Ismail Kadare: Vajza që dashuroja dhe libri që shkrova për të

ne parkun qe mbuluan fletet poezi nga ismail kadare

Një histori dashurie e vitit të parë në fakultet para se të ikte në Moskë. Te libri “Kohë për rrëfim” – Bisedë me Alda Bardhylin, Ismail Kadare rrëfen dashurinë e tij të parë të vërtetë, një vajzë me të cilën u nda dhe e ndanë, një vajze bionde dhe e ëmbël kur ishin të rinj. “Ajo ishte vajza më e bukur e kursit”, thotë Kadare ndërsa kujton njohjen me të dhe ndarjen e diktuar nga koha e rrethanat dhe dëshira e tij për të ikur. 6 dekada më pas, shkrimtari i madh zbulon se kishte raste kur mendonte ta merrte atë vajzë e të ikte me të në Gjirokastër.
Pjesa e mëposhtme është marrë nga libri në logon e Onufrit që sjell Kadarenë në të gjitha raportet e tij duke rrëfyer me pjekurinë dhe qartësinë që të jep distanca, ngjarje, njerëz e kohë.

-Qyteti i Gjirokastrës, vetë ndërtimi i tij arkitekturor, i ngjason një skene që josh natyrshëm imagjinatën e një shkrimtari. Dritaret e vogla në shtëpitë jo shumë larg njëra-tjetrës, rrugicat e ngushta që të çojnë drejt shtigjeve të reja, i japin jetë përfytyrimit, duke e bërë atë një qytet sa intim aq edhe të ftohtë njëkohësisht. Borghes shprehej: “Nuk do të isha bërë shkrimtar nëse nuk do të ishte Buenos Aires.” Sa ka ndihmuar qyteti në lindjen e shkrimtarit te ju?

Nuk jam i sigurt për këtë. Kam thënë të kundërtën, pasi qyteti më është dukur gjithnjë i çuditshëm. Qyteti i Gjirokastrës, edhe vetë nga ndërtimi i tij, ishte nga natyra shumë konservator. Shtëpitë e moçme, të vjetra, por të forta, të qëndrueshme, të mëdha, me mure të trasha e strukturë të brendshme të ndërlikuar, luanin një rol te banorët e tij. Gjirokastra nuk kishte shtëpi të reja… Dukej sikur marrëdhëniet familjare ndërlikoheshin nga ndërlikimi i godinave, i ndërtesave. Gjirokastritët u jepnin shumë rëndësi shtëpive, nuk e quanin çështje luksi, por gati si një çështje nderi. Kur thoshe shtëpi e madhe, aty kuptoje që fjala e madhe përdorej në të gjitha kuptimet. Njerëzit mund të ishin modestë nga ana ekonomike, por shtëpitë ishin hijerënda dhe kishin identitet. Kishin emra të ndryshëm. Çdo shtëpi e quante ndryshe gjysmën e katit të parë, ose fillimin e katit të dytë, ose të dytën ose të tretën, dhomat verore, apo dimërore… Kishin zakone e terminologji të ndryshme të të quajturit të shtëpive.

-Teksa kërkoja për jetën tuaj, hasa një dokument, i cili konfirmon kërkesën e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të Artistëve të Shqipërisë që ju të studionit në kursin dyvjeçar të letërsisë pranë institutit “Gorki”. Në fakt, ju kërkuat menjëherë pas gjimnazit të studionit në këtë institut. Kërkesa e parë ju refuzua…
Në atë kohë, kur mbaroje gjimnazin, duhej të bëje një lutje në formën e një kërkese se ku doje të studioje dhe unë shkrova instituti “Gorki” në Moskë. Fjala u hap që e drejta e studimit më kishte dalë dhe kjo ishte e vërtetë. Mirëpo kur po afrohej koha për studime nuk e pashë më emrin në listë. Edhe sot, nuk e di pse u anulua emri im. Liri Belishova* në kujtimet e saj e kujton dhe e përmend këtë…
Qamil Buxheli në atë kohë kishte qenë Sekretar i Përgjithshëm i Rinisë dhe i shkrepet të shkojë në institutin “Gorki” për letërsi. Papritur atij i del e drejta e studimit. Ndoshta kjo mund të jetë arsyeja. Atëherë më thërrasin në Ministrinë e Arsimit dhe më thonë: “Shoku Kadare, ty të ka dalë bursa për në institutin ‘Gorki’, por sovjetikët thonë se s’mund të ketë dy vende, vetëm një.” Më thanë që Buxheli kishte bërë lutje më herët, kështu që i takonte atij.

-Pra, ju mendonit se do të bëheshit shkrimtar?
Shkrimtar dhe absolutisht shkrimtar… asgjë tjetër!

(* Në dokumentin me nr. protokolli 332, Partia e Punës së Shqipërisë konfirmonte kërkesën e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të Artistëve, propozimin për të dërguar në kursin dyvjeçar të letërsisë pranë institutit “Gorki”, në bazë të konventës për bashkëpunim kulturalo-shkencor me Bashkimin Sovjetik, shokun Ismail Kadare. Ky dokument firmosej nga Liri Belishova, e cila ishte sekretare e Komitetit Qendror të PPSH-së.)
-Ju e donit institutin “Gorki”?

Absolutisht po! Dhe më dukej se kisha të drejtë. Siç kujtoja që isha shkrimtar i madh, ashtu e mendoja se askush nuk mund të shkonte atje para meje. Për këtë arsye u dëshpërova shumë. Më thanë që të futesha në Institutin e Letërsisë së Tiranës që të mos rrija pa shkollë dhe sa të mbaroja vitin e parë do të shkoja në Moskë. Kjo gjendje bëri që unë të mos e merrja shumë seriozisht universitetin. Më tepër merresha me një histori dashurie, duke e ditur që në mbarim do të shkoja në Moskë për të studiuar.
-Është e njëjta histori dashurie që e keni treguar te romani Mjegullat e Tiranës*. Një roman i shkruar në vitet 1957-1958?
Po. Nga njëra anë, ai ishte një roman natyralist. Nuk kam shpikur pothuajse asgjë. E kam shkruar me një lehtësi të madhe.

– Ju e quani Ema personazhin kryesor të këtij romani, e cila nuk ka asnjë ngjasim me personazhet e sociorealizmit, doktrinës kryesore ku kishte nisur të orvatej letërsia shqipe. Ajo është e lirë dhe teksa përshkruani rrugëtimin e saj, ju nuk i fshihni as mëkatet. Kishte të bënte krijimi i saj me faktin se ju po i jepnit një tjetër jetë, krejt ndryshe nga jeta reale, një jetë që të bën të përjetshme, siç është letërsia?

Historia e këtij libri është bazuar në një histori timen personale, gjatë kohës kur isha student. “Ema” ishte një shoqe kursi, me të cilën krijova marrëdhënie dashurie. Ajo ishte shumë e ndrojtur, por papritur u bë e guximshme. Simpatinë për mua ia tha një shoqes së saj dhe asaj i erdhi keq që ajo ta humbte këtë ndjenjë, duke ia thënë një shokut tim, Agim Shehut, i cili ma tregoi mua. Në fakt, unë e kisha kuptuar, pavarësisht se shpreha habi kur ma thanë. Ajo ishte një vajzë shumë e bukur, më e bukura në kurs, dhe të gjithë e donin. Kështu, pasi mora vesh sekretin, e pata shumë të lehtë. Historia që ndodhi mes nesh është ashtu siç e kam shkruar në libër, nuk ndryshon shumë prej tij.

– Pra, ju që me librin e parë treguat që femrat, të cilat hynin në jetën tuaj, mund të mbeteshin edhe në libër?
M’u duk krejt e natyrshme një gjë e tillë. Ajo e dinte që unë do të ikja në Moskë dhe kjo na e bëri më të këndshme historinë e më të madh pasionin. Marrëdhënia jonë ishte një histori e vërtetë dashurie. Ajo ishte një vajzë kryeqytetase, vajza e një inxhinieri të njohur në Tiranë, shok i Fan Nolit. Ishte bionde, shumë e ëmbël, si në libër. Nga fundi i vitit, nga pranvera, filluam të dilnim hapur, pasi unë do të ikja në Moskë, dhe kështu e morën vesh të gjithë. Ishte si një fatkeqësi e këndshme që po na ndodhte, e do të na ndante.
Është një romancë e jetuar në dekadën e parë të Shqipërisë komuniste.

– Jemi në vitet ’57-’58. Si ishte një romancë në ato kohë?
Ishim shumë realistë. Ishin vitet 1957-1958, një periudhë jashtëzakonisht liberale në Tiranë, ku dënoheshin krimet e Stalinit, ku dënohej komunizmi radikal. Tirana vlonte nga baret dhe sallat e vallëzimit. Atmosferën e atyre viteve e kam përshkruar edhe në libër. Të gjitha janë të vërteta.

– Kjo histori dashurie do të përfundonte me udhëtimin tuaj drejt Moskës. Si ndodhi ndarja?
Familja e saj e mori vesh dhe e qortoi. Ajo nuk erdhi më në shkollë, e mbyllën brenda, duke mos na lejuar të takoheshim më. Vajzën e vunë në një pozitë të vështirë, duke i thënë që vetëm e fejuar do të dilte nga shtëpia. Ajo ishte shumë e bukur dhe kishte
mjaft kërkesa, kështu që e fejuan me një mjek dhe kjo bëri shumë bujë në Tiranë, për shkak të historisë sonë.

– Si e përjetuat ndarjen?
Më erdhi shumë keq, pasi nuk e prisja. Lidhja që kishim ne ishte skandaloze, por mbyllja në shtëpi ishte akoma më skandaloze. Megjithatë, ajo rikthehet në shkollë dhe pavarësisht se nuk duhet të flisnim me njëri-tjetrin, e gjetëm rastin të shiheshim e të bënim dashuri fshehurazi. Por sërish u mor vesh lidhja jonë dhe fejesa e saj u prish. Familja ishte kaq e vendosur që vajza të ishte e fejuar, sa e fejuan për së dyti me dikë tjetër që e kishte kërkuar më me ngulm se i fejuari i parë. Ajo u bë si një manekin, si një fantazmë.

-Ndoshta nuk ishte dashuri e madhe, përderisa e latë t’ju ikte aq lehtë?
Jo, ishte një dashuri e madhe! Ne përgjoheshim aq shumë, sa i ndërpremë takimet. Unë e kisha mendjen të shkoja në Moskë dhe lidhja jonë u dobësua, ndoshta më mirë që u zgjidh kështu. Do të ishte tragjike nëse do të kisha bërë ndonjë marrëzi, pasi ndonjëherë më shkrepte në kokë të iknim bashkë në shtëpinë time në Gjirokastër dhe unë do të kisha humbur pastaj. Jeta ime do të kishte marrë fund. Ika në Moskë dhe e harrova…


-Ju ka feksur kjo histori në letërsinë që do të shkruanit më pas?
Kjo ka qenë një mosdëshirë për t’u marrë me historinë time.

-Ndërsa, në një fazë tjetër të jetës, për këtë histori tuajën sentimentale një miku juaj do të shkruante një libër.
* Një ngjarje e treguar në dy mënyra, por me fate të ndryshme, pasi njëri do të botohej e do të ishte një libër i njohur në Shqipërinë komuniste dhe tjetri për më shumë se 40 vjet do të qëndronte në sirtar.

– Pse pritët kaq shumë për ta botuar këtë libër? Ishte historia mbi të cilën ishte ndërtuar ky roman që ju bëri të hezitonit, apo teksti, mosbesimi në një tekst ku mund të ndihej naiviteti i moshës?
E kam të vështirë ta përcaktoj këtë gjë, ndoshta ishin shkak të dyja. Për çdo të ri, të jesh personazh në një novelë është ngjarje, aq më tepër që e morën vesh të gjithë se për çfarë bëhej fjalë. Ndërsa historia e vajzës gjimnaziste (një histori gjatë kohës së gjimnazit) mbeti një gjë e mbyllur, historia studentore çuditërisht u përhap midis të rinjve. Nga kjo histori e dytë unë bëra një zbulim, që m’u duk tepër i befasishëm. Të ishe personazh i një libri ishte diçka e lakmuar, por unë s’e mendoja që mund të ishte sa e lakmuar, aq edhe problematike. Në rastin tim më shkaktoi një mërzitje të madhe.

– Çfarë ju trishtoi?
Kur lexova novelën e mikut tim, Nasho Jorgaqi, u dëshpërova për një gjë themelore: se unë isha atje një personazh nga ata që jo vetëm nuk ishte për t’u dashur, por edhe acarues. Isha personazhi më i keq që mund të përfytyrohej. Një personazh që nuk është e tepruar ta quaj i neveritshëm, në kuptimin shoqëror të fjalës. Personazhi ishte njëfarë pikturimi i atyre djemve, ndaj të cilëve kisha një përçmim të thellë: këta ishin aktivistët e rinisë, të cilët flisnin me parulla e entuziazëm të padurueshëm nëpër mbledhje, që kishin si ndjenjë kryesore lojalitetin ndaj vendit dhe Partisë; shkurt, unë u ngjaja personazheve pozitive të letërsisë shqipe të realizmit socialist. Madje, gati-gati dukej sikur shkaku i ndarjes sime me këtë vajzë ishte pikërisht një përfytyrim i tillë skematik i marrëdhënieve njerëzore. Njëri personazh është i lidhur me kohën, shtetin, Partinë që, për fat të keq, sipas këtij libri, isha unë, dhe tjetri personazh ishte natyrë njerëzore e ëmbël, erotike, e lakmueshme, që ishte vajza studente që unë dashuroja. Atë se çfarë kisha përçmuar në jetë, fati më bëri ta përjetoj në një roman, ku opinioni, në mënyrë të detyrueshme, ma futi mua. Unë, personazhi mashkull, që kisha padurim të mbaroja studimet e të shkoja të punoja në fshat, siç thoshte Partia. Kurse e dashura ime dilte një qenie shumë e ëmbël, por në roman kishte konotacion negativ. Në të vërtetë, asnjëri nga ne nuk kishte ato cilësi skematike të kohës.

– Ju flisni për mospërputhjen e jetës me artin disa vjet më vonë te ‘Muzgu i perëndive të stepës’ (1978). Ishte ky roman i shkruar nga miku juaj që nxiti këtë dialog brenda jush, mbi mënyrën se si arti mund të interpretojë apo të manipulojë të vërtetën? Përse nuk e kërkuat ta lexonit veprën në dorëshkrim dhe a ia shprehët atë se çfarë ndiet?
Nuk më kujtohen rrethanat se përse nuk e lexova para se ta botonte, por fakti është se unë mbeta i befasuar për keq kur e lexova, pas daljes nga shtypi. Ky ishte një mësim i hidhur për tërë jetën dhe ishte një sintezë se si mund të falsifikonte letërsia e kohës ndjenjat e natyrshme njerëzore./(gazetashqiptare)

——————-

Lexo edhe:

Si e shpëtoi pikturën e Maks Velos nga djegia Ismail Kadare

ObserverKult