojnë, promovojnë dhe zbatojnë politika të caktauara dhe bashkë me këtë rregullojnë problematika të caktuara.

Rasti i nxënëses Ëmbla Ademi nga Gostivari, na vendsoë përpara një debati të gjerë të politikave arsimore, por edhe të perceptimit shoqëror që kemi për fëmijët me aftësi ndryshe. Mbase rasti i Ëmblës së vogël është vetëm maja e Ajzbergut, e gjithë një problematike që shfaqet në sistemin arsimor me fëmijët me aftësi ndryshe, të cilët, siç është dëshmuar edhe në raste tjera, vuajnë padrejtësisht mungesën e politikave të mirëmenduara për fëmijët me aftësi ndryshe në nivel institucional, por edhe të mungesës së debatit dhe një emanicipi kulturor dhe qytetërues për të pranuar atë që është e ndryshme nga ne, por që është në esencë është e ngjashme dhe thellësisht njerëzore.

Rasti i vogëlushes Ëmbla na vendos përpara sprovës së madhe për të hapur debatin për të drejtat e fëmijëve, për të drejtat e fëmijëve me aftësi ndryshe, të cilat garantohen me Konventën  për të Drejtat e fëmijëve dhe me Konventën për të Drejtat e Fëmijëve me Aftësi të Kufizuara dhe të cilat i ka ratifikuar edhe Maqedonia e Veriut.

Padiskutim, që pavarësisht nënshkrimit të këtyre dokumenteve që nënkuptojnë mosdiskrimin dhe zhvillim dhe mundësi të barabarta për çdo fëmijë, në realitet gjërat komplikohen për shkak të mungesës së implementimit, por edhe për shkak të një indifference shoqërore, e cila pamundëson që në mënyrë të përhershme të diskutohet për problemet e caktuara, siç është tashmë rasti edhe me fëmijët me aftësi ndryshe.

Kjo mungesë debati përveç që zvarrit zbatimin e të drejtave të garantuara, lë hapësirë edhe për shfaqjen e stigmatizimeve të ndryshme mbi baza të ndryshme. Konventat determinojnë ligje, por edhe programe të veçanta, procedime konkrete, interaksione të shumta në drejtim të afirmimit të barazisë për të gjithë, ide kjo që buron nga Karta e Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut.

Pikërisht mbi këto të drejta dhe vlera universale ngritet gjithë suaza e dinjitetit, njerëzor, e qenies së papërsëritshme njerëzore, që gëzon të drejtën e plotë për jetë dhe për liri. Pikërisht nga kjo suazë universale buron ideja e mosdiskriminimit, që mbetet një ndër vlerat themelore të jetës njerëzore. Në këtë suazë universale të drejtash strukturohen edhe të drejtat e fëmijëve dhe të drejtat e fëmijëve me aftësi ndryshe.

Por, reazilimi i këtyre të drejtave shpeshherë kërkon angazhime të jashtëzakonshme, por edhe transponime të thella institucionale dhe të mendësisë, që në fakt nënkupton transponim të sistemit arsimor, por edhe të vetëdijes së njerëzve mbi gjithë atë që përfaqëson ndryshmëri dhe dinjitet njerëzore. Në këtë sens është koncepti i arsimimit gjithëpërfshirës, që promovon barazi, mosdikrimin dhe mundësi të barbarta për të gjithë nxnësit. Ky koncept për më tepër promovon interkasionin mes mësimdhënësve, prinërve dhe përgjithësisht komunitetit shkollor.

Në vazhdën e këtij koncepti mbetet imperative që të bëhen të gjitha transponimet e nevojshme për të pasur shkollë gjithëpërfshirëse, shkollë që shmang pabarazitë, stigmatizimin dhe format tjera të diskriminimit. Ky koncept mundëson pjesëmarrje dhe krijim të politikave të përbashkëta shkollore që shkojnë në drejtim të zbatimit të praktikave më të mira të inkluzionit për të gjithë nxënësit.

Siç mësohet, tashmë për rastin e Ëmblës ka reaguar Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe ajo është rikthyer në mesin e nxënësve tjerë. Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri përmes rrjeteve sociale ka njoftuar se Ëmbla prej sot tashmë vijon mësimin në mesin e nxënësve tjerë.

“Por, për kënaqësinë time personale dhe akoma më shumë për kënaqësinë e familjarëve të saj dhe mbi të gjitha për kënaqësinë e saj, sot ajo është sërish mes shokëve të klasës dhe jashtëzakonisht e lumtur që vazhdon të marrë njohuri të reja, të përparojë dhe të krijojë miqësi me bashkëmoshatarët e saj. Lumturia në sytë e Ëmblës është lumturia jonë e përbashkët. Fitore e shoqërisë dhe vlerave të vërteta njerëzore. Uroj që situata të tilla të mos ndodhin më. Prandaj, ne duhet të vazhdojmë të kontribuojmë në ndërgjegjësimin ndaj fëmijëve me aftësi të kufizuara”, ka theksuar Shaqiri.

Ëmbla është si ne. Gjithë ne përnjësohemi me të, sepse gjithë ne jemi qenie njerëzore me ndryshmëri, por me esencën e përbashkët të dinjitetit njerëzor. Ky rast duhet të na vendosë përballë dialogut të pandërprerë shoqëror për të promovuar mosdiskriminimin, por edhe për të zbatuar konceptin e shkollës gjithëpërfshirëse si rrugë të vetme që shpie drejt vlerave të përbashkëta, drejt latimit të qenies sonë me vlera supreme njerëzore, përtej stigmatizimit, përjashtimit dhe formave tjera të diskriminimit. Ky rast duhet të na vendosë përpara një iluminimi shoqëror dhe institucional.

ObserverKult


Lexo edhe:


BARDHYL ZAIMI: NË KTHETRAT E KIÇIT