Pyetësori i Prustit/ Vjollcë Berisha: Prishtina është qyteti ku rreh busulla ime e mallit, e dashurisë!

Pyetësorit të Prustit në ObserverKult i përgjigjet shkrimtarja dhe studiuesja, Vjollcë Berisha:

Cila është ideja juaj për lumturinë e përkryer?

-Lumturia është përherë e përkryer. Nëse është lumturi është e edhe përkryer në gjërat që t’i fal, në atë që të bën të ndjesh.
Ajo banon në gjërat e vogla të përditshmërisë, në ato që jo rrallë priremi të mos i shohim, vetëm pse janë aty. Për mua lumturi (e përkryer) do të thotë njerëz të dashur rreth vetes dhe libra pa fund. Gjëra që natyrshëm ta shumëfishojnë jetën. Lumturia është ajo ndjenjë e heshtur ku shtriqesh gjerë e gjatë dhe ia dëgjon zhurmën vetëm kur largohet.

Cila është frika juaj më e madhe?

-Zhgënjimi. I ruaj gjërat në pëllëmbë të dorës edhe kur e ndiej si treten. Bëj sikur nuk shoh, sikur nuk kuptoj. I shtyej sa mundem kufijtë e zhgënjimit. Nuk ballafaqohem dot me të.

Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?

-Time mëmë. Për qetësinë që ka në vete. Për harenë dhe aftësinë për ta parë të bukurën, të mirën e të lartën, edhe aty ku kundërmon ligësia e mjerimi.

Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?

-Do të doja të identifikohesha me të gjithë ata që dhanë për lirinë në të gjitha format e saj. Liria është vlera e epërme e jetës. Çdo përpjekje për ta ruajtur atë më mrekullon përsëritshëm.

Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?

-Toleranca e tepërt. Dhembshuria deri në skajin më të largërt që mund të imagjinohet.

Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni te të tjerët?

-Kopracia, zemërngushtësia, zilia. Kopracia nuk vjen vetëm në raport me materialen, por me gjithçka që ke, me ndjenjën, dashurinë, kohën që ia jep tjetrit për ta bërë të lumtur. Më duket derivat i një egoizmi të pakuptimtë, ndaj e urrej me shpirt.

Në cilat gjëra e teproni?

-E teproj kur fal. E teproj kur jap dashuri. Më prishen të gjitha rubinetat.

Çfarë do t’ju shtynte të gënjenit?

-Jeta ka plot rrengje. Edhe të qëndrosh diku ku s’të pëlqen, ku s’përket, apo të kalkulosh kundrejt parimeve personale, madje edhe të heshtësh kur kërkohet të flasësh, do të thotë të gënjesh. Urrej të gjitha fytyrat e gënjeshtrës, por ka pasur raste kur kam qenë e shtrënguar të takohem me të.

Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?

-Drejt kujtimeve të fëmijërisë. Ka gjëra tepër të çmuara atje. Gjëra që vazhdojnë të më ndërtojnë edhe sot.

Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?

-Patjetër.

Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?

-Që e kam ndërruar numrin e telefonit. Ka ndodhur shumë moti. Ia kam prerë linjën një thirrjeje që ndoshta do të më çonte në një breg tjetër.

Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?

-Dy motrat dhe letërsia. Jam një rreth i jashtëshkruar në këtë trekëndësh magjepsës. M’i mbushin të gjitha skutat e shpirtit.

Cila është gjendja momentale mendore e juaja?

-Bëj shumë gjëra brenda ditës. Aktivitete shpesh shumë të ndryshme nga njëra-tjetra. Kjo më krijon një lëmsh të çuditshëm që ngatërrohet keq nga presioni i kohës, por që është edhe tepër i nevojshëm për të qenë kreativ. Pa këtë lëmsh nuk krijoj dot asgjë. Kështu jam edhe tani tek po shkruaj për këtë pyetësor.

-Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë te vetvetja, cila do të ishte ajo?

-Do të mësohesha ta përdorja më rrallë monedhën e sakrificës për t’i paguar disa kënaqësi.

Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?

-Unë jam pedagoge. Drita që ndez përditë te studentët e mi është vepra ime jetësore. Edhe me të gjitha punët tjera që i kam bërë dhe i bëj jam munduar ta ushqej po këtë vepër, drejtpërdrejt ose tërthorazi. Herë duke ndikuar edhe në mendësi, në mënyrën e jetesës, apo në kushtet shoqërore politike.

Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?

-Do krijoja më shumë hapësirë për të shkruar.

Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?

-Do të doja të isha një valë e gjatë radioje që sjell këngë.

Cila është gjëja me e shtrenjtë që posedoni?

-Qetësia shpirtërore. Kam një qetësi të paimagjinueshme, një paqe me gjithçka që bëj. Kjo më krijon lumturi të vogla përditë. Ma llustron jetën. Më jep mundësi të shijoj çdo gjë.

Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?

-Injorancën. Padituria është nëna e shumë të këqijave: krekosjes, mosmirënjohjes, inatit, kryeneçësisë, çmendurisë kolektive, devalvimit të vlerave e shumë të tjera shëmtira që mund të na bien ndërmend.

Ku do të dëshironit të jetonit?

-Në Prishtinë. Ai është qyteti ku rreh busulla ime e mallit, e dashurisë. Jam larguar nga vendlindja kur qeshë 10 vjeçe dhe e tërë fëmijëria ime ka qenë një pritje për t’u kthyer, që më vonë u shndërrua në një peng gjigant. Sot kujtoj që Prishtina është një nga qytetet më të përmallshëm në botë, nëse marrim parasysh sa fëmijë, pleq e të rinj kanë qenë të detyruar ta braktisin dhe pastaj ta ëndërrojnë, ta dashurojnë, së largu. Ky është mbase malli në trajtë qyteti i shumë njerëzve të brezit tim.

Cila është cilësia juaj më e veçantë?

-Instikti i të shkruarit. Ndjehem kaq e bekuar që kam atë shtysë të regjistrimit të gjërave në letër. Është mundësi e pakrahasueshme për t’i parë më mirë dhe për t’i shijuar shumë herë.

Çfarë vlerësoni te një burrë?

-Aftësinë për ta bërë të lumtur një grua. Kur një burrë ia del ta zbulojë fije-fije botën e ndërlikuar të gruas, e kupton se lumturia nuk është diçka që ata të dy duhet ta paguajnë shtrenjtë. Vetëm kërkon të ia vësh veshin ritmit që zemra e saj dikton, pa u pleksur me krenaritë e pakuptimta rrugës.

Çfarë vlerësoni te një grua?

-Aftësinë për ta dëgjuar thellë heshtjen e një burri.

Cili është shkrimtari juaj i preferuar?

-Unë jam njeri i letërsisë. Jetoj me letërsinë. Nuk mund të them një emër, se më vjen keq për ata të tjerët që s’i përmend. Garnizoni i shkrimtarëve që ruajnë balancet e shpirtit tim është i madh, me rekrutë nga e gjithë bota, nga të gjitha epokat e gjinitë. Ata jetojnë në mua, dhe i dëgjoj, dëgjoj, dëgjoj…

Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?

-Prindërit. Përherë më ka mahnitur mënyra se si ata e shumfishojnë veten, si hyjnë e dalin në qindra role qëkur i njoh. E në të gjitha udhëhiqen vetëm nga dashuria e sakrifica.

Cilin talent do të dëshironit ta kishit?

-Do të kisha dashur të kem zë për të kënduar. E dua shumë muzikën. Di shumë këngë. Jetoj me to dhe do të doja të kisha mundësinë t’u këndoja dhe të tjerëve.

Si do të dëshironit të vdisnit?

-Rrethuar me sy të vërtetë që më qajnë dhe zemra mirënjohëse që më patën.

Cila është motoja juaj?

-Rri drejt!

ObserverKult


Lexo edhe:

VJOLLCË BERISHA: JAM E VARFËR SI BOTA

VJOLLCË BERISHA: TI MËSO TË DASHUROSH, SHPIRT..

CIKËL POETIK NGA VJOLLCË BERISHA: LERMË TË TË DASHUROJ SI DUA…

VJOLLCË BERISHA: I DASHUR, A VDESIM SONTE?

VJOLLCË BERISHA: KISHTE MËSUAR TË ËNDËRRONTE…