Konsiderohet njeriu më inteligjent në botë, me një mendje të mrekullueshme dhe një inteligjencë mes 250 dhe 300 pikëve. Uilliam Xhejms Sidis (William James Sidis) konsiderohej një makinë e vërtetë llogaritëse dhe gjeni i linguistikës, dikush nga i cili priteshin suksese të jashtëzakonshme falë inteligjencës që zotëronte.
Megjithatë, atij iu desh të përballej me problemin që e shoqëroi përgjatë rrugëtimit të jetës, duke e shpënë drejt vdekjes së parakohshme: trishtimin. Imagjinoni një fëmijë vetëm 18-muaj, që lexon “New York Times”, 8-vjeç fliste rrjedhshëm frëngjisht. Gjermanisht, rusisht, turqisht dhe armenisht, duke dominuar latinishtja dhe natyrisht anglishtja, gjuha amtare. Imagjinoni një fëmijë 9-vjeçar, i cili arriti të krijojë një gjuhë të re të quajtur “vedergood”. E studiuar nga gjuhëtarët dhe e gjykuar si e plotë, e saktë dhe magjepsëse.
Nuk pati kurrë fëmijëri, nuk iu lejua të jetonte si fëmijë
Uilliam Xhejms Sidis lindi në Nju Jork, më 1 prill 1898, djali i dy emigrantëve hebrenj nga Rusia. Për të është thënë e shkruar shumë, po siç ndodh rëndom në këto raste, për fat të keq, përfundon duke përzier trillimin me realitetin. Ekzagjerime të dhënash e biografi të trilluara me penën e artistikes dhe bojën e fantazisë. Kur në fakt pati një jetë të vështirë – megjithëse jashtëzakonisht interesante nga pikëpamja psikologjike.
Dëshmitë dhe dokumentarët ilustrojnë elemente tejet të rëndësishëm, njëri në veçanti me rëndësi themelore: Uilliam Xh. Sidis nuk pati kurrë fëmijëri. Nuk iu lejua të jetonte si fëmijë, pikërisht për shkak të inteligjencës së jashtëzakonshme.
Kur ishte 9-vjeç u pranua në Universitetin e Harvardit, kurse një natë të acartë janari 1910, në moshën 12-vjeçare mbajti leksionin e parë mbi dimensionin e katërt përpara shtypit dhe komunitetit shkencor të kohës.
Prindërit, një psikolog i njohur rus dhe një nga mjeket më të rëndësishme të kohës, kishin një qëllim të qartë. Dëshironin që ai të ishte gjeni. Të ishte njeriu më i zgjuar në botë. Iu përkushtuan kultivimit të mendjes, duke lënë pas dore atë që ishte shumë më e rëndësishme: zemrën, ndjenjat e tij.
Gjenetika, prirja dhe një mjedis veçanërisht i favorshëm
Prindërit e Uilliamit kishin një faktor i rëndësishëm gjenetik bazë e inteligjencës së lartë të zhvilluar tek djali i tyre. Qëllimi i çiftit për të ardhmen e fëmijës ishte njëherazi i qartë dhe i diskutueshëm: ata donin të trajnonin trurin e djalit që të bëhej gjeni.
I ati, Boris Sidis, përdori teknika të sofistikuara. P.sh hipnozën, për të maksimizuar aftësitë dhe potencialin e të birit.
E ëma la mjekësinë për t’iu përkushtuar edukimit, duke përdorur strategji risie në mësimdhënie. Sidoqoftë, nuk mund të mohohet se Uilliami ishte i prirur për të mësuar, edhe pse u traumatizua nga ekspozimet në publik dhe mediet.
Prindrit botonin raporte akademike për të dokumentuar përparimin e djalit. Shtypi, si dhe komuniteti shkencor, nuk e linin rehat. Gjatë kohës në Harvard, shtypi e përndoqi gjithnje.
Pasi u diplomua shkëlqyeshëm, duke i lënë gojëhapur akademikët me teoritë e tij për dimensionin e katërt, u transferua në Universitetin e Hjustonit. Atje dha leksione matematike. Ndërkohë filloi të studionte për jurisprudencë. Ishte vetëm 16-vjeç, kur mendja i tha: “Mjaft”. Më pas, filloi ajo që ai vetë, e quajti pelegrinazhi drejt ferrit.
Nuk e përfundoi jurisprudencën
Pavarësisht inteligjencës, Uilliami nuk e përfundoi jurisprudencën. Nuk ishte as 17-vjeç kur vendosi të rebelohej ndaj mjedisit akademik e eksperimental. Kjo pasi ndihej si kavie laboratori, i vëzhguar me lupë dhe i analizuar në çdo aspekt e mendim.
Në vitin 1919, u arrestua për rekrutim të rinjsh dhe nisjen e një demonstratë komuniste. Falë ndikimit të prindërve dhe famës, u lirua menjëherë. Një gjë e tillë u përsërit. Për t’u mbrojtur nga prindrit dhe nga vetë shoqëria, ai nxiti një kryengritje të rinjsh kundër kapitalizmit dhe u tregua shumë arrogant para gjykatësve. U dënua me 2-vjet, duke marrë kështu atë që dëshironte aq shumë: vetminë dhe izolimin.
Pasi rifitoi lirinë, gjëja e parë që bëri Uilliam Xh. Sidis ishte të ndryshonte emrin. Dëshironte një jetë në hije. Shtypi dhe prindrit vazhduan ta gjurmonin. U detyrua të ndërmerrte një pelegrinazh në Shtetet e Bashkuara, kohë kur kërkoi punë sporadike dhe iu përkushtua asaj që dëshironte më shumë: të shkruarit.
Botoi disa punime me pseudonime të ndryshme. Shkroi libra mbi historinë e tij, por edhe mbi teoritë mbi vrimat e zeza. Sipas ekspertëve, mund të ketë dhjetëra libra të harruar që fshehin, prapa një identiteti të rremë, figurën e Uilljam Xh. Sidis.
Një fund i parakohshëm dhe në vetmi
Uilliam Xh. Sidis dashuroi vetëm një grua: Marta Folei, një aktiviste irlandeze, me të cilën pati një marrëdhënie komplekse dhe të trazuar. Fotografia e saj ishte e vetmja që ata gjetën midis rrobave, kur trupi i tij u gjet i pajetë. Në një apartament të vogël në Boston, në vitin 1944, në moshën 46-vjeçare, vdiq nga një hemorragji cerebrale.
Uilliam Sidis i kaloi vitet e fundit, nga njëra gjykatë në tjetrën. Shtypit i pëlqente ta përkufizonte: “Fëmija i mrekullueshëm që nuk arriti asgjë, tani ngashërehet ndërsa punon magazinier”, “Njeriu më inteligjent në botë, bën një jetë të mjerueshme”, “Rrënohet gjeniu i matematikës dhe linguistikës”, “William J. Sidis u lodh së menduari”.
U lodh nga shoqëria, familja dhe mjedisi akademik
Nuk dihet nëse u lodh vërtet duke menduar, apo edhe së jetuari. Sidoqoftë, nga leximi i biografive del qartë se ai u lodh nga shoqëria, familja dhe mjedisi akademik që kishin pritshmëri shumë të mëdha, madje para se të lindte.
Ai u lodh duke mos qenë në gjendje të ishte vetvetja dhe, kur kishte mundësi ta bënte, nuk mundi. Ishte ekspert i dimensionit të katërt dhe vrimave të zeza, por tema më e rëndësishme në jetë, arti i të mësuarit dhe të luftuarit për lumturinë e vet, gjithmonë i shpëtonte nga duart, nga këndvështrimi dhe nga zemra…
Vazhdon të jetë njeriu më i zgjuar në botë deri më sot
Uilliam Xhejms Sidis vazhdon të jetë njeriu më i zgjuar në botë deri më sot, me IQ-në më të lartë të regjistruar ndonjëherë. Në vendin e dytë, gjejmë Terrence Tao, matematicieni i ri australian me IQ 225-230, i cili aktualisht jep mësim në universitetin e Los Anxhelosit.
ObserverKult