Nuk dua më të shkruaj fjalën “ngushëllime”

arlind farizi
Arlind Farizi

Nga Arlind Farizi

Një vizë e gjatë ______ ku mund të shkruhet emri i secilit, tutje fjala më e padëshiruar e leksikut “ngushëllime”.
Ma ngushton zemrën kjo fjalë. Mbi atë vizë boshe po renditen çdoditshëm emra, mbiemra, fotografi të buzëqeshjes së fundit së gjalli.

Më poshtë vazhdojnë fjalët ngushëlluese. Sa shumë ngushëllime. Sa shumë, sa shumë. Dhimbja për të humburit shëtit etërit me shpejtësi vi-ffi-je.
Kam frikë të bej refresh shtëpinë kaltëroshe, dhe është e pamundur të mos shoh fotografi me shirita të zi, miq e njerëz të dashur që deri dje i shihja rrugës.

Kolerë e keqe ky virus Markezi im i dashur. Murtajë e keqe ky virus i frikshmi Alber Kamy. Virus i pistë ky virus.
Ku je fshehur o ligji i keq mjekësor?
Mëshirë njerëzorë ku je strukur, a thua vetëm në libra, klith anash Izet Sarajliqi.

Marr pakëz fuqi hua nga vetja dhe provoj që të ngrihem nga shtrati. Dita me nis dhe sot me lajme gri, lajme vdekjesh, data dhe orare varrimesh. Vishem pa ndonjë shije, pa kombinimesh ngjyrash, siç bëja dikur dhe nisem për në vendin e shenjtë të punës. Rrugës nga fshati deri në qytet shoh veturën e ndihmës së shpejt e cila ecë shumë shpejt, shumë shpejt, aq sa zëri i sirenës së saj më futej deri në shpirt. Nuk vozisja më shumë se 50km/h. Nuk më shkonte këmba të shtypja atë dreq pedalle shpejtësie.

Teksa vozisja si breshkë rrugës, natyra për një moment sikur mori pamje sepia, as bardhë as zi. Pa klorofilin e jetës. Po zverdhej gjithçka.
Dita e sotme, mu duk si e qelqtë, e ftohtë, pahitur me ngjyrëza lulesh në tonalitet të së verdhës. Nga dritarja e veturës shihja se si po thyhej kristali i ditës dhe derdhej e verdha e saj rendshëm anembanë hapësirës.

Është vjeshtë thashë.
Kështu duhet vjeshta.
Ke parasysh fotografinë e Dritan Abdiut, fotografistit tonë të universitetit. Ai njeh natyrën, ai njeh gjethet. Është vetëm një zverdhje gjethesh që hedh rrjetën e trishtë drejt oqeaneve të sytë të tij.

Qetësohu i thoja vetes.
Është vetëm një pëlhurë e madhe sepia që ka rra mbi ne. Është vetëm një ombrelle vigane vjeshte. Kjo rrugë a është e verdhë vetëm ditën, po natën, nata është si fotografia e Arbnorës… Jo, jo, kjo nuk është trishtim.
Uroj dhe lutëm të mos jetë trishtim…
I thirr në ndihmë gjithë poetët e botës, të gjallë e të vdekur, flijojë më to gjithë metaforat në këmbim të shëndetit për të prekurit nga ky virus piciruk.

Mbërrij në vend e shenjtë të punës. Ku me pret kafeja e mesme e Durim Memetit dhe buzëqeshja tipike e Lonit.
Fjala e parë, kryefjala e kallëzuesi i bisedës, “kishte vdekur, filan mësuesi, djali, vajza, gruaja, arkitekti, hoxha i ri,.. Kafen e përtyp si një lëmsh. Dhe kafja me merr ngjyrën e vjeshtës.

Hap facebook-un. Instikti tashmë i mësuar keq, klikoi të ministria e Shëndetësisë. Po lexoja shifra të infektuarish qe kalojnë pritshmërinë e secilit mjek, numri i të vdekurve në rritje.
Në stepjen time të çastit e cila ma humb qetësinë gjakut provoj të ngrihem madje pa mbaruar kafen. Hyj në zyrën 347. Kjo zyrë nuk është zyrë e zakonshme. Mureve i kam gjithë poetët e dashur. I përshëndes ato me një dorë. Dhe ata ma kthejnë në formën e tyre. Të padukshme.

Ndez kompjuterin për tu lidhur në ligjëratën e radhës. Studentët me prisnin në anën tjetër ndërsa unë po lexoj fjalinë e parë të romanit “Dervshi dhe Vdekja” të autorit Mesa Selimoviq. BISLMILAH! Studentët u harlisën për një moment.
Po studentët të dashur, me BISMILAH fillon jo vepër, ky roman. Fjalët me rridhni rrëke, isha i mbushur, por flisja, për jetën për vdekjen, për letërsinë për filozofinë, për dervishin, për lojën e Refet Abazit, për teatrin, për vdekjen…

Ahmedi nuk ka faj, Ahmedi nuk ka faj, apo Sabedin. Ai do një përgjigje. Një përgjigje nga kadiu, nga drejtësia, nga Zoti. Isha përhumbur. Por di që hapja e derës së zyrës më ndërpreu ligjërimin.
E mbarova ligjëratën me fjalët se do kalojë kjo situatë, se ne do kthehemi sërish auditorëve të fakultetit, se do pimë kafe bashkë, se maskat do i heqim dhe atë më lëkurëfytyreje, se do të mbijetojmë…

Mbyll derën e zyrës 347 po sytë nuk ia ndava portretit të Kadaresë. E kapa, më tha: se Italian qe GJENERALI I USHTRISË VDEKUR, se LULET JANË TË FTOHTA NË MARS, se na pret një PRILL I THYER, do ketë dhe AKSIDENT, mos prit ogure të mira nga DARKA E GABUAR, do e kalosh lehtë DIMRIN E VETMISË SË MADHE, mbaje mend, për momentin KRUSHQIT JANË NGRIRË, PASHALLARËT E KUQ nuk kanë zgjedhur kurrë asnjë çështje, nuk do zgjedhin as këtë sot, ëndrrën për vaksinën e flitojnë ende në PALLATIN E ËNDRRAVE.

Ligji mjekësor një KAMARE E TURPIT. Sa VIT I MBARPSHTË 2020-ta. Një ditë MJEGULLAT E TIRANËS do hiqen. Do e kalojmë URËN ME TRI HARQE e në DITË KAFENESHË do kthehet shpresa, në QYTETIN PA REKLAMA. Një ditë, të cilën do e dëshirojë të jetë e nesërmja, unë dhe Ledrit im të rrokim MOTIVE ME DIELL. Ti je PASARDHËSI im. Një ditë ti do shkruash DOSJEN H. Ti djali im, ti KUSHËRIRI ËNGJUJVE. Derën e mbylla me çelës, si këtë tregim. Nuk dua më të shkruaj fjalën “ngushëllime”.

ObserverKult


Lexo edhe:

ARLIND FARIZI: AJO BANONTE NË FACEBOOK…