Elvin Hoxha është djali i muzikantit të shquar shqiptar nga Shkodra, Hajredin Hoxha, i cili është larguar nga Shqipëria në vitet ’90. Ai është gjithashtu edhe djali i një artisteje të njohur nga Ajzerbaxhani, Nermin Ganijev.
Elvini është cilësuar si “Paganini shqiptar” dhe në një konkurs ndërkombëtar që është zhvilluar në Shangai të Kinës, me më të mirët e më të mirëve, ai është renditur në 8 muzikantët më të mëdhenj të botës.
Ai është vetëm 24 vjeç dhe me performancat e tij ka pushtuar skenat botërore. Madje edhe Putin e pëlqen shumë.
Ditën e sotme, Elvini ishte në një lidhje “Skype” nga Gjermani me emisionin “Shqipëria Live” për të folur rreth suksesit të tij, si dhe për objektivat që ka për të ardhmen.
Elvini ka treguar se që kur ka qenë 4 vjeç, gjyshja e tij dëshironte që të bëhej violinist. Ai u shpreh se më shumë luan në Evropën perëndimore dhe në Turqi.
“Por kam qenë edhe në Shqipëri për të takuar familjarët e babait, por edhe për koncerte, në Shkodër dhe në Tiranë”, shtoi violinisti.
I pyetur nëse është e vërtetë se Vladimir Putin e pëlqen shumë atë, Evini tregoi se si është njohur.
“Isha i ftuar të luaja në Kremlin dhe aty ndodhej Putin, familja presidenciale dhe politikanë. Aty luajta me orkestrën e mrekullueshme. Putin tha se ishte e mrekullueshme dhe më ftuan në Moskë për disa herë të tjera”, vijoi ai.
I pyetur se pse jeton në Gjermani, duke qenë se është lindur dhe rritur në Turqi, Elvini tha se ka profesorin e tij në këtë shtet.
“Gjermania është një prej vende më të rëndësishme për muzikën klasike. Erdha për të studiuar me një profesor shumë të mirë të violinës. Dua që edhe emrin tim ta bëj më të njohur në Evropë”, rrëfeu violinisti.
Gjithashtu Elvini tregoi se ka objektiva për të ardhmen e tij, ai dëshiron që të bëhet një solist.
“Dua të jem një solist, më pëlqen orkestra, por dua të luaj në salla ta mëdha që të luaj vetëm. Dua të jem Elvin Hoxha nga Shkodra, dua të jem vetvetja, dua të krijoj emrin tim”, tha ai, i cili shtroi se për t’u bërë violinist i suksesshëm duhet të punosh të paktën 4-5 orë çdo ditë.
Hoxha tregoi në fund se në prill do të vijë në Tiranë, pasi është i ftuar që të jetë pjesë e një koncerti./gazetashqip