Agim Spahiu: Pranë njëri-tjetrit, mbi krevatin e vjetër…

S’kishim asgjë të na falte gaz e prehje
atë natë të errët martesore
dhe nuk e di ç’mund të mbanim mend
të mos ish ardhja e një xixëllonje…

Pranë njëri-tjetrit, mbi krevatin e vjetër dhe larg,
(Sa larg!)
Përballë nesh jona ish edhe një arkëz e vogël
me copëza fashete për mentesha.
E gjora! Sikur vinte nga lufta!
Në luftë të re hynte-prapavijë besnike –
ku ruhej buka.

As fjalë s’kishim. Jona ish edhe heshtja:
një heshtje e gjatë dhe e egër na errte e na errte.
Dhe zor ta hiqnim qafe asaj nate
të mos vinte xixëllonja,
që digjej e digjej për ne të dy,
në buzët e tua, në sytë e mi.

Ishim kaq të lodhur, kaq të shqetësuar…
E s’e trazuam.
E s’u gëzuam.
S’kishim asgjë të na falte gaz e prehje
atë natë të errët martesore.
Dhe nuk e di ç’mund të mbanim mend
të mos ish ardhja e asaj xixëllonje…

ObserverKult

——————————————

Lexo edhe:

NA DUHET NJË ANTOLOGJIA E NAIMIT DHE FISHTËS/PLOTËSON NJË MUNGESË, ËSHTË NJË IDE BASHKUESE!