Nga Mid’hat Frashëri
M’e madhe e uratave, që mund t’i bëhet një shtëpie, një familjeje, është të shkuarit mirë: po s’pati një shkuarje të mirë, një dashuri rreth vatrës, atë shtëpi e merr lumi. Grindja dhe zihja e shuajnë shumë më shpejt se zjarri e se vdekja. Për të pasur rrojtjen e ëmbël në gji të një familjeje, duhet që çdo njeri të bëjë pak theror nga dëshirat e tij, të heqë pak dorë nga egoizmi, të ndjejë fajet e tjetrit e të kuptojë fajet e tij.
Një komb është një familje e madhe që ka nevojë për të gjithë të mirat e së voglës: shkuarja e mirë, harmonia, bashkëpunimi këtu janë shumë më të nevojshme se te familja. Për lumturinë e një kombi duhet që njeriu të ketë këtë virtyt, që në frëngjisht i thonë altruizëm.
Altruizmi është vetia fare kundër egoizmit: egoizmi na urdhëron që të mundohemi vetëm për veten tonë, të bëjm’ atë që na do qejfi, t’i bëjmë dëm tjetrit për të mirën tonë. Po altruizmi na këshillon që më parë të mendojmë tjetrin, të shikojmë të mirën e tij, të ruajmë të drejtat e shokut tonë, me një fjalë, altruizmi na thotë që çdo punë ta gjykojmë pas interesit të përgjithshëm dhe jo vetëm pas interesit tonë.
Altruizmi është ajo lëndë, mund të themi, që lidh njerëzit e një kombi, gëlqerja që lidh gurët e një muri. Altruizmi! Ah, është një fjalë e panjohur për ne shqiptarët. Sa është larg nesh altruizmi, kjo ndjenjë, ky virtyt! Armiqësi e përjetshme e shqiptarëve, fisi me fisin, fshati me fshatin, vëllai me vëllanë, është një prov’e mjaftë, që altruizmit në vendin tonë as emri s’i është dëgjuar!
Po ne kemi një veti tjetër të vyer: shkuarjen midis myslimanëve dhe të krishterëve. T’i falemi një mijë herë Perëndisë dhe vetes, që grindjet e fesë nuk dihen pothuaj as fare në Shqipërinë tonë të dashur.
ObserverKult
Lexo edhe:
MID’HAT FRASHËRI: MË VJEN KEQ… PËR KËTË NJERËZI PA KOMBËSI, PA GJUHË…