Kur Ali Podrimja i lutej Dritëro Agollit “nëse mund t’ja gjente një mjek të mirë për djalin e sëmurë”

podrimja agolli lum lumi

Pasardhësja e shkrimtarit të njohur, Dritëro Agollit, Elona Agolli, herë pas here zbulon korrespondencën e të atit, me të afërmit dhe miqtë e tij dhe kohë më parë, solli një letër dërguar nga Ali Podrimja, në kohën kur Lumi, i biri, ishte në një spital në Beograd.

Në letrën e vitit 1979, Podrimja i drejtohej Dritëro Agollit me një lutje, se nëse mund t’i gjejë ndonjë mjek të mirë, për djalin. Letra vinte nga Beogradi në Tiranë.

Më poshtë, letra e plotë e Ali Podrimjes e vitit 1979 drejtuar Dritëro Agollit:

I dashur Dritëro,

Dëshiroja të jem me Juve, por qe, më gjet kjo e keqe. Megjithë intervenimet e mëdha të mjekëve, fëmija im gjendet në një kotësi të thellë.
Ai nuk kishte ekinokokun, por tumor në brinin e shtatë të anës së majtë. Tmerr, tmerr dhe diçka e paparamenduar. S’di si do ta mashtroj dhe si do t’i tregoj Fitores; s’di si do t’i kaloj ditët me të.

I dashur Dritëro, nëse mundesh dhe nëse ke miq të mirë nga mjekët, të lutem interesohu dhe më lajmëro disi. Qëllimi im është ta shpëtoj Lumin, të gjej ilaç për jetën e tij.

Këtë fotografi të Lumit ia jep Xhevairit.
Më fal, nuk po mundem më të shkruaj.
Ju dëshiroj çdo të mirë ty, familjes suaj dhe të gjithë shokëve.

Me dashuri vëllazërore
Ali Podrimja
30.10.79 , Beograd

P.S
30 tetorin do ta mbaj në mend si ditë të rëndë për familjen time.

Aliu

ObserverKult

LEXO EDHE:

Agolli i rrëfehet Podrimjes për raportin me Kadarenë