Drama “Duke pritur Godonë” e nobelistit të vitit 1969, e cila më vonë u bë e njohur si teatri i absurdit është vepër shumëdimensionale dhe aktuale në çdo kohë. E, aktuale dramën e Beckett-it e bën pritja jonë. Për aq kohë sa jemi në pritje, ajo do të jetë aktuale.
Nga Ardit Mehmetaj
Drama që fillon me dialogun e Estragonit me Vladimirin, qysh në fillim e shpërfaq absurditetin e bisedës dhe gjendjes së tyre. Kur njëri pyet “ku ishe”, tjetri përgjigjet “atje”, pyetjen tjetër e bën “më kë ishe”, ai përgjigjet “me ata”, kur në fund e pyet “kur ishe”, ai përgjigjet “atëherë”. Pra, vendi, njerëzit dhe koha janë të papërcaktuara. Këtu duket se pyetësi e di se për kë, për kur dhe për ku bëhet fjalë, ndërsa ato vende s’janë konkrete vetëm për lexuesin, i cili mund të mendojë që autori me këto papërcaktime ka dashur t’ia lë enigmë lexuesit dhe kështu ai t’i krijojë hapësirë imagjinatës së tij për hapësirën dhe kohën në të cilën dëshiron ta zhvendosë ngjarjen. Por, këtu është më shumë se kaq. Këtu pyetjet e përgjigjet nuk kanë rëndësi, fjalët e veprimet nuk kanë rëndësi. E rëndësishme është vetëm pritja të përmbushet me diçka: me lojëra të kota, me fjalë të kota, me veprime te kota. Këtu shpresa e së ardhmes i jep kuptim pritjes së të tashmes, kurse përmushja e pritjes me gjëra koti është veç kalim i kohës më shpejt dhe durim i pritjes më lehtë.
Estragoni dhe Vladimi janë në pritje të Godosë. Për Godonë nuk di askush asgjë. Ata nuk e njohin atë, nuk e dinë kur do të vijë as ku do të vijë, vetëm se janë të bindur që ai do të vijë patjetër. Godo për ta është Zoti, është shpëtimi, është kuptimi i jetës. Pritja e Godosë në dramë e shpërfaq pafuqinë njerëzore si dhe vendosjen e shpresave tek një fuqi mbinatyrore e cila në fund të fundit mund të mos jetë reale, mund të jetë vetëm imagjinare në mendjen e atyre që janë në pritje. Secili njeri në botë është Estragon dhe Vladimir pasi secili njeri është në pritje dhe secili njeri jeton sipas një kuptimi që i jep vetë jetës. Për disa kuptimi i jetës është religjioni, për disa një ideologji e caktuar e për disa vet pakuptimësia dhe kënaqësia e të jetuarit në absurd bëhet kuptim i jetës. Për Estragonin dhe Vladimirin vetëm shpresa që Godo do të vijë nesër është kuptim i pritjes. Pritja e tyre është vetë jeta jonë, shpresa që Godo do të vijë është vetë kuptimi që ne i japim jetës. Pra, secili njeri që është mes frikës dhe shpresës është Estragon dhe Vladimir, e të tillë jemi të gjithë. Ata të dy jetojnë në njërën anë mes frikës së fshehur se Godo s’do të vijë kurrë dhe në tjetrën anë jetojnë me shpresën se ai do të vijë së shpejti.
Gjatë pritjes së Estragonit dhe Vladimirit vjen një djalë i cili asocon me të dërguarit e Zotit pasi në fillim thotë se më ka dërguar Godoja, kurse gjatë bisedës më vonë thotë se unë jam bari që i ruaj dhentë. Konotacioni i djalit që ruan dhentë në religjion është i profetit që e ruan besimin tek besimtarët, dhentë janë besimtarët që duhet të jenë të nënshtruar dhe të dëgjuar ndaj profetit ose priftit që është udhëheqës fetar, kurse ujku është djalli i cili përdorë çdo metodë për t’i larguar besimtarët nga besimi. Djali që është i dërguari i Godosë thotë se Godo do të vijë nesër, kurse të nesërmen ai harron se ka qenë dje tek Estragoni dhe Vladimiri dhe përsëri thotë se Godo do të vijë nesër. Ashtu siç e thotë Sabri Hamiti tek libri poetik “Kukuta e Sokratit” në vargun e fundit të poezisë së fundit të librit “Përsëritja përsëritet përsëri”, e, këtu kjo është e ngjashme me “të nesërmen” e kësaj drame e cila përsëritet gjithnjë dhe pashmangshëm lidhet me mitin e Sizifit. Ishte një batutë për Nastradinin, i cili në derën e jashtme të shtëpisë e kishte shkruar në letër “vetëm sot nuk dua mysafir”, ndërsa letrën e kishte lënë aty përgjithmonë. Aty, çdo ditë është sot, njësoj si tek drama “Duke pritur Godonë” që çdo ditë ka edhe një ‘nesër’ dhe pritja se çfarë do të ndodhë nesër është e pranishme gjithmonë. Pak rëndësi ka a do të vijë Godo a jo, më rëndësi është shpresa se ai do të vijë.
Pra, drama e trajton jetën njerëzore se si e tëra është pritje, pritje e diçkaje që nuk vjen. Drama e shpërfaq pritjen dhe përmbushjen e pritjes, në të cilën ata që presin janë herë nervoz, herë me frikë, herë me shpresë, herë mërzitshëm e herë të lumtur. Pritja është e pakuptimtë, i takon njeriut t’i jap kuptim./ ObserverKult