Gaqo Apostoli: Në hotelin e qytetit të largët

gaqo apostoli

Poezi nga Gaqo Apostoli

U ktheva më në fund këtë mbrëmje
në hotelin e këtij qyteti të largët,
pas një pune të lodhshme
dhe një darke zyrtare tërë siklet.

Hapa më kot kompjuterin,
nuk kishte internet.

Në çast u ndjeva krejt i vetmuar,
doja të flirtoja në krahët e gjumit paqësisht,
por atë ma largoi një ëndërr e shqetësuar,
ndaj ju drejtova kompjuterit sërish.

Ai më solli menjëherë drejt teje
siç po ndodh këto kohë, zakonisht.

Unë ndjeva se të dy kishim frikë
nga kjo largësi që na ndante përbindshëm,
ku ti përpëliteshe në kthetra ëndrrash të frikshme
në sipërmarrjen e një gjumi të mundimshëm.

Kërkoja diçka pafundësisht drejt qiellit,
duke pritur lindjen e Diellit.

Sa do të desha të isha me ty tërë këtë natë,
të përqafuar fort në dashuri
ta prisnim bashkë agimit e ditës së re,
ashtu si dikur, me mijëra pelegrinë të jugut e të veriut.

Kur të raskapitur nga dashuria dhe rruga e mundimshme
lindjen e Diellit e prisnim në Malin e Moisiut.

Mos ki frikë e dashur nga kjo largësi,
nëse mundesh,
fli tani pranë meje.

Nëpër qindra kilometra zgjat i ndrojtur krahët e mi,
jo thjesht për të të prekur flokët dhe trupin me gishtërinj,
veç për të të mbrojtur nga kjo largësi,
oh, e imja, dashuri.

ObserverKult

Lexo edhe:

“KUR ÇELIN BOZHURET”, PSE U HOQ KOSOVA NGA TEKSTI. DËGJOJENI TEKSTIN ORIGJINAL TË KËNDUAR…