Cikël poetik nga Murteza Osdautaj: Të mendova mbrëmë…


Ju ftojmë ta lexoni një cikël të zgjedhur poezish nga poeti Murteza Osdautaj:

TË MENDOVA MBRËMË

Derisa ujët fshiheshin qiellit
Mendimet si kaçakë të mësynë ty
Nuk di a u ndalen ne blenin tënd të flokëve
Lot u bënë e rrjedhën qerpikut tënd
Apo u bënë ujë e hënë në qiellin tënd të ballit
Mbrëmë prap mendimet m’u arratisën
Ikën si zogj të plagosur
E nuk di a u shëruan nga fryma jote
Nuk di a fluturuan sërishmi syve të tu
Mbrëmë prapë e prapë mendimet shkuan
Aty ku janë fshehur gjithmonë
Vetullave tua
E te buzët tua u ndalën
Për ta shuar etjen e amshueshme
Për një puthje…
Ikën të djallosurit mbrëmë
Mendimet e mia
A u fshehën në fjalën tënde nuk e di
A këngë u bënë a zogj
Për ta mbushur qiellin pluhur yjesh
A Behocin ujë e valë..
Mendimet më ikën mbrëmë më lanë
A e gjetën shpirtin tënd
A e gjetën bukurinë tënde
A e ranë për të fjetur në vetullat tua
A kaltër e bënë qiellin me yje
Këtë nuk e di
Por e di se mbrëmë shpirt e mendime
E lanë trupin tim të ngrirë
E flutura të kaltra u bënë
Mbi tënden fytyrë…

NËSE S’TË KAM THËNË

(në vend të një dhurate)

Nëse s’ta kam thënë me fjalë
Nëse s’ta kam kënduar një këngë te dritarja
Nëse në legjendë nuk u bëra princi e vdiqa
Nëse nuk kalërova gjokun e bardhë e nuk të erdha kur yjet i lusje për mua
Nëse nuk t’u ngujova në ëndërr
Nëse nuk e këputa një copë qiell të ta vëja në ballë
Nëse lumin nuk e shterova për ta shuar etjen tënde
Nëse nuk u bëra tempullar për ta çliruar Jerusalemin
Dhe nëse kurrë s’ta solla kupën e shenjt të Krishtit
Nëse nuk e takova Mujin dha Zanat e s’pata fuqi
Nëse nuk e mblodha tërë kripën e detit për ta kripur jetën
Nëse krejt librat i hodha se nuk ma rrëfyen udhën drejt teje
Nëse në kupë të qiellit bërtita e s’të gjeta kurrë
Nëse shtegtova jetës e se pash përftimin tënd as hijen
Në asnjë bimë, në asnjë lule, në asnjë krah fluture

Nëse s’arrita të ta thoja se malli më kishte mbytur
Nuk ta thash se kur s’ishe asaj rruge që eca po vdisja
Nëse nuk ta thash se çdo pemë që mbolla ia vura emrin tënd
Nëse s’të tregova se s’ishin nëntë muzat po mbete ti e vetmja
Nëse s’ta thash se në çdo libër të shenjtë veç emrin tënd doja ta gjeja
Nëse më pe të çmendur, i çmendur isha se flakë merrja për një puthje
Nëse më pe duke vdekur një shkretëtire për ujë, veç loti yt do më kthente

Për të ta thënë atë që s’ta thash
Për t’i gjetur arsyet përse më humbnin fjalët
Përse se kisha fuqinë e kryqtarëve dhe mençurinë e Salahudinit
Shpatën e Skënderbeut për t’i prerë gjërat
Por ti nuk ishe tokësore
Vije nga qiej të panjohur
Vije nga ëndrra që njerëzit s’i kishin parë
Nga thellësitë e vedave vije e fshehtësive të ndonjë haiku
Zhdirgjeshe në tokë me karrocën qiellore të ilirëve
Me rrufenë vrastare të Zeusit

Nga psalmet e Davidit
Nga Kënga e Këngëve
Nga të gjitha suretë
A në Talmudin e Babilonisë
Prandaj nuk ta thash dhe nëse s’ta kam thënë
E bëja se nuk mjaftonte fjala
Nuk mjaftonte as heshtja as bubullima
As shëlbimi as lutja
As bërja kryq as falja
Me le të heshtur një jetë
Me gjithë magjinë tënde mistike
Askush s’më
Ndihmoi të ta them
As Homeri, as Safoja, as Pushkini, as Fishta, as Naimi

Dhe a e di përse
Sepse asnjë fjalë e asnjë magji
Nuk mund ta ndalonte magjinë tënde
Ti e magjishmja…

NA GJETTË ORA E MIRË

N’njat vend zanat mledhen
sejcila me nga nji copë dashnijet e fati…
Për m’e gjetë m’ja dhanë të ecmes t’dikuj nji udhë….
Të tanë thonë e kanë Orën e vet
Orën e mirë
Perëndit’ iu japin formë njeriu,
dhe thojnë masandej për fatmirin,
e paska gjet’ Orën a e paska bekue Zana,
mos dektë njeriu pa e gjetë Orën e tij
mos u largoftë pa e përqaf’ Zanën e vet
pâ ia dhurue ajo qiellen n’ata sy
pâ ia dhan’ kraht flutrës kaltër
pâ e përqafue amshushem
derisa t’gufoj dashniet në nji krue
mos dektë njeriu,
pa ia k’ndue kangën e tij,
pa u gjet prej Orës vet
pa than’: nji kjo copë qiellet
âsht’ jemja…
Edhe kjo cop’ liriet…
Sa pak rrnojmë pâ na fal’ bekimin,
Ora jon’ e mirë…

 MBRËMË SHKROVA NJË POEZI PËR TY EVË

E shkrova një poezi për ty mbrëmë por e mori mjegulla
Ranë gjethe mali mbi shkronjat e asaj poezie
Dhe humbi me molekulat e lagështa të asaj terrine të hirtë
Shkrova një poezi për ty Evë dhe ma morën retë
Dhe s’arrita tua ndalë arratinë fjalëve….
Po shkruaj sonte serish
Ende mjegull është jashtë
Përsëri gjethe bien si zogj të vrarë në fluturim…
Veç doja të ta thoja Evë
Mos të të gënjejë qielli im i vrerët
As kur reshin copa mendimesh që s’i bëj rend dot vargjeve
As kur kompjuteri fiket papritmas e ma humb poezinë
Sa herë je larg
Sa herë largohesh
Më duket se rrugët humbin drejtimin
S’qojnë askund
Po të shkruaj Evë edhe sonte
Po t’i dërgoj fjalët të të bien krahëve si flluska bore
A si flutura
Sonte po e vazhdoj të mbrëmshmen që humbi
Të të them
Atë që e them çdo ditë
Dhe atë që se them kur gjuhës i mungojnë fjalët
Veç deshta të të them se po e bëj një gjuhë të re
Ta bej të mundshme kohën
Dhe ekzistencën
Ta lë një shenjë
Në të tëra dimensionet
Pastaj le të shkojmë drejt mbarimit
Të shkrova mbrëmë por fjalët mi mori mjegulla
Apo fjalët i mori ndonjë magji e çuditshme
Mbeta mbrëmë pa ta shpjeguar ëndrrën
Dhe bërjen e saj të vërtetë
Në fund të fundit a s’jetuam në një ëndërr
Dhe e bëmë një përrallë
Le ta bëjmë rrëfimin tonë
Një ungjill të ri
Ta vendosim mes fletësh të Biblës së jetës
Edhe mund të bëhet e shenjtë dashuria!

MENDIME

Vlojnë nga harbimi, nga etja, nga zjarri
Të vijnë në dritare dhe duan të hyjne brenda si Zeusi
As s’smund t’i zaptoj, nuk i lidhë dot as smund t’i ndali
Mendime të çmendura, hujnike, deliriante, si prushi….

ObserverKult

Lexo edhe: