reklamë

Zanë Memeti: Ky shekull

Ky shekull.
I njëzetenjëti.
Që nuk është më kohë,
po gjendje.
Shekulli i jonjeriut,
që rend përpara
si dritë në fikje,
e që brendash është
një kthinë pa dritare.
Shekulli ku gënjeshtra mëkëmbet,
dhe e vërteta s’lind më.
Mall i përshtatur, e vërteta,
për tregun e një ndërgjegjeje,
të lodhur, të lodhur.

E vërteta, mbrohet, a jetohet?
Është shekulli njëzetenjë.
Ligësia nuk ka fytyrë,
por ka algoritëm.
Ka sistem.
Ka zakon.
Hyn ajo, si një mendim i vogël,
dhe nis një shkatërrim i pazëshëm.
Ndodhin gjakderdhjet, urrejtjet,
si shira të imët
që nuk të lagin menjëherë,
por të kalbin ngadalë, përbrendësh.

Është shekulli njëzetenjë.
Triumfi i gjakpirësve, snobërve, meskinëve,
që buzëqeshin mbi rrënoja njerëzore,
pa ju dridhur ndërgjegjeja.
Politika, është, tashmë,
një teatër brutal.
Popujt – dritë e rreme në skena t’errëta.
Premtimet – monedha pa vlera kthimesh.
Varfëritë nuk trokasin,
por janë aty, banojnë.
Vjedhjet nuk fshehen, arsyetohen.
Gënjeshtrat nuk skuqin, përsëriten.
Luftërat nuk shpallen, bëhen statistikë.

Është shekull epokë, ky shekull.
Epokë e mendjeve ngushtica,
ku ora nuk mat më kohë,
po mundësi.
Në këso lloj matjesh,
njeriu reduktohet,
bëhet variabël.
Tretet njeriu,
në rendin e përpiktë të çnjerëzores.
Mpaket ndiesia
për atë që e pranojmë.
Asnjë dallim nuk ka, më,
mes mbijetesës dhe jetesës.

Është shekulli i tragjedisë,
shekulli i përshtatjes me errësirën;
teatri, ku jo vetëm që na është fikur drita,
por edhe harrojmë
se ka qenë ndonjëherë…

ObserverKult


Lexo edhe:

Zanë Memeti: Violinë e harruar në morg