reklamë

Emin Z. Emini: Pas shkëndisë

s’kam drojë nga errësira
ajo është më e vjetër se fillesa

më dhemb çasti
më fort se kur thyhet brinja
drita kur shpërbëhet

ju nuk e keni parë
pak më parë
vetëtima çau qiellin

yjësia pastaj
përsëri u mbyll në dry

diçka i mungon kësaj bote
prandaj një xixëllonjë e verbër
kalëron shkretëtirës

ngadalë shuhet
edhe epiqendra e një pike uji

fija e verdhë e flokut të saj
prej kur preku buzët e thara
merr frymë brenda meje

asnjëherë s’jam i plotë
asnjëherë i njëjti
bërë pak nga balta
pak nga vetëtima

dashuria
nuk vizatohet me gisht
mbi pluhurin e tokës

në vetmi
një jetë e dogja
duke mbledhur shkëndija

ObserverKult


Lexo edhe:

Emin Z. Emini: Shko udh’s tande