Radovan Zogoviq: Mos vdis para se me vdekë

radovan zogoviq ali binakut

Gjatë natës e tërë lëndina me lule u vesh.
U stepa. Mbeta shtang nga aroma që deh.
Tërë jetën druajta të mos jem gjallë e ulok.
Mos vdis para se me vdekë, mik, vëlla, shok!

Fusha e mbuluar me bar të dendur gufon.
E në bar lumi – si shokë e kaltër vallëzon.
Vetëm aq? E blerta shokë? I kaltri brez blerosh?
Mos vdis para se me vdekë, vëlla, mos!

Jazi i fshatit rrëmbyeshëm rrjedh. E yjet merr
Me vete… Hëna shpalos gjirin e saj në shtjellë.
Pamja çik shikimin e sytë tanë i josh…
Mos vdis para se me vdekë, vëlla, mos!

Mbi supe nënës blenj puplash i rrëshqasin vrik.
E unë? Ulur galuc shpezët ndjell: tik-tik, tik-tik!
Po a për këto pupla të verdha u ngashëreva sot?
Mos vdis para se me vdekë, vëlla, mos!

Në degën e reve, si rremb ngrihet qyteti, ç’qytet!
Hap sytë e shoh: shtrirë gjerë e gjatë e thik përpjetë.
Tutje, përtej kurbës, mullarë bari e shtregë gruri tok.
O, mos vdis para se me vdekë, mik, vëlla, shok!

Shqipëroi: Agim Vinca

ObserverKult

lexo edhe:

Radovan Zogoviq: Me dekë për s’gjalli mos dis

Cikli i plotë: Radovan Zogoviq “Ardhësit-Këngët e Ali Binakut”