Erina Çoku: Përpara se dashuria të na vërë përfund

Erina Çoku

Ç’është dashuria?
Ata që dashuruan asnjëherë s’ditën përgjigje,
kaq fort jetuan një fraksion jete me frikë mbarimi
sa bota u rrotullua shumë shpejt
e me një tërmet krijoi tjetër mozaik.
Të tjera bimë me lëng mbijetuan.

Ndoshta.

Por, ata që dashurojnë, dashurojnë.
E marrin dashurinë e kërkojnë për të një formë.
“Zot, sikur të ketë një formë për këtë dashuri
që më shqyen shpirtin sa herë i del gjumi,
një bishë që më kafshon, një bishë.
Bëmë bishë dhe mua, të kafshoj dhe unë.”
Gjaku vlon, gjaku kërkon venën e vet.

E sigurt.

Dashuria si formë jete,
mund të ketë trupin tënd në trupin tim
ose fjalën time futur në fjalët e tua
ose gojët tona në betejën e puthjes:
më puthe, do të të puth – asgjë mangut.
Uria e trupave mish më mish,
një anthurium që çelet
thellë një trëndafili që shtjellet
një aht, dy aht.
Mund të jemi ne bërë një.

Dihet.

Mund të jetë një vetmi e maskuar,
një afsh, një ide. Askush s’e di.
Dhe asnjëherë s’do të kuptohet,
pse si një valë që vjen, vjen,
ngrihet lart, lart
e na plas lumturisht të shpërbërë në mbarim,
teksa themi: Jetuam.
Formë e lëndë.

Nuk ka dyshim.

Përpara se dashuria të na vërë përfund,
dhe të çelemi si anthuriumi në të ngrohtë
a trëndafili në puhi,
përpara se bisha të na hajë mëlçinë e radhës
le të shërohemi nga pyetjet.
Bota rrotullohet e thellë-thellë për magmën nuk pyet kurrë.
Lumturisht.