Ardona Bullatovci
Postmodernizmi është lëvizja letrare që në botë doli në pah kah vitet ‘60-ta. Një formacion i ri letrar që u kthye nga absurdja moderniste te realiteti, te historia njerëzore, duke e paraqitur dramën njerëzore, ngjyrat e jetës, temat historike e politike, por në një formë tjetër. Teksti niset nga faksioni e shkon drejt fiksionit, ose nga fiksioni e shkon kah faksioni. Këto vepra u nxitën më së shumti nga Lufta e Dytë Botërore, pastaj instalimet e reja socio-politike që pasuan pas saj dhe e ndryshuan disa herë jetën e shoqërisë njerëzore. T’i lexosh veprat e autorëve si Kurt Vonnegut, Donald M. Thomas, Italo Calvino, Umberto Eco, Julian Barnes mëson të lexosh për historinë, për politikën, për sociologjinë e entiteteve të caktuara, ose shëtitesh në tërë botën, por jo si në tekstet tradicionale.
Postmodernizmi si lëvizje në letërsinë tonë ka filluar shumë më vonë se në botë. Megjithëse mungon kapaciteti sasior, mund të themi se në veprat e procedimit postmodernist në letërsinë tonë, nuk mungon aspak cilësia.
Shembull i kësaj mund të merret një roman i botuar së voni, krejt në fund të vitit 2020. Autori, Ag Apolloni, është studiues i shquar i postmodernizmit në veçanti dhe letërsisë në përgjithësi. Duke e njohur thellësisht këtë fenomen letrar, vargun e letërsisë shqipe e pasuron edhe me një perlë të çmueshme.
“Një fije shprese, një fije shkrepëse”, një titull simpatik që e godet shqisën e të dëgjuarit, meqë është i gjetur dhe i ndërtuar me dy shtresa stilistike. Me aliteracion të fuqishëm që vërehet në lexim të parë dhe më vonë kuptohet antiteza e dy emërtimeve që në të shkruar ngjajnë me njëra tjetrën.
Romani ka një denominim krejt të ri për letërsinë tonë, shkruhet si dokuroman, apo roman dokumentar. Pra, merret vesh se për bazë ka lëndën dokumentare, faksionin historik dhe deri në fund nuk do ta tejkalojë atë.
Cili do të ishte burimi më i pasur tematik për një autor nga Kosova që do të shkruaj diçka me bazë historike?
Sigurisht, lufta e fundit e vendit, e cila është shumë e freskët në memorien e gjithësecilit që e ka përjetuar, e cila ndodhi në kohët moderne, la pasoja edhe për kohët postmoderne, e megjithatë shumë pak është folur e shkruar rreth saj. Veprat letrare që duhet ta kishin qoftë si temë, qoftë si motiv janë të pakta.
Pas plot njëzet vjetësh që lufta kishte përfunduar, Ag Apolloni vendos të bëj një dokumentim letrar dhe një vepër të shkëlqyer letrare rreth luftës më pak, e më shumë rreth pasojave të saj. Është e kuptueshme vështirësia për ta shkruar një vepër të tillë, me aq ndjeshmëri për shoqërinë tonë, sidomos kur vendos t’i përmbahesh plotësisht faktit.
Autori mjeshtërisht ia del ta realizojë veprën e tillë, duke mos e lënë të bije në histori shkencore, të mos bëhet propagandistike e të mos ketë subjektivitet patetik. Fillon nga gjeneza e letërsisë nga mitet e lashta greke që i afron me realitetin dhe i bën sikur të ishin të gjithëkohëshme, vazhdon me disa linja narrative të historive të padëgjuara të luftës, nga persona të zakonshëm, rrëfen në vetën e parë për përvojën e vet, si dhe kulmon në një rrëfim brilant të letrarizuar skajshmërisht për dy personazhe që nuk i krijoi vet, e gjeti njërën në mesin e të vdekurve, kurse tjetrën në mesin e të gjallëve. Krejt kohën lexojmë për ngjarje që kanë ndodhur vërtetë, të tilla si i shohim në dokumentarë televizivë ose në filma, me plot imazhizëm, ndjeshmëri që prek edhe emocionet më të ngrira dhe na duket se këso rrëfime nuk paskemi dëgjuar më parë.
Romani është përpunuar mirë brenda strukturës unazore. Merr fill nga një udhëtim që fillon nga Katedralja e Prishtinës drejt Gjakovës. Shumica e rrëfimit bëhet gjatë kohës objektive të udhëtimit duke dalë ai nga kujtesa e rrëfimtarit që në këtë rast është autori dhe nga biseda me dy miqtë e tij. Vet udhëtimi ka karakter dokumentar për të vizituar një monument gjigant që ka mbetur nga lufta, monument i cili frymon, ec dhe mirëpret në shtëpinë e vet secilin që e viziton. Është nëna Ferdonije Çerkezi nga Gjakova. Historia e saj dihet mirëfilli.
I tërë romani sillet rreth kujtimeve, ngjarjeve që rrëfehen nga e kaluara e jetuar, që e bën narracionin elementin qendror të tij. Mirëpo, ky nuk është aspak një narracion uniform, me fabul e rrjedhje të thjeshtë mendimi. Narracioni degëzohet e shkon prej kujtimeve te emisionet dokumentare, te raportimet e lajmeve të televizioneve e gazetave, te zhvillimet politike rreth Kosovës në SHBA. Është sikur të kesh në dorë një kolazh informacionesh të ndryshme, që lexuesit ia shton kurreshtjen dhe e mban lidhur pashkëputshëm me qenësinë e romanit duke ia dhuruar atij dulce et utile-n, mirëpo dulce-ja del në një dimension të kundërt që, siç e thotë edhe vet autori, te lexuesi do të ngjallë më shumë se një herë katarsisin e dramës tragjike.
Këtu qendron edhe estetika e romanit me montimin e interteksteve, situatave, referencave të ndryshme. Autori na sjellë nga mitologjia e dramaturgjia greke, te referencat biblike, pastaj te faktografia e bilancit të luftës, te përfolja e filmave dokumentarë, te emrat e përveqëm të viktimave dhe agresorëve deri te dialogët e atyre që mbijetuan.
Është tërheqëse për vëmendjen montimi i rrëfimit nga memoria dhe aktiviteti politik i autorit amerikan me origjinë hebreje Ellie Wiesel. Pa e dhënë emrin e tij, autori e inkuadron në narracion duke i shkrirë kujtimet e tij të holokaustit me tragjedinë kosovare. Ai duket si një pjesëmarrës aktiv në narracion, sheh refugjatët në TV dhe kujton vetën e familjen, pastaj shihet në imazhe në kampet e atyre refugjatëve, me gjithë veprimet dhe fjalët që ai i thotë gjatë asaj vizite.
Kulmi i romanit janë dy rrëfime për dy nëna, për dy jetë të zakonshme njerëzore. Gjurmimi autorial i paraqet ato që nga rinia, martesa, jeta e lumtur me familjet e tyre deri te një katastrofë e përbashkët, te tragjedia që u solli lufta në marsin e 1999-tës. Janë ato Pashkë Marku dhe Ferdonije Çerkezi nga Gjakova.
Rrëfimi i tyre është hedhur në letër nga pena autoriale që duket se ka jetuar bashkë me to, është futur në kokat e zemrat e tyre për ta lexuar dhimbjen e tyre, për ta kuptuar psikologjinë e tyre. Drama e Pashkës mbaroi me vetëflijimin e saj, kurse drama tragjike e Ferdonijes vazhdon edhe sot kur romani ka parë dritën e botimit.
Është ky një roman që duhet të lexohet nga çdo kosovar që jeton në të njejtin atdhe me Ferdonijen.
Një roman që duhet të përkthehet sa më parë dhe të lexohet nga çdo njeri që jeton në të njejtin nënqiell me Ferdonijen.
ObserverKult