U nënshkrua Memorandum Bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Bibliotekës Kombëtare të Kosovës për përkrahjen e Projektit “Kujtesa e Kosovës: Rrëfimet e të mbijetuarve të masakrës së Krushës së Madhe”.
Projekti do të mbledhë, dokumentojë dhe do të vë në dispozicion rreth 300 intervista me rrëfime nga të mbijetuarit dhe dëshmitarët e kësaj masakre.
Qëllimi i këtij Memorandumi të Bashkëpunimit është mbështetja financiare për këtë projekt, i cili do të zbatohet gjatë periudhës 2020-2022.
Në hapje të ceremonisë së nënshkrimit të kësaj Marrëveshjeje, drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, z. Fazli Gajraku u shpreh se Biblioteka është institucion qenësor në Kosovën e sotme, detyra e së cilës është të pasurojë koleksionet me përmbajtje historike, ta arrijë qëllimin e saj për të dokumentuar historinë dhe kulturën e popullit të Kosovës.
Ai e cilësoi projektin “Kujtesa e Kosovës: Rrëfimet e të mbijetuarve të masakrës së Krushës së Madhe” si një pjesë thelbësore, të ndjeshme dhe të ngutshme të punës së Bibliotekës, dhe si i tillë do të plotësojë një zbrazëtirë që ekziston në koleksionet e bibliotekës për të kaluarën e shqiptarëve të Kosovës edhe atë më të afërmen, dëshmitë e luftës së fundit në Kosovë.
Gajraku theksoi se Ambasada Amerikane në Prishtinë dhe Ministria e Kulturës e Kosovës, i kanë mbështetur financiarisht projektet e kulturës gojorë të realizuara nga Biblioteka Kombëtare e Kosovës, që nga viti 2015.
Ai tha se është Ambasada Amerikane në Prishtinë ajo e cila e ka drejtuar/përqendruar vëmendjen e Bibliotekës për të nisur sa më parë projektin e mbledhjes dhe ruajtjes së rrëfimeve të të mbijetuarve të masakrës së Krushës së Madhe.
Kryeministri i Kosovës, z. Avdullah Hoti, në deklaratën e tij tha se nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje jo vetëm që konfirmon mbështetjen e institucioneve të Kosovës, por pasqyron edhe mirënjohjen e thellë dhe të pakufizuar ndaj misionit të shenjtë dhe të përbashkët të të gjithëve për të dokumentuar të kaluarën historike të vendit.
Ai shtoi se ky projekt i jep frymë të veçantë Qendrës Kujtesa e Kosovës në Bibliotekën Kombëtare, e cila tash e disa vite mbledh, dokumenton dhe promovon historitë e Kosovës, në veçanti rrëfimet e ngjarjeve e të periudhave më të veçanta, më të trishta, por edhe më të mëdha të historisë së popullit të Kosovës.
Projekti “Kujtesa e Kosovës: Rrëfimet e të mbijetuarve të masakrës së Krushës së Madhe” u mirëprit nga MKRS, dhe siç u shpreh Ministrja, znj. Vlora Dumoshi, është një nismë serioze e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës.
Dumoshi ritheksoi se MKRS, pasur parasysh ndikimin e madh që mund të ketë ky projekt në ndriçimin e ngjarjeve të masakrës së Krushës së Madhe është zotuar se do të përkrahë dhe të qëndrojmë përkrah Bibliotekës Kombëtare të Kosovës në dhënien jetë të këtij projekti.
Dumoshi falënderoi çdo krushian që do të pranojë të ndajë rrëfimin e tij për masakrën, teksa bëri thirrje që iniciativa të tilla të merren edhe nga Muzeu Kombëtar, Arkivi Kombëtar, bibliotekat, muzetë dhe arkivat e tjera komunale.
Smajl Latifi, kryetar i Komunës së Rahovecit, e përshëndeti këtë projekt, dhe theksoi se e përkrah parezervë realizimin e këtij projekti, i bindur se krimet dhe gjenocidi serb, do të rrëfehen nga të mbijetuarit, do të regjistrohen e shkruhen nga ekipi dhe kësisoj, do të përcillet te të gjithë, në shtete e institucione ndërkombëtare – të drejtësisë dhe ato akademike, që, siç u shpreh ai “të mësojmë mirë, se çfarë hoqëm për të ardhur deri te liria dhe çfarë krimesh e masakrash bëri Serbia ndaj nesh”.
Ai e cilësoi këtë projekt si një nismë që duhet të zgjerohet, në mënyrë që kujtesa e rrëfyer nga të mbijetuarit e Masakrës në Krushës së Madhe dhe e shkruar nga bartësit e projektit të arrijë tek brezat e sotëm e të ardhshëm.
Në këtë ceremoni, Z. Shemsi Krasniqi, njëri nga mentorët e projektit, dha një përshkrim lidhur me procesin e realizimit të projektit dhe qëllimet, përfshirë:
- krijimin e një arkivi të pasur të përjetimeve dhe përvojave të masakrës së Krushës së Madhe;
- plotësimin e provave historike të masakrës;
- plotësimin dhe pasurimin e historisë gojore të Kosovës dhe të popullit të saj;
- forcimin e bashkëpunimit në fushën e historisë gojore ndërmjet studentëve, stafit të Bibliotekës, hulumtuesve dhe studiuesve të rinj, dhe përfaqësuesve jo-qeveritarë;
- tërheqjen në Bibliotekë të studentëve, hulumtuesve dhe nxënësve, duke u siguruar atyre mundësi për punë praktike dhe kërkimore.
Në fund, kryetari dhe përfaqësuesi i Krushës së Madhe, Selami Hoti, vlerësoi punën që po bëhet për të dokumentuar përjetimet e të të mbijetuarve të Masakrës së Krushës së Madhe.
Në përpjekjet e tij të kahmotshme për vëmendje ndaj kësaj masakre, Hoti veçoi takimin me ish-ambasadorin e SHBA-ve në Kosovë në gusht të vitit 2019, takim ky i cili i shtroi rrugën iniciativës për nisjen e një projekti që do të dokumentonte këto rrëfime.
Ceremonia u mbyll me aktin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Bashkëpunimit nga Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Dumoshi, dhe drejtorit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Gajraku.
Projekti “Kujtesa e Kosovës: Rrëfimet e të mbijetuarve të masakrës së Krushës së Madhe” ka për qëllim që nëpërmjet historisë gojore të ruajë kujtesën e përjetimeve reale të të mbijetuarve dhe të dëshmitarëve të masakrës së Krushës së Madhe.
Projekti ka për qëllim të krijojë një arkiv të pasur të përjetimeve dhe përvojave të masakrës së Krushës së Madhe; të plotësojë provat historike të masakrës; të plotësojë dhe pasurojë historinë gojore të Kosovës dhe të popullit të saj; të forcojë bashkëpunimin në fushën e historisë gojore ndërmjet studentëve, stafit të Bibliotekës, hulumtuesve dhe studiuesve të rinj, dhe përfaqësuesve jo-qeveritar; t’i tërheqë në Bibliotekë studentët, hulumtuesit dhe nxënësit, duke u siguruar atyre mundësi për punë praktike dhe kërkimore./ ObserverKult