Nga Bajram Mjeku
Kur më 2 dhjetor të këtij viti u shënua 22 vjetori i rënies së gazetarit dhe poetit Afrim Maliqi nga Dobratini i Podujevës, zgjodha heshtjen përballë vërshimës së kujtimeve për të. Më shumë nga dhimbja për mikun e çmuar, nuk kam gjetur forcën e duhur të shkruaja për të.
Me Afrim Maliqin ishim kolegë gjenerate dhe ndiqnim kurset e letërsisë në Fakultetin Filologjik në Universitetin e Prishtinës. Në gjashtë muajt e fundit të vitit 1998, ishin bërë disa ditë që nuk ishim takuar. Kishte shpërthyer lufta në Kosovë dhe gjithsecili nga ne kishim hallet dhe përgjegjësitë tona.
Një javë para se të binte, më ftoi të shiheshim për kafe. E lamë të shiheshim atë mbasdite dhe më kujtohet si sot ajo buzëmbrëmje e zymtë dhe e ftohtë nëntori, derisa ai punonte në të përditshmen Bujku, ndërsa unë në Qendrën për Informim të Kosovës.
Afrimin gjithmonë e kujtoj ndryshe dhe e ndjej ndryshe. Kishte një pamje të bukur që unë e quaja “markante”. Kishte edhe një timbër dhe karakter të veçantë të zërit, i cili rrëzëllente vendosmëri dhe mbi të gjitha Afrimi për gjithçka që fliste dhe çdo punë e bënte me pasion, prandaj kjo pjesë e karakterit të tij më pëlqente shumë.
E veçantë ishte edhe kafja e fundit me Afrimin. Pasi folëm për gjendjen e luftës në Kosovë, atë ditë për të parën herë nuk folëm fare për kulturën! E gjithë biseda fillim e mbarim u përqendrua në një temë se si shqiptarët janë aq mospërfillës kur fitojnë ndonjë pozitë dhe si brenda natës provojnë të ndryshojnë edhe identitetin dhe krejt në fund shtihen sikur me këta tipa njerëzish nuk je njohur kurrë! Gjatë bisedës i mëshonim idesë se çfarë do të ndodhë me këta tipa njerëzish mbas pavarësisë së Kosovës dhe Afrimi në një moment tha:
– Ky soj i njerëzve një ditë do të udhëheq me Ushtrinë dhe Policinë e Kosovës, me Shërbimin Inteligjent e Doganën, me Kulturën dhe Financat. Tmerr!, – tha ai, derisa nga etja për të biseduar kishte harruar të pinte kafenë.
Nuk do ta harroj kurrë edhe mbasditën e 2 dhjetorit të vitit 1998. Ndoshta pse banoja në Kodër të Diellit, krismat e armëve që vranë Afrimin dhe dy shokët e tij, Hyzri Tallën dhe Ilir Durmishin, pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Zonën Operative të Llapit, më janë dukur ndryshe nga të gjitha krismat e armëve që i kam dëgjuar në jetën time. Ishin më të kobshme dhe më të kumbueshme njëkohësisht. Ishin rafale automatikësh të koordinuar me hove, të cilët pollën lajmin e kobshëm: U vra Afrim Maliqi dhe dy shokë të tij.
Ende jam i bindur se Afrimi dhe dy shokët e tij Hyzriu dhe Iliri janë vrarë në pritën e organizuar mirë nga strukturat e Sigurimit serb, më saktë nga pasoja e rrjedhjes së informacioneve nga brenda, i cili nuk falet assesi, por edhe nga pakujdesia e tyre. Të vije në Prishtinë nga vatrat e luftës, përbënte rrezik të madh, aq më shumë kur i takoje një strukture të ndjeshme organizative të gueriles në Kosovë.
* * *
Fenomeni i marrjes së pozitave pa merita mbas luftës së fundit në Kosovë, më kujton gjithmonë mikun tim të mirë Afrimin. Duke patur parasysh se qindra njerëz kanë fituar pozita në këtë mënyrë gjatë njëzet viteve të fundit, po aq herë më është kujtuar edhe Afrimi dhe kafja e fundit me të.
Një motërzim i situatës së ngjashme të bisedës me Afrimin më lëndoi para pak ditësh, kur në një shesh të Prishtinës, djali i një ish të burgosuri politik, i cili para pak muajsh fitoi njëfar pozite në një parti politike në Kosovë, ktheu kokën mënjanë dhe shtihej sikur nuk më njihte! Është një histori interesante me babain e funksionarit të lartë të partisë politike në qershor të vitit 1990. Babai i tij, i cili sapo ishte liruar nga burgu, erdhi në familjen time dhe kërkoi dy favore. Kërkoi një revole për vetëmbrojtje derisa të largohej nga Kosova dhe kërkoi mundësinë që t’ia gjeja një njeri, i cili do të merrte guximin që dokumentacionin e tij ta hidhte në oborrin e Ambasadës zvicerane në Beograd, pasi këtë ia kishte kërkuar një organizatë prestigjioze ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut. Zgjidhjen e armës e bëmë atë natë, ndërsa dy ditë më vonë, dokumentacioni i ish të burgosurit politik mbërrijti në vendin e duhur. Nga viti 1989 e më pas, secili shqiptar që udhëtonte për në Beograd zhdëpej në dajak dhe secili nga ne tash e tridhjetë vjet më vonë, mund të imagjinojmë rrezikun e udhëtimit për në Beograd me një krah dokumente të një ish të burgosuri politik nën sqetull! Ish i burgosuri politik së bashku me familjen, për një kohë të shkurtër fitoi të drejtën e azilit politik dhe disa herë në praninë e djalit të tij më është falënderuar, pra i këtij djalit, i cili këto ditë u shti sikur nuk më ka njohur asnjëherë!
Nuk jam penduar asnjëherë për asnjë ndihmë që e kam bërë në jetën time, por frikësohem se mosmirënjohja dhe dhënia e pozitave pa merita është bërë kulturë në Kosovë. Më shqetëson ky fenomen, aq më shumë kur më kujtohet biseda dhe vizioni këtu e njëzetedy vjet më parë i mikut tim të ndjerë Afrim Maliqi, jeta e të cilit u këput kur i kishte vetëm 33 vjet.