Përfundojnë punimet në tyrben dhe teqenë në “Qendrën Historike të Kaninës” në Vlorë.
“Në Qendrën Historike të Kaninës ku prej rrënojash u kthyen në jetë dy monumente”, u shpreh ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti duke sjellë pamje nga investimi.
Restaurimi i Teqesë dhe Tyrbjes së Kaninës, u realizua nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Vlorë, në kuadër të projektit “MileSTONES III” të mundësuar nga programi Interreg IPA CBC Greece-Albania 2014-2020.
Është ndërhyrë në çatinë e teqesë, janë rregulluar të gjitha pjesët e dyerve dhe harqeve të dritareve, si dhe është kryer kosnolidimi i brendshëm. Tek Tyrbja po punohet për plotësimin e kupolës dhe konsolidimin e saj.
Teqeja e Kaninës apo Teqeja e Haxhi Bektash Veliut, ndodhet në qendrën e fshatit. Ndërtimi i saj lidhet me emrin e kryeadmiralit të flotës turke, Sinan Pashës, që u vendos në Vlorë dhe Kaninë në fillimet e shek. XVI, pasardhësit e tij janë pinjollët e familjes së famshme të Vlorajve.
Tyrbja e hershme e Sinan Pashës, e ngritur në fillim të shek. XVI pranë teqesë, tashmë nuk ekziston.
Të dhëna me rëndësi për tyrben, teqenë dhe një skicë për të, gjenden në studimin e Eqerem bej Vlorës për Kalanë e Kaninës. Në këtë teqe u varros dhe kryeministri i fundit i Perandorisë Osmane, Ferid Pashë Vlora.
Në vitin 2014 pranë Teqesë u varrosën eshtrat e Eqerem Bej Vlorës. Teqeja e Kaninës u shpall Monument Kulture i kategorisë së parë në vitin 2006./ATSH