Kur Dritëro Agolli i rrëfehej Ali Podrimjes për raportin me Ismail Kadarenë

Elona Agolli, vajza e shkrimtarit të madh Dritëro Agolli, risolli kohë më parë një dialog mes të atit dhe Ali Podrimjes, për raportin me Ismail Kadarenë.

Dialogu Agolli-Podrimja


Podrimja: Në të njëjtën ndërtesë jetoni me Kadarenë, po udhët tuaja kanë kahje të ndryshme. Me siguri miqësinë nuk e keni lënduar?
Dritëro: Nuk jemi edhe aq të ndryshëm në pikëpamje me Ismail Kadarenë. Ne i kemi patur të afërta mendimet për letërsinë dhe artin, madje edhe për shoqërinë. Në jetën tonë asnjëherë nuk jemi zënë dhe nuk i kemi mbajtur mëri shoku-shokut. Në rrethana të vështira, jo për fajin tonë, kemi patur edhe ndonjë fërkim. Por e kemi kuptuar fare mirë njëri- tjetrin. Kokë më kokë kemi diskutuar gjëra që në atë kohë të fusnin drithmën. Ndryshimi mes nesh është se ai nuk jeton si unë në Shqipëri. Dhe mund të ketë ndonjë mendim të kundërt nga unë për ecurinë e proceseve shoqërore. Këtu qëndron edhe bukuria e shoqërisë pluraliste. Le të ketë mendime të ndryshme. Mendimi duhet respektuar. Nuk është intelektual ai që nuk respekton mendimin e dytë apo të tretë. Unë e ruaj miqësinë me Ismail Kadarenë, pasi e çmoj si një vlerë kombëtare. Për mua nuk kanë rëndësi pikëpamjet qofshin edhe të kundërta në raportet miqësore me Ismail Kadarenë. Në këtë miqësi unë jam i qëndrueshëm, pasi nuk jam as ekzaltues dhe as euforik. Me atë sillem si me bukën. Para bukës njeriu nuk ekzaltohet dhe nuk mburret se ha bukë. Thjesht ha, pasi i hahet. Kështu duhet të jetë miqësia. Edhe ty Podrimja unë të dua si bukën, ndofta me nuanca më të ndezura, më të drejtëpërdrejta. Të dua si njeri dhe si poet, megjithëse shpesh mund të kemi pikëpamje të ndryshme për botën që na rrethon, ti mund t’i shohësh sendet në harmoni , kurse unë mund t’i shoh në kaos, pasi jetoj mes kaosit.

ObserverKult


Lexo edhe:

DRITËRO AGOLLI: NJERIU NË GARË ME GOMARË