Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka shprehur një hidhërim të thellë për ndarjen nga jeta të poetit të shquar Lefter Çipa.
Meta ka cilësuar në një mesazh në Facebook, vlerat e mëdha të këtij personaliteti të kulturës shqiptare.
“Dhembje e trishtim nga lajmi, që nuk do donim ta merrnin kurrë. Legjenda e poezisë dhe e polifonisë shqiptare, Nderi i Kombit, Lefter Çipa, u nda sot prej nesh”.
LEXO EDHE: Lefter Çipa: Do vij prapë… ndonjë ditë
Krijuesi brilant i Bregut, me frymëzim thellësisht kombëtar, iku në përjetësi. Për të na lënë të gjithëve një trashëgimi të vyer artistike e kulturore. Spikatin perlat e polifonisë shqiptare të krijuara mjeshtërisht prej tij dhe që do këndohen në jetë të jetëve, sa të ketë shqiptarë.
Familjes Çipa, komunitetit të dashur të Pilurit kuqezi, gjithë poetëve dhe polifonëve, ju përcjell ngushëllimet.
Lefter Çipës i jeton poezia, i jeton kënga, i jeton shpirti kuqezi! I paharruar kujtimi i tij”, shkroi Meta.