“Fluturimi mbi Teatrin e Kosovës” me pyetje fundamentale në Qipro

Kush ka para sot? Politikanët, biznesmenët dhe gangsterët, pason përgjigjja.

Gjashtë aktorë qipriotë kanë bërë të fundit prova për të inskenuar një dramë nga Kosova. Varsia Adamou, Yiannis Ioannou, Andreas Nicolaides, Miranda Nychidou, Athina Savva dhe Konstantinos Tsiolis gjithë entuziazëm kanë përveshur llërat për të inskenuar të parën dramë nga Kosova.

Mbrëmjen e së mërkurës, shfaqja me tekst dramaturgjik të Jeton Nezirajt “Fluturimi mbi Teatrin e Kosovës” ka pasur parapremierën në “Gimnasio Athienou” në fshatin Athieno të rrethit Larnaka në Qipro.

Në njoftimin e afishuar në faqen e teatrit “Tsepis” është thënë se ky teatër, nëpërmjet dramës së Nezirajt, ngre pyetje mbi dinjitetin njerëzor dhe politikën.

“Artistëve të Teatrit Kombëtar në Kosovë u është kërkuar nga Qeveria të përgatisin një dramë ceremoniale që do të premierohej në ditën historike të Pavarësisë Kosovës. Urdhri i vë artistët ballazi me kufizimet e tyre: ku është vija mes jetës personale, statusit artistik dhe identitetit kombëtar?”, thuhet në përshkrimin që ka shoqëruar njoftimin për parapremierën e dhënë të mërkurën.

Në një kohë kur qesharakja ka hyrë në skenën politike të botës, “performanca e re në teatrin Tsepis vjen me këtë satirë politike, e cila stilizon kushtet e formimit të shtetit të ri të Kosovës, për të ngritur pyetje fundamentale mbi shoqëritë moderne demokratike”.

“Jeton Neziraj, ‘Kafka i Ballkanit’, siç është përshkruar nga kritikët gjermanë, ka lindur në Kosovë më 1977. Ai ishte drejtor artistik i Teatrit Kombëtar të Kosovës. Ka shkruar më shumë se 20 drama që janë inskenuar në më shumë se 50 produksione në skenën e Kosovës, në Evropë dhe Amerikë. Për punën e tij ai është nderuar me shumë çmime kombëtare dhe ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin e teatrit qipriot.

Me biletë prej 10 eurosh, sikundër është njoftuar në disa faqe teatrosh qipriote, shfaqja “Flight 1702 08 Kosovo”, sikundër është quajtur drama e Nezirajt, do të ketë premierën e saj të premten në “Egomio Cultural Centre”.

Me regji të Marios Theocharous, kostumografi të Thelma Kasoulidou, ndriçim të Vasilis Petinaris dhe muzikë të Dimitris Spyrou, kjo shfaqje do të ketë edhe tri repriza të tjera deri më 26 tetor.

Në një prononcim për Kohën, dramaturgu Jeton Neziraj ka thënë se drejtuesit e teatrit qipriot kanë vlerësuar se përmbajtja e dramës korrespondon edhe me realitetet në ishullin e Qipros.