“Streha e Manekinëve” është romani më i ri i shkrimtarit Halit Shamata, botim i Shtëpisë Botuese “Fan Noli”.
Romani shtrihet në dy kohë, në të shkuarën e afërt të diktaturës dhe në ditët e sotmen, duke krijuar një kohezion kohor dhe strukturor, në një ndërvarje artistike.
Si i tillë, romani është një projeksion artistik, tragji-komik i fatit njerëzor nën diktaturë dhe një inerci paradoksale e tij në kohët e sotme. Autori ndjek fatin e personazheve që, nga të dënuar me burg, kthehen në “të dënuar me liri”, duke krijuar një të shkuar dhe një të tashme.
Në romanin e Shamatës, e shkuara imiton të tashmen shumë më tepër se e tashmja imiton të shkuarën, çka përfaqëson një ndër veçanësitë e modernitetit letrar.
Po ashtu, në roman vëmë re trajtimin e barabartë të faktit dhe trillimit, të realitetit dhe legjendës, të së vërtetës dhe gënjeshtrës, të tragjikes dhe komikes.
Vepra duket si një “inventar” i frikës dhe paranojës, i makthit dhe vuajtjeve të të gjitha shtresave shoqërore ndaj mekanizmit të dukshëm dhe të padukshëm të terrorit shtetëror, në diktaturën totalitare.
Një qytet i vogël dhe i përhumbur, që zor se mund të gjendet në ndonjë hartë, pavarësisht nga shkalla e zvogëlimit, e që quhet “Streha” dhe ku të pastrehët janë një “epidemi urbane”. Metafora e “strehës”, më shumë se një çati mbi krye, merr kuptimin e një institucioni, ku ngërthehen familja, qenia, prona.
Jeta dhe qenia shpërfaqen në roman në një deformin skajor, përmes parodizmit, paradoksit dhe groteskut. Për ironi të fatit, qyteza ka një fabrikë që prodhon manekinë për gjithë vendin. Kështu që në roman, manekinë dhe njerëz jetojnë së bashku, ngërthehen format dhe fatet e tyre të përbashkëta, ku njerëzit sillen si manekinë të prodhuar në seri, ndihen “skllevër të lumtur”, që bëjnë reklamën e sforcuar të regjimit.
Në roman shfaqet ingranazhi i ndryshkur i drejtësisë, ku njerëzit vërtiten për vite me radhë, në një vend ku drejtësia është kthyer në luks. Nga pikëpamja e tipologjisë, romani është një vepër e hapur. Si i tillë, ai lejon mënyra të shumta leximi, ose më saktë çdo lexues bën një lexim të vetin.
Në sentencën fundore të romanit, “Epo, ja që nuk vdesin kaq kollaj të vdekurit”, përmes kësaj mbylljeje (nga autori) dhe “hapjeje” të veprës nga lexuesi, ofrohet një shumësi kuptimesh, interpretimesh, domethëniesh. Romani na demonstron se interpretimi i veprave letrare, asnjëherë nuk mund të jetë i vetmi dhe përfundimtar.