Nga Catherine Cornet
Emira, një vajzë 10-vjeçare, u arrestua për “mbështetjen e terrorizmit” në Departamentin e Savojës në lindje të Francës, pasi kishte shprehur dyshime në klasën e saj lidhur me botimin e karikaturave mbi Profetin Muhamed.
Presidenti Emanuel Makron i telefonon redaksisë së gazetës “The New York Times”, duke i akuzuar mediat amerikane për legjitimimin e dhunës, ndërsa artikujt që analizojnë ideologjinë laike dominuese në Francës, censurohen nga gazetat kryesore të vendit.
Së fundmi, disa ndryshime në ligjet e arsimit zemërojnë botën universitare, që kundërshton idenë se liria e kërkimit shkencor është e kushtëzuar nga detyrimi për të pasqyruar “vlerat e shekullarizmit”. Po sikur, siç shkruan Amnesty International, Franca të mos jetë më kampione e lirisë së shprehjes siç pretendon të jetë?
Pas vrasjes së Samuel Pati, mësuesit që iu pre koka gjatë sulmit terrorist të 16 tetorit, Ministria franceze e Arsimit ka ftuar të gjithë profesorët e historisë në vend që të organizojnë për një javë debate mbi lirinë e shprehjes në klasë.
Për shumë prej tyre, kjo ishte një detyrë e vështirë, duke pasur parasysh situatën e tensionuar në vend, e përkeqësuar më tej nga sulmi terrorist në katedralen e Nisës më 29 tetor. Për më tepër, mësuesve dhe profesorëve u kërkohet tani që të raportojnë mbi çdo “shenjë radikalizmi”, një mision që cilësohet si i mjegullt nga arsimtarët.
Më 4 nëntor, gjatë një debati në klasën e saj, Emira shprehu dyshime mbi çështjen e karikaturave mbi Profetin Muhamed. Të nesërmen drejtori i shkollës mori disa kërcënime. Emira, që vjen nga një familje emigrantëve turq, u mor nga shtëpia e saj në orën 7 të mëngjesit nga një patrullë policore e armatosur, dhe u arrestua në moshën 10-vjeçare me akuzën e “mbështetjes së terrorizmit”.
Së bashku me 3 nxënës të tjerë nga shkolla e saj, ajo u mor në pyetje për 11 orë. Pasi u lanë të lirë, të 4 fëmijët nisën të vuanin pasojat e traumës: ata urinojnë në shtrat, kanë probleme me gjumin, dhe vuajnë nga sulmet e panikut.
Disa karikatura të botuara nga faqja në internet “Mediapart”, e rishikojnë këtë histori, duke arritur në përfundimin se vetëm një administratë demokratike “e çmendur” mund të arrinte në ushtrimin e një dhune të tillë në emër të lirisë së shprehjes.
Duke dënuar arrestimin e Emirës së vogël, Amnesty International thekson se Franca “nuk është kampione e lirisë së shprehjes, siç pretendon të jetë”. Çdo vit, rikujton organizata e të drejtave të njeriut, mijëra njerëz dënohen për “fyerje ndaj autoritetit publik, një krim i keq-përcaktuar, të cilin autoritetet e ligjit dhe ato gjyqësore e shfrytëzojnë pa kriter për të heshtur edhe ata që kundërshtojnë në mënyrë paqësore”.
Sulmi i Makron ndaj medias së “botës anglo-saksone”, rrëfehet me humor nga Ben Smith, redaktori i “The New York Times”, në një artikull të datës 15 nëntor, ku ai kujton telefonatën e presidentit francez të enjten pasdite ndërsa ishte në zyrë.
Makron akuzoi shtypin amerikan për “legjitimimin e dhunës, duke thënë se Franca është raciste dhe islamofobe”. Ai po i referohej veçanërisht një artikulli në “Financial Times” që e kishte zemëruar shumë, sipas të cilit reagimi i Parisit ndaj sulmeve terroriste po e shtonte armiqësimin e shumicës së myslimanëve, të cilët gjithashtu urrejnë terrorizmin.
Ben Smith, i pa impresionuar nga mbrojtja që presidenti Makron i bëri universalitetit francez, e përfundon kështu shkrimin e tij:“Legjitimimi i dhunës, është një nga akuzat më serioze që mund të bëhet kundër medias, dhe është lloji i gjërave që presidenti në ikje i SHBA-së na ka mësuar t’i dëgjojmë dhe injorojmë”.
A do t’i ketë pëlqyer Makron krahasimi me Donald Trumpin?Pra, “Financial Times”, “Newsweek”apo “New York Times”, janë shndërruar në eksponentë ose mbështetës të rrezikshëm të islamo-majtizmit (një frazë e re e shpikur për të treguar mbështetësit e të majtës, të akuzuar se ishin shumë në përputhje me fondamentalizmin islamik)?
Kjo lloj anateme u promovua nga Ministri i Arsimit Zhan-Mishel Blake në një sulm të paparë ndaj lirisë akademike. Pas sulmeve të nëntorit, ministri denoncoi “bashkëpunimin intelektual me terrorizmin” të akademikëve francezë, të etiketuar si “islamo-majtistë” dhe “bartës të një ideologjie që mbjell kaos nëpër universitete”.
Deri vonë, termi islamo-majtizëm ishte përdorur vetëm nga e djathta ekstreme franceze, kujton Zhan –Iv Pransher, profesor i teorisë politike në Universitetin e Lirë të Brukselit. Termi i referohet mitit të bolshevizmit hebre të viteve 1930.
Duke filluar nga grupimet e të djathtës ekstreme, ky lloj etiketimi sot ka një efekt mbi të gjithë ata që kritikojnë pushtetin, në një kuptim të dyfishtë të ngjashme me atë të teorizuar dikur nga Xhorxh Oruell, siç shprehet gazetarja Hasina Meshai në “Middle East Eye”:“Ligjet që garantojnë liritë e ndryshme, janë të kërcënuara në emër të mbrojtjes së republikës. Ky reagim ndodh në Francë kundër njerëzve të asimiluar me një identitet mysliman, banorëve të lagjeve popullore, dhe tani është përhapur më gjerësisht kundër të gjithë atyre që e kundërshtojnë këtë vizion”.
Farhad Kosrokavar, një nga studiuesit më të shquar të Islamit radikal, që kohët e fundit ka botuar një studim 700-faqesh mbi përhapjen e Islamizmit radikal nëpër burgje, denoncoi heqjen e njërit prej artikujve të tij menjëherë pas botimit në faqen e internetit të gazetës amerikane “Politico”.
Në shkrimin e tij, Kosrokavar pasqyroi fenomenin e neo-shekullarizmit, që është bërë një “fe civile” dhe që përdoret si një mjet për të sulmuar myslimanët, akt që bashkë me shumë faktorë të tjerë, favorizon radikalizimin e tyre.
Pas shkollës dhe medias, ndodhi edhe sulmi ndaj lirisë akademike. Amendamenti i paraqitur në Senat pas vrasjes së Pati, parashikon modifikimin e nenit 952-2 të Kodit të Arsimit, i cili përcakton “pavarësinë e plotë dhe lirinë e plotë të shprehjes”të profesorëve të universitetit, duke shtuar specifikimin që “liritë akademike ushtrohen duke respektuar vlerat e republikës”. Synimi i senatores Laura Darkos është “të përcaktojë në një ligj, se këto vlera, para së gjithash laicizmi, përbëjnë themelin mbi të cilin bazohen liritë akademike, dhe kornizën në të cilën ato shprehen”.
Konferenca e Rektorëve të Universiteteve, e konsideron këtë amendamenti si një mënyrë për t’i“mbyllur gojën botës akademike”, teksa kujton se “universitetet nuk janë vende të shprehjes apo inkurajimit të fanatizmit”.
Dhe nga bota anglo-saksone vjen një tjetër denoncim për qeverinë Macron, me një “thirrje solemne për mbrojtjen e lirisë së kërkimit në Francë”, botuar nga revista ‘Open Democracy’ në mbështetje të akademikëve që tani konsiderohen si “armiq të brendshëm” nga politika franceze. / “Internazionale” – bota.al