Marsel Lela: Nanlokja

Marsel Lela

Poezi nga Marsel Lela

Me furkën e vjetër
Nanlokja tjerr mendimet e mia
E me to bën një poezi
Për gjithë dimrin.

Kaq e thjeshtë duket jeta
Në ato duar të moçme,
Rrudhat në to ngjajnë me brazdat
Prej nga kanë mbirë
Mijëra kallëza dashurie.

Kaq lehtë e marrin ato jetën,
Si poeti kur rrok penën
Hipur mbi karrocën e zjarrtë të frymëzimit.

Më ledhaton kryet
E shpinën ma mbulon
Me një erëmim ftojsh,
Mollësh e karafilash.

Ato duar mbruajnë bukën,
Ndezin zjarrin,
Shtrojnë sofrën
Dhe ujin sjellin prej kronit
Ato duar.

Nanlokja nuk i mëson çikat të bahen nuse zakoni,
Por gra të forta,
Me gërshet ta heqin zvarrë luanin e Nemeas
E shejtanin ta mshelin n’shishe.

Djemve u mëson të jenë burra
E të mos lidhen, veçse prej fjale.
Ta pinë rakinë pa u marrue,
E t’marrosen veç n’sy t’përhumbun dashnie.

Nanlokja nuk ankohet për ato që s’janë,
Por i gëzohet asaj që ka.
Nanlokja njeh gëzimin hyjnor
Të të dhënit pa pritur gjë në këmbim.
“Me dashtë asht’ me dhanë ku dhemb, t’pastë nana”.

Nanlokja jeton me psalme në buzë,
E me Krishtin në zemër,
E i falet nderit sa herë thyen një copë bukë,
A kthen nji hurb raki,
Me lajtmotivin e kahershëm,
“Kjoftë lëvdu Jezu Krishti”.

Nanlokja nuk i trembet t’nesërmes,
Për të ajo s’është “veç e tashmja
Ndrequn n’harrnat e t’kaluemes”.
Ajo jeton me lajtmotivin ungjillor
Se çdo dite i del e i tepron e zeza e vet.

Nanlokja e di se nën diell nuk ka kurrgja të re,
Por lufton të mos i jetojë të gjitha ditët njësoj.
I jep secilit çast ngjyrën e vet,
Si papuçeve që thur me një siguri profetike.

Nanlokja nuk e njeh Sokratin, Danten, Volterin,
Por njeh filozofinë e tokës ku hidhet fara,
“Ashtu asht’ edhe zemra e njeriut, bir,
Herë ferrishte, herë e ashpër, e herë bujare.
Plisi e fjala dëshmojnë për to,
Prandaj ruaje fort gjuhën, bir,
Se prej saj dalin thesaret e zemrës!”

ObserverKult


Lexo edhe:

MARSEL LELA: KU ËSHTË ATDHEU?