Si ma drejtoi Mehmet Shehu pistoletën në sy…

Vasil Zoga është një nga viktimat e krimeve komuniste duke përjetuar një kalvar mundimesh nga persekutimi dhe dënimi në Spaç. Gjithçka nisi me pushkatimin e vëllait të tij Jani Zoga. Vasili ka lindur në vitin 1939 dhe rrjedh nga një familje e thjeshtë punëtore nga fshati Shtikë i Kolonjës. Ëndrra për t’u bërë mjek iu ndërpre në mes, por e ushtroi profesionin e mjekut në burgun e Spaçit dhe në internim gjithë jetën.  Në 8 korrik 1976 arrestohet pasi kërkoi drejtësi për pushkatimin e vëllait. Takimi me kryeministrin Mehmet Shehu për pak sa nuk i kushtoi jetën, por me shprehjen “I di Partia këto punë” ai do të pranonte fatin që i caktoi partia duke u dënuar me 10 vjet burg  “për agjitacion e propagandë” dhe “rrëzim të pushtetit popullor”. Dënimin e vuajti në burgun e Spaçit ku kujton dhunën dhe torturat çnjerëzore që ndodhnin atj. Lirohet në 1986, duke u kthyer në familjen e tij tashmë të vendosur në Karbunarë-Lushnjë,  dhe nuk u lejua të ushtronte profesionin e tij si mjek, por punoi si bari. Edhe pse kanë kaluar shumë vite dëshira e vetme e tij është gjetja e eshtrave të vëllait të pushkatuar nga regjimi Jani Zoga.

Nga Najada Pendavinji, Korçë/Kujto.al

Dëshmi e plotë…

Zoga, si dhe përse filloi persekutimi i familjes suaj nga komunistët?

Unë kam lindur në Shtikë të rrethit të Kolonjës nga një familje e varfër shumëanëtarëshe që punonim për bukën e gojës, ashtu siç ishte Shqipëria asaj kohe. Pavarësisht kësaj ne nuk na ka munguar atdhedashuria dhe etja për liri. Ne ishim një familje ashtu si të gjitha familjet shqiptare ku gjatë Luftës Nacionalçlirimtare jepnim kontributin tonë vullnetar dhe human ndaj të plagosurve dhe ndaj luftës në përgjithësi. Kështu për pjesëmarrjen në Luftë që në moshën 17-18 vjeçare vëllai im Jani Zoga u dekorua me 6 dekorata ku menjëherë pas lufte u dërgua në shkollën për oficer dhe gradohet toger. Pra vëllai im për trimërinë e treguar u emërua Komandant i postës kufitare Braçanj të Devollit. Ju e dini që me fitimin e një titulli vjen edhe përgjegjësia e cila në periudhën komuniste kishte të bënte me përkrahjen e padrejtësive dhe përfshirjen brenda formacionit shtetëror terrorist. Pikërisht këtu nis gjithçka. Në mars të vitit 1957 vëllai im ishte në krye të detyrës oficer kufiri dhe në këtë moment ai merr një propozim nga Xhelo Abazi për vrasjen e Sabri Rakipit një bashkëfashatar i tij, i moshuar afro 80 vjeç, i cili akuzohej për arratisje jashtë vendit. Vëllai im nuk po e konceptonte dot gjithë këtë situatë pasi si mund të arratisej një njeri në moshën e atij dhe si mund të vritej një njeri i pafajshëm. Por pavarësisht këmbënguljes për ta parandaluar këtë krim nëpërmjet denoncimit në organet e policisë, Sigurimi i Shtetit vret në kufi plakun Sabri Rakipi për të terrorizuar psikologjikisht popullin.  Sigurisht për këtë vrasje ishin në dijeni Zija Kambo, Komandant i kufirit në Korçë dhe Kryetari i Degës së Brendshme në Korçë, Jani Naska, dhe vrasësit u dënuan formalisht. Menjëherë pas kësaj Jani Zoga u vu nën shënjestrën e Sigurimit të shtetit i cili po kurdiste rrëzimin dhe dënimin e tij. Nuk vonoi gjatë dhe në maj të 1957 Jani Zoga arrestohet padrejtësisht me akuzën e formimit të grupit armiqësor për vrasjen e Hrushovit, i agjentuar nga grekët në itinerarin Devoll-Shtikë-Kolonjë-Leskovik. Mbas hetuesisë duke mos pranuar akuzën, në 16 dhjetor 1961 vëllai im pushkatohet dhe sot e kësaj dite nuk i dihet varri. Ne si familje nuk kishim dijeni për vrasjen e tij pasi mendonim se ishte me detyrë në Leskovik. Mirëpo filluam të shqetësoheshim pasi ai nuk po vinte më në shtëpi. Pritja jonë nuk zgjati shumë pasi filluan të na arrestonin njëri pas tjetrit. Ju tregova këtë ngjarje pasi këtu është e gjithë esenca e persekutimit tonë nga regjimi komunist duke përjetuar kampet e internimit të asaj kohe.

Ku ju internuan? Si ishte jeta aty?

Ashtu siç e përmenda pak më parë menjëherë pas pushkatimit të vëllait tim, Jani Zoga, Sigurimi i Shtetit i cili ka qenë një organizatë apo një seksion i veçantë që është krijuar personalisht nga Enver Hoxha, për të shtypur dhe terrorizuar popullin dhe për të mbajtur pushtetin e tij, arreston vëllain tim me 15 vjet heqje lirie, xhaxhi im me 10 vjet së bashku me babin, dhe shumë fshatarë të tjerë si grup, por me akuza të ndryshme. Këto arrestime i referoheshin gjithnjë e më shumë thënies të Arianit Çelës që tha: “Partia jonë e kishte plan që 2000 veta do të burgoseshin në vit”. Këtë gjë e vërteton edhe Kadri  Hazbiu, ish-Ministri i Brendshëm i cili thekson se “Partia jonë bënte dy lloj arrestime në vit, bënte për 1 Majin dhe për festat e Nëntorit ku arrestoheshin nga 400-500 veta sepse nevojiteshin që të punonin si skllevër”. Kështu fillon edhe kalvari i përndjekjes së familjes sime. Unë gjatë asaj kohe isha duke vazhduar studimet për mjekësi, vij këtu pasi punoja kohën e beharit në Voskopojë si kuadër i mesëm dhe mbas 15 ditësh vijnë më marrin në formën e arrestimit dhe më çojnë në Lushnjë. Atje unë nuk e dija që kishin marrë babain, vëllezërit e mi dhe xhaxhallarët, shikohem mbas disa muajsh me ta në internim. Më pas na marrin dhe na çojnë në Gradishtë, Savër dhe përfundimisht në Rrapës. Jeta në internim ishte e vështirë pasi atje futej pjesa më e shtypur, e përbuzur dhe e shfrytëzuar e shoqërisë. Punonim si gjithë punëtorët e tjerë, por kishim një dallim sepse shpërblimi nuk ishte njëlloj, punët më të rënda dhe shpërblimi i pakët, pra shfrytëzimi i madh. Jetonim në një barakë që vetëm sipër nuk pikonte, por frynte era nga të katërta anët, pa ngrohje, pa banjo, pra në mënyrë mizore dhe keqtrajtuese. Bënim dy herë në ditë apel. Duhet të dini diçka që nëpër kampet e regjimit ashtu siç ishte edhe Savra ka pasur plot njerëz intelektualë, fisnikë, që pavarësisht punës që kryenim atje se dihet që punët më të rënda i kishim ne, nuk na mungonte dëshira për dituri. Prandaj unë edhe pse u shkëputa nga studimet dhe nuk u diplomova librat dhe leksionet universitare më vinin nga shokët e mi, mirëpo atje ku unë i fshija  për të mos m’i gjetur kriminelët dhe skuthët e regjimit, mi hante miu. Kemi qenë në kondita të vështira mirëpo unë kam qenë i apasionuar për dituri dhe pavarësisht se punoja gjithë ditën në punë të rënda, nga ora 9 e darkës deri në orën 1:00 unë studioja. Prandaj pasioni dhe dëshira e madhe për një profesion nuk shuhet kurrë qoftë edhe i internuar nga regjimi.

Sa vite qëndruat në internim?

Unë kam qendruar në internim vetëm 5 vjet pasi fitova pafajësinë. Po si e fitova pafajësinë? Vjen për inspektim gjenerali Nevzat Haznedari, “kolonel i zi” ja kishin vënë titullin, me nja 15 oficera. Në atë moment unë isha duke mësuar pak gjuhë të huaj në një libër enciklopedik, por ju e dini që atëherë dënoheshe nëse mësoje gjuhë të huaj, të gjithë dolën shpejt e shpejt nga dhoma, ndërsa unë sa i fsheha nën krevat pasi erdhi dega e kontrollit, u takova ballë për ballë tek dera me Nevzat Haznedarin unë do dilja ai hyri. Në këtë moment më thotë: Nga je ti? Kolonjar jam i them unë. Ai vazhdon duke folur me njëlloj indiference dhe përbuzje: Çfarë e ke Jani Zogan? Dhe unë ja kthej vëlla e kam, i cili ashtu si ne ishte i pafajshëm, kështu që nuk keni pse më mbani këtu. Po thotë ai ti nuk ke asnjë faj. Dhe iku gjithë inat. Unë në çast duke i mbajtur mend orën, bisedën i drejtohem Haxhi Lleshit, President i Republikës, ku i shkruaj: në orën 10 të mëngjesit gjenerali Nevzat Haznedari me 15 oficera midis 500 njerëzve që ishin grumbulluar atje më ka komunikuar pafajësinë prandaj duhet të lirohem. Përgjigjja erdhi dhe unë lirohem nga internimi, por sigurisht me disa kushte pasi nuk lejohesha të shkoja në gjithë Shqipërinë dhe nën vëzhgimin e tyre.

Pse u arrestuat?

Mbasi lirohem mendova se drejtësia për pushkatimin e vëllait tim duhej të vihej në vend prandaj i kam dërguar letër vet kryeministrit të Shqipërisë Mehmet Shehut, i cili ishte kriminel. Mbas disa ditësh që i kishte shkuar telegrami më thërrasin në zyrën e Mehmet Shehut për t’u përballur me të. Pasi letrat që unë kisha shkruajtur përmbanin urrejtje dhe mllef. Kështu që unë mbërrita ditën e hënë në orën 8:00 në zyrën e Mehmet Shehut, hyra atje dhe shikoj sekretaren dhe dy oficerë që më thonë: Prit. U hap dera e zyrës dhe shfaqet Mehmeti, një njeri i sertë, i dobët, vinte pak ezmer, jo shumë i gjatë, që na dukej ne si “gogol” nga larg. Vjen dhe më sheh nga koka tek këmbët. Të njëjtën gjë bëj dhe unë. Mbas 4-5 minutave që qëndruam duke parë njëri-tjetrin i them: Jam Vasil Kristaq Zoga, iu kam bërë dy letra skam marrë përgjigje. Kthehet nga sekretarja dhe me gishtin e dorës së majtë i drejtohet nxirri letrat. Në momentin që nxori letrat unë i drejtohem dhe i them ato që përmbante letra. “I nderuar shoku Kryeministër ti je përfaqësuesi i partisë dhe i shtetit, Enver Hoxha nuk ka kohë të merret me hallet tona, dua vetëm drejtësi, pafajësinë e vëllait tim të cilën e dua me dokumente. Ju vëllanë tim e njihni mirë pasi i keni varur 6 dekorata sepse ka mbrojtur kufijtë e Shqipërisë. Jani Zogan e kam vëlla nuk e mohoj kurrë dhe për vëllanë të vras”. Këtu u nxeh situata pasi shikimet tona ishin të egra si dy qen që do hanin njeri-tjetrin. Pa e kuptuar nga provokimi që unë i bëra dhe nervozizmi, fut dorën në brez dhe më nxjerr pistoletën e cila ishte e vogël dhe shkëlqente. Ma drejtoi pistoletën nga një distancë farë të vogël dhe unë qëndrova ashtu siç isha duke mos ja hequr sytë, kjo gjendje vazhdoi për gati 3 minuta dhe më pas ai e futi pistoletën në brez, dhe duke buzëqeshur nga njëra anë i ndriti një dhëmb prej floriri ku nga fytyra ishte nxirë dhe më tha: “E di partia atë punë”. Dhe u vërtetua që partia është mbi gjithçka pasi mbas një viti më arrestojnë. Në vitin 1975 pushohem nga detyra e mjekut me motivacionin se kishte tepricë kuadri, gjë që s’ishte e vërtetë pasi vendi kishte nevojë për mjek. Atë ditë që do arrestohesha unë nuk e dija se do ikja nga shtëpia në orën 5 të mëngjesit dhe do kthehesha pas 10 vjetësh për t’i parë fëmijët e rritur dhe gruan që më priste. Kështu që në 8 korrik 1976 arrestohem dhe dënohem me 12 vjet burg për çështje politike: “Agjitacion propagandë dhe rrëzimin e pushtetit popullor”.

Çfarë ndodhi në hetuesi?

Hetuesia ime vazhdoi për gati 9 muaj. Ishte tepër e vështirë dhe mizore pasi kaloje çdo ditë nën presionin dhe torturat që përdornin hetuesit apo dhe personat e Sigurimit të Shtetit për të pranuar atë që ti se ke bërë. Hetuesi im ishte Riza Tahollari. Torturat që ata bënin ishin nga më të ndryshmet, por ajo më e tmerrshmja për mua ishte gudulisja e cila të jepte humbje të vetkontrollit. Gudulisja nga shumë njerëz bëhet për të shkaktuar të qeshura, por mund të përdoret edhe si formë torture e cila ka pasoja fatale për njeriun qe e përjeton. Mua në hetuesi më lidhën këmbë e duar me zinxhirë dhe kam qëndruar ashtu me ditë të tëra pa bukë, pa banjo duke u gudulisur nga ata ku si pasojë kam humbur edhe ndjenjat. Mbaj mend që në hetuesi kam gjetur një copë të grisur gazete në të cilën ishte flamuri kuq e zi, e kam marrë dhe e kam fshehur në gji të më jepte forcën për të përballuar kërcënimet dhe torturat e kafshërisë komuniste.

Si u zhvillua gjyqi?

Gjyqi për mua ishte i papritur pasi më morën menjëherë dhe më nxorën para trupit gjykues. Atje më dolën shumë dëshmitarë ku disa prej tyre i kisha shëruar nga sëmundjet që ata vuanin pasi unë e ushtroja vullnetarisht detyrën time si mjek dhe isha i gatshëm për t’u përgjigjur nevojave të popullit. Të gjitha dëshmitë e tyre unë i hodha poshtë duke protestuar ashtu siç protestova kur më arrestuan dhe gjatë hetuesisë duke kërkuar pafajësinë. Jam shprehur se unë kam dhënë kontributin tim e kam kryer detyrën time si mjek dhe nuk i kam përlyer duart e mia me gjak si ju. Këtu ju dogji atyre dhe më thonë si kush? Unë me atë kokëfortësinë time vazhdoj të cilën e kam ende dhe sot sa njerëzit më thonë që ty s’të ka ndrequr as burgu i Spaçit. I them si Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu. Revoltohet trupi gjykues si Selami Janushi, i cili ngrihet në këmbë dhe më thotë po na njollos dy figurat më të shquara të Shqipërisë, do të futim “12 pashë në dhe”. Në atë moment unë i drejtohem portretit të Enver Hoxhës që ishte varur në mur ma sollën në shteg: “Enver Hoxha me buzëqeshjen e tij hipokrite i ka vënë kazmën Shqipërisë, ka ekzekutuar me qindra dhe mijëra shqiptarë, e ka kthyer Shqipërinë në burg, i ndrit gjaku në duar dhe fytyrë”. Këtu u nxeh situata dhe ata bërtisnin “ti je i çmendur do të çojmë për ekspertizë mjeko-ligjore”. Deri tani unë s’kisha pranuar gjë pas kësaj dola hapur si armik i pushtetit. Më dënojnë me 12 vjet burg.

Mbasi morët dënimin, në cilin burg ju çuan?

Më çojnë në burgun e Spaçit, ku mund të them me plot bindje se ka qenë një burg kaluar burgut hitlerian. Këtu i kanë hequr njerëzit zvarrë, kanë përdorur tortura nga më çnjerëzoret. Puna në galeri ishte e frikshme pasi të rrezikohej jeta nga vagonët me tonelata të mëdha mineralesh. Mbaj mend që kam hequr të “zinjtë e ullirit”, jam vrarë tre herë, ku herën e fundit çava veshkën e majtë, pasi u thyen shkallët gjatë punës në galeri. Kam qëndruar gati 13 ditë shtrirë me hemorragji dhe nuk duhej të futesha më në galeri pasi trupi im shfaqte alergji dhe më zihej frymëmarrja.  Por pavarësisht kësaj synimi i tyre ishte që unë dënimin ta kryeja në galeri. Mirëpo unë u betova që do ja përmbysja të gjitha vagonët në galeri Enver Hoxhës dhe ashtu bëra. Në Spaç kishte plot të burgosur ku vërtet ishin viktima të atij regjimi, i cili nuk kursente askënd. Bashkëvuajtësit e mi ishin Muhamet Harremi, Kita Marku, Fadil KokomaniQani SadikuVasil JanoAstrit XhaferriJorgji Gramozi etj, të cilët i kujtoj me një dhimbje dha dashamirësi të madhe.

Gjatë kohës që ishit në internim dhe në burg e keni ushtruar profesionin si mjek qoftë edhe vullnetarisht?

Që kur vesha bluzën e bardhë duke respektuar betimin ndaj hipokratit, në shpirt më lindi parimi im: Zoti në qiell dhe doktori në tokë. Ky parim më ka shoqëruar gjatë gjithë jetës sime që në momentin që kam kryer detyrën e parë si mjek dhe deri sot që jam 80 vjeç. Kështu që nuk kisha si të bëja ndryshe kur regjimi komunist në fillim më internoi dhe më pas më burgosi. E kam nisur shumë i vogël ushtrimin e detyrës si mjek nën kujdesin e Doktor Polenës për të cilin gëzoj një respekt të madh dhe kam ndihmuar edhe në lindjet urgjente pasi ishte nevoja. Unë kam dhënë kontributin tim si mjek edhe gjatë internimit në Lushnjë ku e nderoj shumë popullin e Lushnjës, dhe e respektoj për mikpritjen dhe besimin që kishte tek mua. Ka qenë mbi të gjitha një popull strehues.  Kam shkuar vullnetarisht dhe kam dhënë ndihmën time sa herë që ata kishin nevojë dhe mbaj mend që doli një parullë asaj kohe për mua nga kundërshtarët e mi “Si doktor i shkëlqyer si armik gjarpër me dy koka”. Kam punuar gati 20 vjet si doktor kam dhënë kontributin tim të pakufizuar, kam shtruar dhjetëra urgjenca, kam pritur gati 38 lindje në rrethin e Lushnjës për raste urgjente pavarësisht se unë nuk isha i specializuar për këtë pjesë nevoja të bën që ta përballosh me sukses. Po ashtu edhe në burgun e Spaçit unë i jepja ndihmën time të burgosurve por fshehurazi me atë stetoskopin tim që ia kisha dhënë Kita Markos të ma mbante mënjanë. Këtu më ka ardhur keq për një të burgosur për vëllain e Liljana Kondakciut i cili ka vdekur vetëm për një nitroglicerinë dhe është diagnostikuar me sëmundje të rëndë. E kam parë në galeri dhe i thashë ikë je sëmurë nga zemra pasi e kishte shumë të dobët jo vetëm nga stresi por edhe torturat që kishte marrë, pësoi atak kardiak. Kjo është jeta… Do ju them diçka në repartin ushtarak në burg kishte ilaçe sa të doje këto i kam parë me sytë e mi. Unë gjatë kësaj kohe kisha edhe dy muaj burg, kanë kërkuar ndihmën time dhe shkoj në repart ku ishin vendosur gjithë ato ilaçe. Ilaçet kalbeshin dhe nuk përdoreshin për shërimin e të burgosurve.

Z. Vasil keni jetuar një periudhë të vështirë dhe të gjatë nën diktaturën komuniste. Si e keni përjetuar ardhjen e pluralizmit demokratik?

Regjimi komunist ka shënuar një pikë kthese në shoqërinë shqiptare pasi ka qenë një sistem i tmerreve dhe vrasjeve masive të cilat kanë lënë gjurmë të mëdha në kujtesën e njerëzve që e kanë përjetuar atë kohë. Mund të them se më shumë se gjysma e popullsisë shqiptare ka qenë e persekutuar, e traumatizuar si pasojë e atij sistemi. Unë nuk e kam dashur Enver Hoxhën dhe sistemin komunist por as nuk e doja këtë pseudodemokraci e cila po na përçan dhe nuk po i jep vendin e duhur secilit prej nesh. Është njëlloj anarkie e zaptuar nga mafia dhe nga gjithë dukuritë negative të cilat çojnë në demoralizimin e shoqërisë. Unë e dua demokracinë, lirinë, pajtimin dhe vëllazërimin kombëtar, e dua Shqipërinë jam patriot dhe do të vdes i tillë pasi dua një të ardhme më të mirë për fëmijët e mi dhe fëmijët e gjithë Shqipërisë.

*Intervista u realizua për Kujto.al, Arkiva online e krimeve dhe viktimave të komunizmit