Panairi i Librit këtë nëntor erdhi online për lexuesit, të cilët e kanë mirëpritur si një mënyrë alternative për të mos humbur lidhjen me botimet në kushtet e vështira të distancimit social që ka sjellë pandemia.
Arlinda Duda, përfaqësuese e shtëpisë botuese “Dudaj” tregoi për ATSH-në vështirësitë e shumta me të cilat u përball gjatë përgatitjeve dhe zhvillimit të panairit online.
“Na duhet ta pranojmë, sepse ishte panair i bërë nga halli, pasi këto ishin kushtet dhe se nuk ishte e mundur që të bëhej një panair fizik kur numrat e të infektuarve rriten. U mendua që të ndërtohej një platformë e cila u duk se funksionoi në fillim dhe për hir së vërtetës unë nuk është se pata ndonjë pritshmëri të madhe nga ky panair”, u shpreh ajo.
Sipas Dudajt, fenomeni u ndje thuajse nga të gjithë botuesit të cilët morën pjesë në këtë panair. “Në platformën e ndërtuar ka pasur një numër të kufizuar të personave të cilët e kanë vizituar, dhe edhe më të paktë kanë qenë ata që kanë blerë libra nëpërmjet saj”, u shpreh Dudaj.
“Blerësit dhe personat që interesohen për librin kanë patjetër nevojë që të jenë fizikisht aty. Ky fenomen nuk është vetëm shqiptar, pasi edhe panaire ndërkombëtare nuk kanë arritur nivelet që priteshin”, theksoi ajo.
Dudaj sjell shembullin e Frankfurtit apo në Londër ku askush nuk thotë që panairi i tyre funksionoi, sepse edhe ata kanë pasur të njëjtat probleme. “Sot për të gjithë ekziston vetëm shprehja që të jemi mirë me shëndet. Jemi duke pritur që kjo situatë të kalojë dhe të rifillojmë si më parë”, u shpreh ajo.
Në këtë panair, shtëpia botuese “Dudaj” ndër të tjera propozoi edhe disa tituj të rinj si, “Fate dhe Shtrëngata” nga Loren Grof e cila është një autore që duhet patjetër të lexohet për shumë arsye.
Libri i Nikolas Sarkozi është një tjetër libër që tregon sesi shumë gjëra ndryshojnë.
Libri nga Barbara Stonk me titullin “Vinsent” i cili është me ilustrime dhe mund të lexohet nga të gjitha moshat, sjell një biografi të piktorit.
Anier No është një autore franceze që vjen për herë të parë në shqip me titullin “Pasion i thjeshtë”.
Dudaj shprehet se edhe shtëpia e saj botuese ka ndërtuar faqen e vet të internetit ku jepen informacione të detajuara për librat që do të botojnë, si një formë përshtatje për sa i përket kushteve që dikton pandemia./ATSH