Ervin Hatibi: Kishe pritur kaq vite të rritesha…

Poezi nga Ervin Hatibi

Kishe pritur kaq vite të rritesha; mbaj mend sa herë vija
S’më flisje, vite me radhë, as që më shihje, dhe mendoj se
S’doje të më rëndoje, moshën e burgut s’kisha mbërritur
Kur erdhi dita, më pak se dhjetë minuta më fole, mjaftuan
Fjali të shpërndara, mirë që ishin filmat, t’i lidhja

Litari i lagur u prish nga goditjet
Fije-fije m’u shprish litari për trup

Vite me radhë, binte zilja e derës dhe direkt heshtje binte
Se ktheheshe ti nga puna, Kombinati i Autotraktorëve,
Plak dhe punoje të plotësoje vitet për pension. Shteti
S’të lëshonte pa ta gjobitur rininë kur kalëroje
Mes kodrash, ullishtash të vjetra. Hapej dera
Hark që vazhdon e gjuan shigjeta, biçikleta, pastaj ti
Në shtëpi sillje zì dhe uleshe i vetëm të haje
Dhe lugën në pjatë përplasje sa herë dikush bënte të fliste
Me sy ajrin blu tendosje, pas buke atë radion e madhe ndizje
Deri në fund volumin, radioja zmadhohej, dhe kokën
Zhysje thellë, shpinën kthyer nga ne të tjerët, të tepërt
Brenda lozhës sate vetmitare, radioja të mban në kohë
Dikur e fikje, vendin lëshoje, shkoje mbylleshe në ballkon
Mes karafilash kokëbardhë si ti e të kuq, s’hyn kush
Veç teje, me një thikë në dorë, dirigjent, saksive mih dhè
Aty-këtu degë të thara pret, kaq orë

Mbaj mend një herë kur erdhe e pe në oborr një tel
Shtrënguar pas trungut të një fiku dhe dorën ngrite
Për fyti befas kape mikun në shtëpi të vet, a të dhemb
I the, gati për sherr, pastaj telin lirove, i vetëm në pyll
Karafilat lëmoje kaq orë ndër saksi, kati i dytë, pyll përmbi
Stacionin e autobusit ku zbrisja; ngrija kokën, ballkonin shihja
Dhe skuqesha, më dukej se gjithkush kuptonte ku vija
Te ky kopsht i varur mbi Tiranë, si fustan, nga poshtë

U prish litari, në trup m’u prish litari
E s’kishte më me ç’të më binte. Nga tërbimi
Kandilin i kapi nga dora ushtarit
E ma mëshoi, flakë morën rrobat, ushtari më shoi

E dija mirë që filma nuk shihje, ndaj të ndërpreva
Fytyrëmpirë, mbaj mend, bëzana: s’është e vërtetë
E më bërtite-po këto! dhe kyçet e duarve si përgjigje
M’i sule turinjve dhe syri në lot të plasaritej
Përqark në kyçe, vraga të bardha, plagët nga prangat
Qe dita kur vendose, s’di pse, se qeshë rritur
Me aq u ndale, hera e parë dhe e  fundit
Sa hap-e-mbylle shpejt sobën që djeg për një copë degë
Asnjë fjalë më për burgun njëzet vite të tjera, vetëm se
Historitë që s’m’i tregove dot fëmijë, nisa t’i meritoj tani
Histori e atij që vjel pemën me sy, e atij që hënës i beson gjakun
Dhe ajo ia merr hakun, apo histori e burrit kur sheh si të shoqes
I ikën bukuria, sapo digjet shtëpia, shtëpi e magjepsur
Më kishe trajtuar rëndë dikur për faj të moshës kur s’kuptoja

U rrita e ndoshta pe se s’mbaja dot veç tregime të mira
As unë s’t’i përmendja të këqijat, as kur lexova në gazetë
Si të kujtonte një shok, si vrapon deri majë kodrës, e zbret
E ngjitesh prapë, për dënim, e zbret: Njerka e jot shoqe e re
Të shohin, i sheh, vrapon, pas telit me gjemba dot s’flisni
Ditën gjyqit, të dyja, s’të njohën, mes shokësh
Deri kur t’u thërrit emri, symbyllur, përzhiti qerpikët.

*Titulli i origjinalit: “Harallamb P.”

————————

LEXO EDHE:

ERVIN HATIBI: PËR HERË TË PARË E TAKON…