Nga Boris M. Ejhenbaum
Kompozicioni i novelës varet në një shkallë të madhe prej faktit, se çfarë roli luan në thurjen e saj toni personal i autorit, domethënë a rezulton ky ton zanafillë organizuese, duke krijuar pak a shumë iluzionin e rrëfimit, apo shërben veçse si lidhje formale ndërmjet ngjarjeve dhe prandaj zë një pozicion ndihmës.
Novela primitive, sikundërse romani aventuresk, nuk njeh rrëfim dhe nuk ia ka nevojën atij, sepse gjithë interesi dhe ecuria e tyre përcaktohet prej ndërkëmbimit të shpejtë e të shumëllojtë të ngjarjeve dhe gjendjeve.
Thurja e motiveve dhe motivacioneve të tyre – ja se kush është zanafilla organizuese e novelës primitive. Kjo është e vërtetë dhe në lidhje me novelën komike — në themel të saj vendoset një anekdotë e bollshme në vetvete me gjendjet komike, jashtë rrëfimit.
Kompozicioni bëhet krejt i ndryshëm, nëse syzheti (syzheu) në vetvete, si thurje motivesh me ndihmën e motivacioneve të tyre, pushon së luajturi rolin organizues, pra nëse rrëfyesi në një mënyrë a në një tjetër e nxjerr veten në plan të parë, si të thuash veçse duke përdorur syzhetin për thurjen e gjetjeve/trukeve (prijom) të veçanta stilistike.
Qendra e gravitetit nga syzheti (i cili shkurtohet këtu gjer në minimum) zhvendoset në truket (prijom-et) e rrëfimit, roli parësor komik u kalon kalambureve, të cilët herë kufizohen me një lojë të thjeshtë fjalësh, herë shtjellohen në anekdota të vogla.
Efektet komike mbërrihen me manierën e rrëfimit. Prandaj për hulumtimin e një lloji të tillë kompozicioni na dalin si të rëndësishme pikërisht këto «çikërrima», me të cilat është stërpikur subjekti,— kështuqë mjafton t’i largosh ato dhe ndërtimi (struktura) i novelës bie.
Për këtë është e rëndësishme të ketë dy gjini të rrëfimit komik: 1) rrëfimtare dhe 2) riprodhuese. E para kufizohet me shakatë, kalamburet kuptimore, etj.; e dyta ndërfut truket (prijom-et) e mimikës fjalësore dhe gjestin, duke shkërbyer artikulime të veçanta komike, kalambure tingullore, prirje kapriçoze sintaksore, etj. E para prodhon përshtypjen e një ligjërate të drejtë; pas së dytës fshihet shpesh, si të thuash, aktori, kështu që rrëfimi përfton karakterin e lojës dhe kompozicioni përcaktohet jo nga hallkëzimi i thjeshtë i shakave, por për nga njëfarë sistemi i shumëllojshëm mimiko-artikulues i gjesteve.
Shumë novela të Gogolit apo pjesë të ndryshme të tyre paraqesin një material interesant për analizën e një rrëfimi të tillë. Kompozicioni te Gogoli nuk përcaktohet me syzhetin — syzhetin ato e kanë të varfër, më saktë — nuk kanë asfarë syzheti, porse merret sall njëfarë gjendjeje komike (e ndonjëherë madje vetë në vetvete aspak komike), çka shërben si të thuash veçse shtysë apo shkas për përpunimin e trukeve (prijom-eve) komike. Kështu, «Hunda» shtjellohet prej një ngjarjeje anekdotike; «Martesa», «Revizori» hedhin shtat gjithashtu prej bujtjes së një gjendjeje të caktuar statike; «Shpirtrat e vdekur» hartohen në rrugën e grumbullimit të skenave të veçuara që lidhen veçse me udhëtimet e Çiçikovit. Dihet që domosdoshmëria për të patur gjithmonë diç të ngjashme në syzhet e ka kufizuar Gogolin.
P. V. Annenkov na kallzon për të: «Ai thoshte se për suksesin e një novele dhe në përgjithësi të një tregimi, mjafton që autori të përshkruajë një dhomë apo një rrugë shumë të njohur. Në letrën drejtuar Pushkinit (1835) Gogoli shkruan: «Kini mirësinë, jepmëni ndofarë syzheti, qoftë ndonjë gjë qesharake apo jo qesharake, por që të jetë anekdotë e kulluar ruse… Kini mirësinë, jepmëni një syzhet; do të ketë frymën e komedisë prej pesë aktesh, dhe ju betohem, ka për të qenë më qesharake se djalli!» Për anekdota ai lutej shpesh; kështu — në letrën drejtuar Prokopoviçit (1837): «Zhylin (domethënë Annenkovin) porosite veçanërisht të më shkruajë. Ai ka se ç‘të më shkruajë. Vërtet, në kancelari bënte vaki ndofarë anekdote».
Nga ana tjetër, Gogoli dallohej për një mënyrë të veçantë në leximin e gjërave të tij, sikundër na dëshmojnë shumë bashkëkohës të tij. Gjatë kësaj zejeje, mund të veçojmë dy metoda në leximet e tij: ose deklamimin patetik këngëtues, ose aftësinë e posaçme lojacake të rrëfimit mimik, pa ndërkaluar asnjëherë, siç na rrëfen I. S. Turgenjevi, në leximin e thjeshtë të roleve teatrore.
Është i njohur kallëzimi i I. I. Panajevit, sesi Gogoli i mahniti gjithë të pranishmit, duke kaluar drejtpërsëdrejti nga kuvendimi në lojë, kështu që në fillim ndërhundja e tij dhe frazat personale qenë pranuar si të vërteta reale.
Knjaz D. А. Obolenskij ndërmend: «Gogoli lexonte në mënyrë mjeshtërore: nuk qenë vetëm fjalët që i shqiptonte kuptueshëm, por, duke ndërruar shpesh intonacionin e ligjërimit, ai i dha larushi dhe i bëri dëgjuesit të përvetësonin nuancat më të imëta të mendimit. Kujtoj se si pati nisur me një zë të shurdhër varri: «E përse u dashka paraqitur mjerimi dhe veç mjerimi… E ja pra, sërish ramë në humbëtirë, sërish u përplasëm për qorrsokak». Pas këtyre fjalëve, befas Gogoli ngriti kokën, shmangu flokët mënjanë dhe vazhdoi tashmë me një zë të lartë e solemn: «Veç ama, çfarë humbëtire dhe çfarë qorrsokaku!» Paskëtaj nisi përshkrimi madhështor i katundit Tentetnikov, i cili, nën leximin e Gogolit, dilte mu sikur të qe shkruar në përmasa të njohura… Më pataksi mahnia e naltë e harmonisë së jashtëzakonshme të ligjërimit.
Këtu pashë se sa mrekullisht i shfrytëzonte Gogoli emrat e barërave e luleve vendase, të cilat i kishte mbledhur me kaq përkushim. Ai nganjëherë, si duket, vendoste ndonjë fjalë kumbuese kasten për efektin e ligjëratës». I. I. Panajev e përkufizon leximin e Gogolit kësilloj: «Gogoli lexonte në mënyrë të papërsëritshme.
Ndërmjet shkrimtarëve bashkëkohorë lexues më të mirë të veprave të tyre mbahen Ostrovskij dhe Pisjemskij.
Ostrovskij lexon pa asfarë efekti dramatik, me një thjeshtësi madhështore, duke i dhënë ndërkaq nuancën e duhur çdo personazhi; Pisjemskij lexon si aktor – ai, si të thuash, e luan veprën e tij dramatike duke e lexuar. Në leximin e Gogolit kishte diç të mesme ndërmjet këtyre dy manierave të leximit.
Ai lexonte më dramatikisht se Ostrovskij dhe me thjeshtësi shumë më të madhe se Pisjemskij». Madje diktimi shndërrohej tek Gogoli në një lloj të veçantë deklamimi. Për këtë na kallzon P. V. Аnnenkov: «Nikollaj Vasiljeviçi, me të hapur para vetes fletoren… kridhej pa nishan brenda saj dhe fillonte të diktonte me masë, solemnisht, me një ndjenjë të tillë plotmërie në shprehje, saqë kapitujt e parë të “Shpirtrave të vdekur” përftuan në kujtesën time një kolorit të pashqitshëm.
Kjo ishte e ngjashme me një frymëzim të derdhur përmbajtshëm, sikundër lind rëndom prej soditjes së thellë meditative të objektit. N. V. priste prajshëm fjalën time të mbrame dhe vazhdonte me një periudhë të re me po atë zë, të përshkuar nga ndjenja e koncentruar dhe mendimi…
Asnjëherë pathosi i diktimit të Gogolit, me sa mbaj mend, nuk e mbërriti më atë lartësi, duke ruajtur gjithë natyrshmërinë artistike, si në këtë vend (përshkrimi i kopshtit të Pljushkinit).
Gogoli madje u ngrit nga kolltuku… dhe e shoqëroi diktimin me një gjest krenar, disi urdhëronjës» .
Këto të gjitha së toku dëftejnë se themeli i tekstit gogolian është rrëfimi, që teksti i tij ngjizet përfytyrimesh të gjalla ligjërimore dhe emocionesh ligjërimore. Përveç kësaj: ky rrëfim ka tendencën jo thjesht të rrëfejë, jo thjesht të kallëzojë, por me anën e mimikës dhe atë artikuluese të riprodhojë fjalët dhe fjalitë zgjidhen dhe hallkëzohen jo vetëm sipas logjikës së ligjëratës logjike, por më së shumti sipas principit të ligjërimit shprehimor (ekspresiv), në të cilën rol të veçantë i takon artikulimit, gjesteve zanore etj. Së këndejmi, kemi dukurinë e semantikës zanore në gjuhën e tij: mbështjella zanore e fjalëve, karakteristika e tij akustike bëhet në ligjërimin e Gogolit rëndësorepavarësisht nga rëndësia logjike apo lëndore.
Artikulimi dhe efekti i tij akustik dallohen në plan të parë si metodë shprehimore. Prandaj ai pëlqen emërtimet, mbiemrat, emrat etj., këtu na shpërfaqet hapësira për një lloj të tillë loje artikulative.
Përveç kësaj, ligjërimi i tij shpesh shoqërohet me gjeste (shih. sipër) dhe ndërkalon në riprodhim, çka është i dallueshëm në formën e tij shkrimore. Dëshmitë e bashkëkohësve dëftejnë mbi këto veçori. D. А. Oboljenskij ndërmend: «Në stacion gjeta një libër gjobe dhe lexova në të një formë ankese mjaft qesharake të njëfarë zotërie.
Me ta dëgjuar, Gogoli më pyeti: «Si jua pret mendja, kush të ketë qenë ky zotëri? Çfarë vetish ka patur karakteri i këtij zotërie?» — «Të them të drejtën, nuk e di »,— u përgjigja unë. «Ja pra, po ua tregoj unë ». – Dhe sakaq nisi të më përshkruaj në mënyrën me qesharake e më origjinale së pari pamjen e jashtme të këtij zotërie, mandej më rrëfeu gjithë karierën e tij të shërbimit, duke përshkruar madje disa personazhe në episodet e jetës së tij. Mbaj mend se u gajasa, si një i çmendur, ndërsa gjithë këtë ai e kreu me seriozitetin më të madh.
Pastaj më rrëfeu sesi do farë kohe pati jetuar bashkë me N. M. Jazikovin (poetin) dhe në mbrëmje, teksa shtriheshin të flenë, qenë argëtuar me përshkrimin e karaktereve të ndryshme dhe se mandej, sajuan për çdocilin karakter një mbiemër gjegjës». Për mbiemrat te Gogoli kallëzon edhe О. N. Smirnov: «Ai u kushtonte një vëmendje të jashtëzakonshme emrave të personazheve të tij; ai i kërkonte ata gjithëkahmos; ata bëheshin tipikë; Gogoli i gjente ata nëpër shpallje (familja e heroit Çiçikov në volumin e parë ka qenë gjetur në një shtëpi, më parë nuk vendosnin numra, por vetëm familjen e poseduesit), në tabela; duke nisur punën për volumin e dytë të «Shpirtrave të vdekur », ai gjeti familjen e gjeneral Betrishçjevit në librin e postës dhe i tha njërit prej miqve të tij se prej pamjes së këtij mbiemri, atij iu fanitën figura dhe mustaqet e thinjura të gjeneralit».
Marrëdhënie e veçantë të Gogolit ndaj emrave dhe mbiemrave dhe imagjinatën e tij në këtë sferë, e kanë nënvizuar në letërsi, për shembull, në librin e prof. I. Mandelshtamit: «Atëbotë, kur Gogoli qeshte ende me historinë, para se ta shkruante, niste të qëmtonte hartimin e emrave të sajuar, si duket, pa llogaritur «të qeshurën përmes lotësh»… Pupopuz, Gollopuz, Dovguçhun, Gollopupenko, Svjerbyguz, Kizjakollupenko, Pereperçiha, Krutotryshçjenko, Peçerycja, Zakruti-guba etj. Kjo manierë e sajimit të emrave qesharakë mbeti, megjithatë edhe më vonë te Gogoli: dhe Jaiçnica («Martesa»), dhe Njeuvazhajkoryto, dhe Bjellobrjushkova, dhe Bashmaçkin («Manteli»), madje emri i fundit jep shkas për lojë fjalësh.
Nganjëherë ai zgjedh qëllimshëm emra që ekzistojnë në të vërtetë: Akakij Akakieviç, Trifilij, Dulla, Varahasij, Pavsikihij, Vahtisij etj. …Në raste të tjera ai i shfrytëzon emrat për kalambure (metoda e dëftuar aplikohet qysh prej kohësh prej gjithë shkrimtarëve humoristë. Molieri i shkrin gazit dëgjuesit e tij me emra të tipit Pourceugnac, Diafoiras, Purgon, Macroton, Desfonandres, Vilebreguin; Rabëleja në një masë edhe më të padukshme e më të fortë shfrytëzon kombinime të pabesueshme tingujsh që paraqesin material për gajasje thjesht duke patur ngjashmëri të përlargëta me fjalët e tipit Soimigondinoys, Fringuamelie, Frouiliogan etj.)».
Kështu pra, syzheti te Gogoli ka një rëndësi veçse të jashtme dhe prandaj në vetvete është statik, jo më kot «Revizori» përfundon me një skenë memece, në raport me të cilën gjithçka e mëparshme ka qenë veçse parapërgatitje.
Dinamika e vërtetë, e tok me të dhe kompozicioni i veprave të tij, qëndron në ndërtimin e rrëfimit, në lojën e gjuhës. Personazhet e tij kanë poza të ngrira. Mbi ta, në pamjen e regjisorit dhe heroit të vërtetë, mbretëron fryma zbavitëse dhe lojcake e vetë artistit.
Nisur nga këto ligjësi të përgjithshme mbi kompozicionin dhe duke u mbështetur në materialin e paraqitur për Gogolin, do të provojmë të sqarojmë shtresën themelore në kompozicionin e «Mantelit».
Kjo novelë paraqet një interes të posaçëm për një lloj të këtillë analize, sepse në të gjejmë rrëfimin e kulluar komik, me të gjitha metodat e lojës gjuhësore që e karakterizojnë Gogolin, të lidhur me deklamimin patetik që ngjiz si të thuash një shtresë të dytë. Kjo shtresë e dytë ka qenë pranuar prej kritikëve tanë si themelorja, dhe gjithë koklavitja e «labirinthit të hallkëzuar» (shprehje e Leon Tolstoit) ka shpënë në njëfarë ideje që është përsëritur tradicionalisht gjer më sot madje edhe në «studimet» mbi Gogolin. Kritikëve dhe shkencëtarëve të tillë Gogoli mund t’u ishte përgjigjur ashtu sikundër u qe përgjigjur Leon Tolstoi kritikëve të «Аnna Каreninës»: «Unë i përshëndes dhe marr guximin t’i siguroj qu’ils en savent plus long que moi».
2
Në fillim le të shqyrtojmë veçan truket kryesore të rrëfimit në «Manteli», mandej le të ndjekim pas sistemin e hallkëzimit të tyre.
Një rol të rëndësishëm, veçanërisht në fillim, luajnë kalamburët e llojeve të ndryshme. Ata janë ndërtuar ose në ngjashmërinë zanore, ose në lojën etimologjike të fjalëve, ose në absurdin e fshehtë. Fraza e parë e novelës në dorëshkrimin e papastër ka qenë e nginjur në kalambure: «Në departamantin e ‘podatjej i sborov’ (taksave dhe grumbullimit), të cilin, megjithatë, e quajnë, më të rrallë, departamentin e ‘подлостей и вздоров’ (poshtërsive dhe dokrrave).
Në dorëshkrimin e redaktimit të dytë këtij kalamburi i qe ngjitur një shënim që paraqiste një lojë të mëtejshme të: «E mos t’u shkojë mendja lexonjësve që ky emërtim ka qenë krijuar në bazë të ndonjë të vërtete — aspak. Gjithëqysh puna ka të bëjë me ngjashmërinë etimologjike të fjalëve. (Për rrjedhojë, këtë departament të ‘gornyh i soljanih djell’ – të punëve minerare dhe kriporeve e quajnë departamentin e gorkih i soljonih djell – departamentin e punëve të hidhta dhe të shëllinta.
Ç‘nuk u shkon ndërmend zyrtarëve, të mbetur midis shërbimit dhe vistit». Në redaktimin përfundimtar, ky kalambur nuk u përfshi. Kalamburet më të parapëlqyera të Gogolit janë ata të llojit etimologjik — për to ai shpesh sajon mbiemra specialë. Kështu, mbiemri i Akakij Akakieviçit, në krye të herës ka qenë Tishkjeviç – gjë e cila nuk epte shkas për kalambur; mandej Gogoli lëkundet ndërmjet dy formave – Bashmakjeviç (shih. Sobakieviç) dhe Bashmakov, së mbrami Gogoli ndalet në formën – Bashmaçkin. Zhvendosja nga Tishkjeviç te Bashmakjeviçi, nënkupton, sigurisht, dëshirën për të sajuar një shkas për kalambur, ndërsa zgjedhja e formës Bashmaçkin mund të shpjegohet si prirje përkah prapashtesat (sufikset) e shkurtuara, karakteristike për stilin e Gogolit, por edhe për ekspresionin e madh të shprehjes artikulative (me fuqinë mimikë-shprehëse) të kësaj forme, që krijon një lloj të caktuar gjesti zanor. Kalamburi i sajuar me ndihmën e këtij mbiemri, është ndërlikuar me truke (prijome) komike, që i japin mbiemrit një pamje të plotë serioze: «Tashmë prej vetë emrit duket që prejardhjen e ka nga bashmak (shqip: këpucari. shën. përkth.) dhe se prej andej ka rrjedhur; por se kur, në çfarë kohe dhe në çfarë mënyre ka rrjedhur prej bashmakut, kjo nuk dihet. Dhe i ati, dhe gjyshi, e madje dhe kunati (kalamburi shpihet pa vënë re gjer në absurd — manierë personale e Gogolit), dhe të gjithë Bashmaçkinët pa përjashtim, mbatheshin me çizme, duke i ndërruar vetëm tre herë në vit shuajt».
Kalamburi, si të thuash, është shkatërruar nga ky lloj komentari – aq më tepër që në udhë e sipër dalin detaje, që nuk kanë pikën e lidhjes me to (shuajt); në të vërtetë na përftohet një kalambur i dyfishtë, dyfish i vështirë.
Metoda e çuarjes gjer në absurd apo e kombinimit të fjalëve alogjike ndeshet shpesh te Gogoli, për më tepër ai rëndom është i maskuar me një sintaksë rreptësisht logjike dhe prandaj paraqet përshtypje joarbitrariteti; kështu, në fjalë mbi Petroviçin, i cili, «pavarësisht syrit të tij të vëngërt, që mblidhej gungallë në cep të fytyrës, merrej me mjaft sukses me arrnimin e gjithëfarë pantallonash e fraqesh të nëpunësve».
Këtu absurditeti logjik është maskuar me një ngjeshje edhe më të madhe hollësirash që ta shpërngulin vëmendjen m’anash: kalamburi nuk është nxjerrë sheshit, përkundrazi, fshihet me ç‘t’i vijë ndoresh, prandaj dhe fuqia e tij komike sa vjen e shtohet.
Kalambure etimologjike të kulluara ndeshen vazhdimisht: «…mjerimet janë shkapërderdhur në rrugën e jetës, jo vetëm prej titullarëve, por madje edhe prej gjithëfarë këshilltarësh të vërtetë, këshilltarë të fshehtë, madje dhe prej tyre, të cilët nuk i japin askujt këshilla, dhe vetë prej askujt nuk i pranojnë».
Të tilla janë llojet kryesore të kalambureve gogoliane te «Manteli». Le t’u bashkojmë këtyre një metodë tjetër – ndikimin zanor (tingullor). Për dashurinë e Gogolit ndaj emrave që nuk kanë “kuptim”, folëm më sipër – lloje të tilla fjalësh të «stërmençura» zbulojnë hapësirë për një semantikë origjinale tingullore.
Аkakij Akakijeviç është një kombinim i përcaktuar tingujsh; jo më kot ky emërtim përcillet me një anekdotë të tërë, ndërsa në redaktimin e papastër, Gogoli bën një vërejtje speciale: «Sigurisht, mund edhe t’i ishim shmangur në një farë mënyre dendësisë së gërmës “k”, por të tilla kanë qenë rrethanat, që aspak nuk mund të bënim ndryshe» (3, 522).
Semantika tingullore e këtij emri është parapërgatitur nga një radhë e tërë emrash të tjerë që gjithaq zotërojnë veçanti të ekspresionit tingullor dhe ashiqare janë përzgjedhur për këtë, «janë kërkuar»; në redaktimin e parë kjo përzgjedhje ishte pakasa e ndryshme:
1) Jevull, Mokkij, Jevllogij;
2) Varahasij, Dulla, Trefilij; (Varadat, Farmufij)
3) Pavsikahij, Frumentij.
Në variantin përfundimtar:
1) Mokij, Sessij, Hozdazat;
2) Trifilij, Dulla, Varahasij; (Varadat, Varuh)
3) Pavsikihij, Vahtisij dhe Akakij.
Gjatë krahasimit të këtyre dy tabelave e dyta të lë përshtypjen e një përzgjedhjeje më të madhe artikulative – një sistemi origjinal tingullor.
Komizmi tingullor i këtyre emrave shpjegohet jo vetëm me pazakonshmërinë e thjeshtë (e pazakonta vetë në vetvete nuk mund të jetë komike), por në përzgjedhjen që parapërgatit komicitetin me njëtrajtshmërinë e prerë emri Akakij, dhe plus kësaj edhe Akakijeviç, i cili në një kombinim të tillë kumbon si një nofkë, duke fshehur në vetvete semantikën tingullore.
Komizmi përzmadhohet edhe më tepër me atë që këto emra, të preferuar nga gratë që i lindën, nuk dalin aspak prej sistemit të përgjithshëm. Në tërësi përftohet një mimikë e mëvetshme artikulative – gjesti tingullor.
Në këtë raport paraqet interes edhe një vend tjetër nga «Manteli», ku jepet përshkrimi i jashtëm i Akakij Akakieviçit: «Kështu, në një departament shërbente një nëpunës, një nëpunës që është gjynah t’i themi shumë i dallueshëm, shtatshkurtër, pakëz vrarëlije, pakëz kuqërrash, madje në të parë pakëz miop, me një plloçë të vogël tullace në ballë, me rrudha në të dyja anët e faqeve dhe me një ngjyrë fytyre, që e quajnë hemorroidale». Fjala e fundit është vënë në atë mënyrë, që forma e saj tingullore përfton një fuqi emocionalo-ekspresive të veçantë dhe perceptohet si gjest komik tingullor pavarësisht nga kuptimi.
Ajo është parpërgatitur, nga njëra anë, me metodën e intensifikimit ritmik, nga ana tjetër – me konsoancën (rimën) e prapashtesave të disa fjalëve, që e përgatisin veshin për të perceptuar mbresën tingullore (rjabovat /vrarëlijë — рyzhevat/ kuqërrash — podsljepovat/miop), dhe prandaj kumbon madhështore, fantastike, jashtë çdo marrëdhënieje me kuptimin.
Interesante është se në redaktimin e parë kjo frazë ka qenë shumë më e thjeshtë: «…kështu, në këtë departament shërbente një nëpunës, që s’para ta zinte syri, – shtatshkurtër, me puçrra vararëlije, kuqalash, madje në dukje miop».
Në formën përfundimtare, kjo frazë nuk është aq sa përshkrimi i jashtësisë, sesa riprodhueshmëria e saj mimiko-artikulative: fjalët janë zgjedhur e janë vënë në një rend të njohur jo sipas principit të domethënies së tipareve të karakterit, por sipas principit të semantikës tingullore.
Shikimi i brendshëm mbetet i paprekur (mendoj se s’ka gjë më të vështirë se sa të vizatosh heronjtë e Gogolit) prej gjithë frazës në kujtesë mbetet, me gjasën më të madhe, përshtypja e njëfarë aparati tingullor që përmbyllet me një rrokullimë pothuaj logjikisht të pakuptimtë, por ama jashtëzakonisht të fortë për nga ekspresiviteti i tij tingullor i fjalës – «hemorroidale». Këtu do të ishte krejtësisht i aplikueshëm vëzhgimi i D. А. Оbоljеnskijt, që Gogoli nganjëherë «vendoste ndonjë fjalë tingullore vetëm e vetëm për efekt gramatikor». E gjithë fraza ka trajtën e tërësisë së mbaruar – të një farë sistemi të gjesteve tingullore, për realizimin e së cilës janë përzgjedhur fjalët. Prandaj këto fjalë si njësi logjike, pothuajse nuk ndjehen si shenja nocionesh – ata janë çmontuar e janë përzgjedhur sërish sipas principit të ligjërimit tingullor. Ky është njëri prej efekteve të mrekullueshme në gjuhën e Gogolit.
Frazat e tjera të tij ndikojnë si mbishkrime muzikore – aq shhtyhet në plan të parë artikulimi dhe akustika.
Fjala më e rëndomtë, serviret prej tij në një rast tjetër, në atë mënyrë që domethënia e saj (fjalës) logjike apo lëndore zbërdhylet- ama shpaloset semantika tingullore, dhe emërtimi i thjeshtë merr trajtën e nofkës: «…u ndesha me budoçnikun, i cili, duke vënë diku afër vetes alebardin e tij, përplasi një bri të vogël pas grushtit plot kallo duke shkundur pak duhan». Apo: «Mund të ngjasë edhe kështu, sikundër ka shkuar moda, jaka do të mbërthehet nën putërza të argjendta (llapki pod aplike)». Rasti i fundit është një lojë e padyshimtë e artikulimit (përsëritja e lpk – plk).
Gogoli nuk ka mesatare ligjërimi – nocione të thjeshta psikologjike apo lëndore, të lidhura logjikisht në fjali të rëndomta. Ligjërata tingullore artikulativo-mimetike ndërkëmbehet me një intonacion të tendosur, i cili formon periudhat.
Në këtë ndërkëmbim janë krijuar shpesh veprat e Gogolit. Në «Manteli» ka një shembull të përndezur të një bashkëveprimi intonativ, të periudhës patetike-deklamative: «Madje në ato orë kur fiket krejtësisht qielli i shpëlarë petërburgas dhe gjithë sëra e nëpunësve ka ngrënë mirë drekë, sikush pas mundësive, konform rrogës së paguar dhe joshjes vetjake, – kur të gjithë janë shplodhur tashmë pas gërvimës së pendave nëpër dikastere, varavingave poshtë e lart, andrallave personale e havaleve të huaja dhe gjithçkaje që të jepet lirshëm, madje më shumë sesa duhet, njeriu çapkën…» etj.
Periudha tepër e gjatë, që e shpie intonacionin në fund gjer në tendosjen maksimale, zgjidhet papritmas thjesht: «…me një fjalë, edhe atëherë, kur të gjithë gjakojnë të dëfrehen, Akakij Akakijeviç nuk i jepej asnjëfarë dëfrimi».
Na del se mbresa e komizmit jokorrespondues ndërmjet tendosjes së intonacionit sintaksor, që ka nisur shurdhazi e misteriozisht, është dhe zgjidhje kuptimore. Kjo mbresë përforcohet edhe më me rendin e fjalëve, si të thuash kasten me karakterin mospërkues të periudhës sintaksore: «kapelëza», «çupëza lyer-ngjyer», «duke gjerbur çaj prej gotave me peksimete», së mbrami – ndërfutja shkarazi e një anekdote mbi monumentin e Falkonetit.
Kjo kundërti apo mospërkim aq ndikon mbi vetë fjalët, sa ato bëhen të çuditshme, enigmatike, jashtëzakonisht kumbuese që sugjestionojnë dëgjimin – mu sikur të zbërthyera në pjesë apo të sajuara për herë të parë prej Gogolit. Ka në «Manteli» dhe një deklamim tjetër, që ngulfatet papritmas në stilin e përgjithshëm të kalamburit – sentimentalo-dramatik; ky është vendi i mirënjohur «human», të cilit aq shumë i ka ecur në kritikën ruse, saqë ai nga një efekt reaksioni a truku (prijom) artistik, u shndërrua në «ide» të krejt novelës: «Lermëni rehat, përse po më fyeni?” Dhe diç e çuditshme përmbyllet në këto fjalë dhe në këtë zë, me të cilin qenë artikuluar. Diç e tillë dëgjohej në të që prirej përkah ankimi, saqë një djalosh… Dhe gjatë mandej, në minutat më të hareshme, i shëmbëllente atij me një nëpunës rangu tepër të ulët me një pullë qerose në ballë…
Dhe në këto fjalë tejpërshkuese tringëllinin të tjera fjalë… “Dhe mbuloi fytyrën me dorë…» etj. Në dorëshkrimet e papastra ky vend mungon – është shtuar më vonë dhe, pa dyshim, i përket një shtresëzimi të dytë që e koklavit stilin e kulluar anekdotik të dorëshkrimit zanafillor me elementet e deklamacionit patetik.
Me personazhet e tij kryesore në «Manteli», Gogoli jep të flitet shumë pak, dhe, si gjithëherë te ai, ligjërata e tyre është formësuar në një mënyrë posaçe, kështu që, pa marrë parasysh dallimet individuale, kjo ligjëratë asnjëherë nuk ngjall përshtypjen e ligjërimit jetësor, sikundër, për shembull, tek Ostrovskij (jo më kot Gogoli lexonte ndryshe) – ligjërimi gjithnjë është i stilizuar.
Ligjërata e Akakij Akakieviçit ndërkallet në sistemin e përgjithshëm të ligjërimit tingullor gogolian dhe mimetikës së artikulimit – ajo është ndërtuar posaçërisht dhe është e nginjur me komentarë: «Duhet ditur se Akakij Akakieviç më së shpeshti shpjegohej me anë të parafjalëve, ndajfoljeve dhe, së mbrami, me të tilla pjesëza, të cilat vendosmërisht nuk kanë asnjë lloj kuptimi».
Ligjërata e Petroviçit është e kundërta e artikulimit fragmentar të Akakij Akakieviçit, e ndërtuar thukët, e përpiktë, kompakte dhe ndikon si kontrast, nuanca jetësore ajo nuk ka — intonacioni i përditshmërisë kësaj ligjërate nuk i shkon, ajo gjithashtu është e «kërkuar» dhe gjithashtu arbitrare, njëlloj si ligjërata e Akakij Akakieviçit.
Si rëndom, tek Gogoli (shih. në «Çifligarët mondanë», në «Rrëfim se si u zunë…» , në «Shpirtra të vdekur» dhe në dramat), këto fraza qëndrojnë jashtë kohës, jashtë momentit – të ngrira njëherë e përgjithmonë: gjuha me të cilën mund të kishin folur marionetkat. Po kështu, e kërkuar është edhe ligjërata personale e Gogolit – rrëfimi i tij. Në «Manteli» ky rrëfim është stilizuar sipas një shkujdesjeje të posaçme, një dërdëllitje naive. Krejt pavullnetshëm kërcejnë detajet e «panevojshme» : «… në krahun e djathtë qëndronte kumbari, një njeri i mrekullueshëm, Ivan Ivanoviç Jeroshkin që shërbente si kryetar tryeze në senat, dhe kumbara, gruaja e një oficeri të lartë, grua virtytesh të rralla, Arina Semjonovna Bjellobrjushkova».
Ose rrëfimi gogoljan përfton karakterin familjar fjalëshumë: «Për këtë rrobaqepës, sigurisht, s’do t’ia vlente të flisnim shumë, por meqë ia hymë muhabetit, që në rrëfim karakteri i çdo personazhi të jetë i përcaktuar qartë, atëherë s’kemi nga t’ia mbajmë, jepnani edhe Petroviçin ta buburrojmë».
Truku komik në këtë rast qëndron në faktin se pas një shpalljeje të këtillë, «karakteristika» e Petroviçit shterohet me treguesin se ai në çdo festë pi turlifarë pijesh pa dallim.
E njëjta gjë përsëritet edhe në lidhje me gruan e tij: «Meqenëse na zuri lemza edhe për gruan e tij, atëherë duhen thënë edhe nja dy llafe për të; por, për fat të keq, për të dihet shumë pak, gjithëqysh vetëm fakti se Petroviçi ka një grua, madje mban rrjetë e jo shami; ama përkah bukuria, me sa duken bathët, ajo s’mundej të lëvdohej; tek e fundit, gjatë takimit me të, vetëm ushtarët e gardës ia hidhnin sytë përposh rrjetës, nën dridhjet e mustakut dhe nëpërhundjen e njëfarë hungërime të veçantë».
Veçanërisht prerazi është fiksuar ky stil rrëfimi në një frazë: «Se ku banonte tamam-tamam nëpunësi i grishur, këtë, për fat të keq, nuk mundemi t’ua themi: kujtesa fillon të na tradhëtojë fort dhe gjithësa janë në Petërburg, gjitha rrugët dhe shtëpitë përziheshin në kokë lesheli, saqë është tepër e vështirë të nxjerrësh së andejmi diç në trajtë të qartë».
Nëse i bashkojmë kësaj fraze të gjitha “diç-ët” e shumta, «për fat të keq”, “fare pak dihet», «asgjë nuk dihet», «s’e mbaj mend» etj., atëherë kemi idenë e metodës që i jep gjithë rrëfimit iluzionin e historisë së vërtetë, të servirur si fakt, porse jo në të gjitha çikërrimat të njohura prej rrëfyesit.
Ai lehtësisht shmanget dhe prej anekdotës kryesore dhe ndërkall intervaloren «thonë se»; kështu, në fillim për lutjen e një kapiteni («nuk më bie në hatër nga cili qytet»), kështu për prindërit e Bashmaçkinit, për bishtin e kalit të monumentit të Falkonetit, për këshilltarin titullar, të cilin e bënë administrator, pas së cilës ai e gardhoi veten në një dhomë të veçantë që e quajti «dhomën e pranisë», etj.
Dihet që vetë novela lindi prej një «anekdote kancelare» mbi një nëpunës të vobektë që kishte humbur pushkën e tij, për blerjen e të cilës kishte mbledhur lekët gjatë e mundimshëm: «Anekdota ka qenë mendimi zanafillor i novelës së tij të mrekullueshme “Manteli”», – na bën me dije P. V. Annenkov. Titulli i saj zanafillor ka qenë – «Rrëfim për nëpunësin që i grabitën mantelin», dhe karakteri dominues i rrëfimit në dorëshkrimet e papastra dallon për nga një stil edhe më i madh i llomotive dhe familjaritetit: «Njëmend, nuk më kujtohet mbiemri i tij», «Në thelbin e vet kjo ishte një kafshëzë shumë shpirtmirë», etj.
Në trajtën përfundimtare Gogoli i latoi paksa truket e një lloji të tillë, e nginji rrëfimin me kalambure dhe anekdota, por ama e ndërkalli deklamacionin, duke e ndërlikuar me këtë shtresën zanafillore të kompozicionit.
U përftua grotesku, në të cilin mimika e të qeshurës ndërkëmbehet me mimikën e hidhërimit – edhe njëra, edhe tjetra kanë kategorinë e lojës, me njëpasnjëshmërinë arbitrare të gjesteve dhe intonacioneve.
3
Të ndjekim tani vetë këtë ndërkëmbim – me qëllim që të kapim vetë tipin e hallkëzimit të trukeve të veçanta. Në bazë të hallkëzimeve ose kompozicionit gjendet rrëfimi, tiparet e të cilit i përcaktuam më lart.
Rezultoi se ky rrëfim nuk është rrëfimor (narrativ), porse mimiko-deklamativ: jo përralltar, por zbatues (përmbushës/ekzekutues), komedianti thuajse fshihet pas tekstit të shtypur të «Mantelit». Cili pra është «skenari» i këtij roli, cila është skema e tij?
Vetë fillimi paraqet në vetvete konfrontim, pushimi – ndryshimin e prerë të tonit. Hyrja me përshkrimin e punës («Në departament») papritmas ndërpritet dhe intonacioni epik i rrëfimtarit që pritej, ndërkëmbehet me një ton tjetër – me ekzagjerimin e irritimit dhe sarkazmës. Përftohet përshtypja e improvizimit – kompozicioni zanafillor menjëherë ia lë vendin dofarë digresionesh.
Ende asgjë nuk është thënë, ndërsa anekdota tashmë qet krye, e treguar shkujdesshëm e shkel-e-shko («s’më kujtohet prej çfarë qyteti», «prej çfarë krijimi romantik»). Por fill pas kësaj, me sa duket, toni i nënvizuar në zanafillë: «Dhe kështu, në një departament shërbente një nëpunës». Megjithatë, kjo mësymje drejt rrëfimit epik ndërkëmbehet sakaq me frazën për të cilën u fol më lart, aq të kërkuar, aq akustikë për gjithë natyrën e rrëfimit, saqë prej përshkrimit të punës nuk mbetet asnjë gjurmë.
Gogoli hyn në rolin e tij dhe përfshin këtë përzgjedhje ekspresive fjalësh që tingëllojnë madhërisht me fjalën pothuajse krejt të pakuptimtë («hemorroidale»), ai e përmbyll këtë lëvizje me një gjest mimetik: «E çfarë të bësh!
Fajin e ka klima petërburgase». Toni vetjak, me të gjitha truket e rrëfimit gogolian, ngulfatet përcaktueshëm në rrëfim dhe përfton karakterin e ngërdheshjes groteske dhe grimasës.
Kësisoj, është parapërgatitur ndërkalimi për tek kalamburi i mbiemrit dhe tek anekdota mbi lindjen dhe pagëzimin e Akakij Akakieviçit. Frazat që përshkruajnë punën dhe që përmbyllin këtë anekdotë («kësodore pra erdhi në dritë Akakij Akakieviçi… Ja pra se në çfarë feje ka ngjarë e gjitha kjo»), sjellin ndjesinë e lojës me formën rrëfimtare (narrative) – jo më kot në të maskohet një kalambur i lehtë që i jep atij pamjen e përsëritjes kokëngjeshur.
Kalon një përrua «përqeshjesh» dhe në mënyrë të tillë vazhdon rrëfimi gjer tek fraza: «…por asnjë fjale nuk i përgjigjej…», kur rrëfimi komik ndërpritet papritmas me digresionin sentimentalo-melodramatik dhe me truket karakteristike të stilit të ndjeshëm. Me këtë truk (metodë/prijom) mbërrihet evoluimi i «Mantelit» prej një anekdote të thjeshtë në grotesk. Përmbajtja sentimentale dhe kastile primitive e këtij fragmenti (në këtë pikë grotesku i ngjet melodramës) është përcjellë me ndihmën e intonacionit të tendosur që vjen duke u intensifikuar dhe që ka karakter patetik e solemn (fillimi me «dhe» dhe përzgjedhja e veçantë e fjalëve: «Dhe diç e çuditshme përmbyllej… Dhe mjaft gjatë mandej… ai përfytyronte…
Dhe në këto fjalë nëpërshkuese… Dhe, duke mbuluar fytyrën me duar… Dhe shumë herë qe rrënqethur ai…»).
Përftohet diç e tillë e ngjashme me metodën e «iluzionit skenik», kur aktori befas del me përpikmëri prej rolit të vet dhe fillon të na flasë si njeri (shih në «Revizori» – «Kë po përqeshni?
Veten po përqeshni!» apo në të famshmen «Mërzi e madhe në këtë botë jallane, zotërinj!» nga «Rrëfim për atë se si u grind…»). Te ne janë mësuar ta kuptojnë këtë moment drejtëpërdrejt – truku artistik që e shndërron novelën komike në grotesk dhe që e parapërgatit fundin «fantastik» , është kuptuar si ndërhyrje e sinqertë e «shpirtit». Nëse ky mashtrim është «ngadhënjimi i artit», sipas shprehjes së Karamzinit, nëse naiviteti i spektatorit ndodh të jetë naiv, atëherë për shkencën një naivitet i tillë nuk është aspak ngadhënjim, sepse zbulon cullak pafuqishmërinë e tij.
Me një interpretim të tillë gremiset tërë struktura e «Mantelit», krejt ideja artistike e tij. Nisur nga gjendja fundamentale – që asnjë frazë e veprës letrare nuk mund të jetë në vetvete thjesht «pasqyrim» i ndjenjave private të autorit, përse gjithëherë është ndërtim dhe lojë, ne nuk mundim dhe s’kemi asnjë të drejtë të shohim në fragmentin e përmendur diç tjetër, përpos trukut të përcaktuar artistik. Maniera e rëndomtë për të identifikuar ndonjë gjykim të veçantë me përmbajtje psikologjike të shpirtit të autorit është një rrugë mashtrimtare për shkencën.
Në këtë kuptim, shpirti i artistit si njeri që përjeton një gjendje apo një tjetër, prore mbetet dhe duhet të mbetet jashtë sinoreve të veprës së tij. Vepra artistike është prore diç e krijuar, e formësuar, e sajuar – jo vetëm mjeshtërore, por edhe artificë në kuptimin e mirë të kësaj fjale; dhe prandaj në të s’ka dhe nuk mund të ketë vend për reflektimin e empirikës shpirtërore.
Mjeshtëria dhe artifica e trukut gogolian në këtë fragment të «Mantelit» na shpërfaqet veçanërisht në ndërtimin e kadencës qartësisht melodramatike – në trajtën e sentencës primitivo-sentimentale të shfrytëzuar prej Gogolit me qëllim që të pohojë groteskun: «Dhe e mbuloi fytyrën me dorë djaloshi i mjerë, dhe shumë herë u rrënqeth ai mandej në jetën e tij, duke parë, sesa shumë çnjerëzi ka brenda njeriut, sa shumë egërsi mizore fshihet në delikatesën e rafinuar të mondanitetit të kulturuar, dhe, o Zot! edhe brenda atij njeriu që bota e ka pranuar si fisnik e të ndershëm…»
Episodi melodramatik është shfrytëzuar si kontrast për rrëfimin komik. Sa më mjeshtërore të jenë kalamburet, sigurisht, aq patetik e i stilizuar për kah primitivizmi duhet të jetë truku që thyen lojën komike.
Forma e meditimit serioz nuk do të kishte dhënë kontrast dhe nuk do të kishte qenë e aftë t’ia përcjellë menjëherë gjithë kompozicionit karakterin grotesk.
Prandaj nuk është e habitshme që menjëherë pas këtij episodi Gogoli rikthen e mëparshmja – herë tek përshkrimi i punës, herë shkujdesshëm tek toni i trillshëm e llomotitës, herë tek kalamburet e tilla: «…vetëm atëherë ai pikasi se nuk gjendej në mes të rreshtit, por më saktënë mes të rrugë». Me të rrëfyer sesi ha Akakij Akakieviçi dhe si e ndërpret të ngrënën kur stomaku i tij nis të «stërfryhet», Gogoli rishmi nis me deklamacion, por tashmë paksa të një lloji tjetër: «Madje edhe në ato orë, kur…» etj. Këtu për llogari të po atij grotesku është shfrytëzuar intonacioni serioz e enigmatik «i shurdhër» që intensifikohet ngadalë në trajtën e një periudhe kolosale dhe që zgjidhet papritshmërisht thjesht – e pritshme për nga tipi i periudhës sintaksore, me ekuilibrin e energjisë kuptimore ndërmjet ngjitjes së gjatë («kur… kur… kur») dhe pa u realizuar me kadencë, për çka paralajmëron vetë përzgjedhja e fjalëve dhe shprehjeve.
Mospërkimi ndërmjet intonacionit seriozo-solemn në vetvete dhe përmbajtjes kuptimore është shfrytëzuar sërish si truk grotesk.
Në këmbim të këtij «mashtrimi» të ri të komediantit shfaqet natyrshëm një kalambur i ri mbi këshilltarët, me të cilin edhe përmbyllet akti i parë i «Mantelit»: «Kështu rridhte jeta e paqtë e njeriut…», etj.
Ky vizatim i spikatur në pjesën e parë, në të cilin rrëfimi i kulluar anekdotik ndërthuret me deklamacionin solem e melodramatik, përcakton ndërkaq gjithë kompozicionin e «Mantelit» si grotesk.
Stili i groteskut kërkon që, në radhë të parë, gjendja e përshkruar apo ngjarja të jetë e përmbyllur në një botë të vockël gjer me përmasa fantastike të përjetimeve artificiale (kështu edhe në «Çifligarët e mondanitetit të vjetër», në «Rëfim për atë se si u grind…»), bota është gardhuar krejtësisht prej realitetit të madh, nga plotmëria e vërtetë e jetës shpirtërore dhe së dyti, që kjo të bëhej me qëllim jo didaktik e jo satirik, por me qëllim të shpërfaqë hapësirën për lojën me realitetin, për zbërthimin dhe zhvendosjen e lirë të elementeve të saj, kështu që përpjestueshmëria dhe lidhjet e zakonshme (psikologjike dhe logjike) këtu na dalin në këtë botë të ndërtuar sërishmi të pavërteta dhe çfarëdo çikërrime mund të rritet gjer në përmasat kolosale.
Vetëm në sfondin e një stili të tillë shkëlqimi më i vogël i ndjenjës së vërtetë përfton pamjen e diçkaje tronditëse.
Në anekdotën mbi nëpunësin Gogoli pati çmuar pikërisht këtë kufijëzim fantastik, përbërjen e përmbyllët të mendimeve, ndjenjave dhe dëshirave, në sinoret e ngushta të së cilit artisti është i lirë të përzmadhojë detajet dhe të thyejë proporcionet e zakonshme të botës. Mbi këtë bazë është ravijëzuar skicëzimi i «Mantelit».
Këtu nuk është fjala aspak për «kotësinë e Akakij Akakieviçit dhe as për predikimin e «humanizmit» ndaj vëllait të vogël, porse në faktin se, duke gardhuar gjithë sferën e rrëfimit prej realitetit të madh, Gogoli mund të bashkojë të pabashkueshmen, të përzmadhojë të voglën dhe të shkurtojë të madhen – me një fjalë, ai mund të lozë me të gjitha normat dhe ligjësitë e jetës reale shpirtërore. Kështu dhe vepron ai. Bota shpirtërore e Akakij Akakieviçit (nëse na lejohet një shprehje e tillë) – nuk është e kotësishme (këtë na e kanë lënë trashëgim historianët tonë të letërsisë, të ndjeshëm e naivë, të hipnotizuar prej Bjelinskit), porse bota e tijfantastikisht e përmbyllur: «Aty, në këtë kopjim shkresurinash, atij i fanitej njëfarë bote e vet shumëllojëshe (!) dhe e këndshme… Jashtë këtij kopjimi shkresurinash, i dukej se për të asgjë tjetër nuk ekzistonte».
Kjo botë ka ligjësitë e saj, proporcionet e saj. Një mantel i ri sipas ligjësive të kësaj bote, rezulton si ngjarje madhështore dhe Gogoli na jep një formulë groteske: «…ai përpiqej shpirtërisht, duke bartur në mendime idetë e tij të përjetshme për mantelin e ardhshëm».
Dhe ende: «…mu sikur ai të mos ishte më i vetëm, por njëfarë shoqe jete e këndshme të pranonte ta bënin së bashku rrugën e jetës, dhe se kjo shoqëzë nuk ishte kush tjetër, pos ai mantel i mbushur me shtresë të trashë pambuku dhe me astar të fortë». Detajet e imëta nxirren në plan të parë – sikundërse thonjtë e Petroviçit, «të trashë e të fortë, si kafkulli i breshkës», apo kutia e tij e burnotit «me portretin e njëfarë gjenerali, cilit tamam, nuk merrej vesh, sepse vendi ku ndodhej fytyra, qe shpuar tejpërtej me gisht dhe pastaj qe zënë me një copë letër katërkëndëshe të ngjitur me zamkë». Ky hiperbolizim grotesk shtjellohej po si më parë në sfondin e rrëfimit komik – me kalambure, fjalë e shprehje qesharake, anekdota, etj.: «Kunadhe nuk kishin blerë, sepse kushtonte, tamam shtrenjtë, por në vend të saj zgjodhën macen më të mirë që gjendej në pazar, një mace, të cilën prej së largu mund ta merrje gjithnjë për kunadhe». Apo: «Se cila pikërisht dhe me se kish të bënte posti i personit të rëndësishëm, kjo ka mbetur deri më tash e panjohur.
Duhet ditur që një person i rëndësishëm para do kohësh u bë person i rëndësishëm dhe para kësaj kohe ai ishte person i parëndësishëm». Apo: «Thonë mandej se njëfarë këshilltari titullar, kur e bënë njëherë drejtues të një farë kancelarie të vogël të veçantë, ai saora e gardhoi veten me një dhomë veçmas, të cilën e quajti «dhoma e pranisë», dhe vendosi te dyert dofarë kapeldinerësh me jaka të kuqe, me shirita, të cilët kapnin dorezën dhe ia hapnin derën gjithkujt kush vinte, edhepse në «dhomën e pranisë» mezi mund t’i bëje vendin një tryeze shkrimi të rëndomtë».
Afër me këto kalojnë frazat «prej autorit» në fillim të startuara me një ton të shkujdesur, pas të cilit fshihet me saktësi ngërdheshja: «Apo ndofta as këtë nuk e ka menduar, se s’ke de si t’i hysh në shpirt robit (këtu gjithashtu kemi një kalambur në llojin e vet, nëse kemi parasysh traktimin e përgjithshëm të figurës së Akakij Akakieviçit) dhe të dish gjithçka, çfarë t’i shkojë nëpër mend atij» (loja me anekdotën – thuajse bëhet fjalë për të vërtetën). Vdekja e Akakij Akakieviçit është rrëfyer në mënyrë po aq groteske, sikundërse dhe jeta e tij, me njëpasnjëshmërinë e imtësirave komike dhe tragjike – «së mbrami i shkreti Akakij Akakieviç dha shpirt e vdiq», me zhvendosjen e beftë e të drejtpërdrejtë tek gjithëfarë imtësirash (numërimin e trashëgimisë: «Një dorë pendë rose, një pako letër të bardhë, tre palë çorape, nja dy-tre komça që i qenë këputur prej pantallonave dhe tashmë të shumënjohurën për lexuesin, mantelin») dhe, së mbrami, me përmbylljen në stilin e zakonshëm: «Kujt t’i ketë mbetur gjithë kjo trashëgimi, një zot e di, për këtë, e pranoj, as nuk qe interesuar rrëfimtari i kësaj historie». Dhe pas gjithë kësaj, një tjetër deklamacion melodramatik, sikundër dhe pritej pas paraqitjes së një skene aq të pikëllueshme, duke na kthyer tek vendi «humanist»: «Dhe Petërburgu mbeti pa Akakij Akakieviçin, thuajse në të ai kurrë s’paskësh qenë.
U zhduk e u fsheh një krijesë – e pambrojtur prej askujt, për askënd e shtrenjtë, për askënd interesante, madje pa i tërhequr vëmendjen as vëzhguesve natyralistë, që nuk lënë pa mbërthyer në gjilpërë me kokë as mizën më të rëndomtë e pa e kundruar mirë me mikroskop…», etj. Fundi i «Mantelit» është një apoteozë e groteskut efektiv, diçka e ngjashme me skenat memece të «Revizorit». Shkencëtarët naivë që shihnin në vendin «human» gjithë kripën e novelës, ndalen të budallallepsur para zabatimit (aplikimit) të «romantizmit» në «realizëm». Atyre ua ka sugjeruar vetë Gogoli: «Po kush mund ta përfytyronte, se këtu ende nuk janë thënë të gjitha për Akakij Akakieviçin, që qenkësh thënë të jetojë bujshëm edhe disa ditë pas vdekjes së tij, si të thuash, në shpërblim të asaj jete të pa vënë re prej askujt.
Por kështu ka ngjarë, dhe histori-zeza jonë papritmas merr një fund fantastik». Në të vërtetë, ky fund nuk është aspak më jo fantastik dhe «romantik», se sa gjithë novela. Përkundrazi, gjatë novelës ka qenë grotesku i vërtetë fantastik, i përcjellë si lojë me realitetin; këtu rrëfimi pluskon në botën fakteve e përfytyrimeve më të zakonta, porse gjithçka traktohet në stilin e lojës me fantastiken.
Ky është një “mashtrim” i ri, truk i groteskut të përkundërt: «…fantazma befas hodhi sytë përrotull dhe duke ndaluar, pyeti: «Ti ç’mutin do?» dhe tundi një grusht të tillë, që as ndër të gjallët s’bën vaki. Kalimtari tha: «Hiç» dhe u kthye sakaq, mbrapsht.
Megjithatë, fantazma qe shumë më shtatlartë, mbante një palë mustaqe të stërmëdha dhe, duke shtrirë hapat, siç u pa, drejt urës së Obuhovit, humbi krejtësisht në errësirë».
Finalja e hapur dhe e shtrirë e anektodës na nxjerr shmangas në anë prej «histori-zezës» me episodet e saj melodramatike. Kthehet rrëfimi i kulluar zanafillor me të gjithë truket dhe metodat (prijom-et) e tij.
Bashkë me fantazmën mustaqellie largohet në errësirë dhe gjithë grotesku, duke u zgjidhur në të qeshur. Kështu dhe në «Revizori» humbet Hljestakovi dhe skena memece e kthen spektatorin në fillim të komedisë.
1924
Burimi: Ejhenbaum B. Mbi prozën. Mbi poezinë. – Leningrad.: Hudozh. Lit., 1986. – C. 45-63.
Shënim: Punimi për herë të parë është publikuar në përmbledhjen: Poetika. – Petërburg., 1919. – f. 151-165; mandej në librin: Ejhenbaum B. M. Tejpërtej letërsisë. – Leningrad., 1924. – f. 171-175.
Përktheu nga origjinali: Agron TUFA
* Boris Mihajlloviç Ejhenbaum (16.10.1886 – 2.11.1959)
Studiues rus i shkencave të letërsisë, doktor shkencash filologjike, profesor i universiteteve peterburgase. Më 1918 hyri në grupin OPOJAZ. Ka shkruar studime mbi çështjet e kompozicionit, ritmit, stili.
Në punimet e vona, kushtuar kryesisht L. N. Tolstoit dhe M. J. Lermontovit, gjakoi të analizojë pozicionin letrar të shkrimtarit në një sfond të gjerë historik, social dhe kulturor, duke kombinuar një material të gjerë bibliografik, dokumental e arkivor. Boris Ejhenbaum është një ndër liderët dhe shtyllat e shkollës së lavdishme të formalizmit rus. Ndikimi i tij ka qenë i madh në botën studimore filologjike e kritike europiane, mandej në shkollën semiotike ruse. / ObserverKult
Lexo edhe:
ERVIN HATIBI: KISHE PRITUR KAQ VITE TË RRITESHA…
Poezi nga Ervin Hatibi
Kishe pritur kaq vite të rritesha; mbaj mend sa herë vija
S’më flisje, vite me radhë, as që më shihje, dhe mendoj se
S’doje të më rëndoje, moshën e burgut s’kisha mbërritur
Kur erdhi dita, më pak se dhjetë minuta më fole, mjaftuan
Fjali të shpërndara, mirë që ishin filmat, t’i lidhja
Litari i lagur u prish nga goditjet
Fije-fije m’u shprish litari për trup
Vite me radhë, binte zilja e derës dhe direkt heshtje binte
Se ktheheshe ti nga puna, Kombinati i Autotraktorëve,
Plak dhe punoje të plotësoje vitet për pension. Shteti
S’të lëshonte pa ta gjobitur rininë kur kalëroje
Mes kodrash, ullishtash të vjetra. Hapej dera
Hark që vazhdon e gjuan shigjeta, biçikleta, pastaj ti
Në shtëpi sillje zì dhe uleshe i vetëm të haje
Dhe lugën në pjatë përplasje sa herë dikush bënte të fliste
Me sy ajrin blu tendosje, pas buke atë radion e madhe ndizje
Deri në fund volumin, radioja zmadhohej, dhe kokën
Zhysje thellë, shpinën kthyer nga ne të tjerët, të tepërt
Brenda lozhës sate vetmitare, radioja të mban në kohë
Dikur e fikje, vendin lëshoje, shkoje mbylleshe në ballkon
Mes karafilash kokëbardhë si ti e të kuq, s’hyn kush
Veç teje, me një thikë në dorë, dirigjent, saksive mih dhè
Aty-këtu degë të thara pret, kaq orë
Mbaj mend një herë kur erdhe e pe në oborr një tel
Shtrënguar pas trungut të një fiku dhe dorën ngrite
Për fyti befas kape mikun në shtëpi të vet, a të dhemb
I the, gati për sherr, pastaj telin lirove, i vetëm në pyll
Karafilat lëmoje kaq orë ndër saksi, kati i dytë, pyll përmbi
Stacionin e autobusit ku zbrisja; ngrija kokën, ballkonin shihja
Dhe skuqesha, më dukej se gjithkush kuptonte ku vija
Te ky kopsht i varur mbi Tiranë, si fustan, nga poshtë
U prish litari, në trup m’u prish litari
E s’kishte më me ç’të më binte. Nga tërbimi
Kandilin i kapi nga dora ushtarit
E ma mëshoi, flakë morën rrobat, ushtari më shoi
E dija mirë që filma nuk shihje, ndaj të ndërpreva
Fytyrëmpirë, mbaj mend, bëzana: s’është e vërtetë
E më bërtite-po këto! dhe kyçet e duarve si përgjigje
M’i sule turinjve dhe syri në lot të plasaritej
Përqark në kyçe, vraga të bardha, plagët nga prangat
Qe dita kur vendose, s’di pse, se qeshë rritur
Me aq u ndale, hera e parë dhe e fundit
Sa hap-e-mbylle shpejt sobën që djeg për një copë degë
Asnjë fjalë më për burgun njëzet vite të tjera, vetëm se
Historitë që s’m’i tregove dot fëmijë, nisa t’i meritoj tani
Histori e atij që vjel pemën me sy, e atij që hënës i beson gjakun
Dhe ajo ia merr hakun, apo histori e burrit kur sheh si të shoqes
I ikën bukuria, sapo digjet shtëpia, shtëpi e magjepsur
Më kishe trajtuar rëndë dikur për faj të moshës kur s’kuptoja
Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:
ERVIN HATIBI: PRANIA E GRUAS
Që në varg të parë mungon si përmendje
Kurse prania fillonte t’i ndihej
Gjithnjë e më fort, si ndihet pas perdes në një dhomë
Përherë më të huaj-prania e gruas
Për herë të parë e takon
Dhoma fryhet kraharor
Me mungesën e gruas
Të vishet ka shkuar, të zhvishet, kush po di më
Pritja humb kahe në mes të pranisë
E di veç se këtej perdes dhoma po mbushet gjithë
Lundërthyerje, në kuptimin më të mirë
Që lë më pas kjo skenë në kujtesë
Në dy të mbijetuar, ndarë me perde
Njerí veç njëri qe, tjetri s’u përmend
Ende, as në vargun e katërmbëdhjetë, pesëmbëdhjetë
Praní vetëm ndihej
Më shumë se prani, përfshirje
Si në ëndrra, gjithë ditën, nga koka drejt gjoksit ti botë distilon
Pa e ditur
Vjen nata, orë e rërës përmbyset prej gjoksit në kokë
Përmes fytit rërën e yjësive pikon
Të të formojë me kafshë e heronj, të t’i zhvendosë butë, errët brenda
Kupton se kjo ëndërr s’mund të qe jotja
Hap gojën të quash kë t’ëndërron-mbytet ëndrra
Pa rëndësi emri që desh shqiptove
Fjalët vonojnë , asgjë s’e përmbledh në fjalor
Sidomos
Praninë që ndjek dhe kur përzihesh prej saj
Si faj, si një fletë-gjobë në xhamin e pasmë, përndjek
Çdo fjalë shkruar buzë saj
Për të flet
Rrëzë një shkëmbi në kthesë
Gur i rrahur me dafinë e diell
Hajku, jo gjobë shkruan polici rrugor
Buzë një parkimi që imiton saktë
Një aksident veror
Makina braktisur, shoferi ka zbritur
Ta prekë me dorë që ta besojë
E dora i bëhet direkt horizont, xhami përpara
Zbrazet nga jugu, dikur dhe xhami pas
Mbetet veç shkrimi policor ta dëshmojë fort
Praninë, me fjalë që mungojnë
Edhe në vargun e tetëmbëdhjetë e poshtë, gjer në fund
Fjalë shkruar keq, veç letra u jep pak vlerë
Një gjobë që do paguar tash thellë në qytet, kokekëmbë
Mbështjellë xham e asfalt
Kozmonaut, ti e di tashmë që këtu s’përket
Tashmë që e ke parë
Si mbështillej në vështrim rreth teje
Si të bënte më në fund qenie, të denjë
Për përjetësinë marramendëse
Si bëhej aromë zhurma e tij, duhmë aromash therëse
Si të ta nxirrte prej kraharori një trëndafil, thellë
Me vështirësi
Me gjithë gjemba, e brenda, therës, gjak blu buit
E një klithmë të meket në gjumë
Derisa jashtë teje trëndafili të çelë, botën krejt deh
E emri i tij asgjë nuk përmend
Gruaja nga pas perdes po vonon, dot nuk del
Një veshje të vyer që më kot kërkuaka
Shtrënguar, në grusht, pas shpine ti fsheh, i mjerë
Trofé
ObserverKult